Pa koordinator për veriun

Ylber Hysa, në fund të shkurtit të vitit 2010 ishte emëruar koordinator i Qeverisë së Kosovës për integrimin e Veriut. Menjëherë pasi pati marrë detyrën, ai kishte thënë se misioni i tij mund të ketë sukses, për të zbatuar strategjinë e Qeverisë..

Por, dy vjet më vonë, pjesa mbi lumin Ibër në Mitrovicë vazhdon të funksionojë jashtë Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
"Të gjithë ata që janë disfatistë dhe që tash i kanë çuar duart përpjetë, besoj që nuk janë pjesë e kësaj strategjie", kishte thënë Hysa, për Express.
Por, ish-nënkryetari i ORA-s nuk e çoi deri në fund misionin që i ishte ngarkuar - integrimin e pjesës veriore në sistemin ligjor dhe kushtetues të Kosovës.
Ylbe Hysa, prej të mërkurës, është emëruar në detyrën e re, si ambasador i Kosovës në Maqedoni. Gjatë mandatit të tij, përpos disa takimeve që ka pasur dhe hartimit të disa raporteve, puna e tij nuk ka dhënë rezultate. Ndërsa, Qeveria e Kosovës ende nuk ka gjetur një zëvendësim për këtë detyrë.
Zëvendëskryeministri Hajre din Kuçi ka thënë se nuk e di, nëse do të ketë koordinator të ri, sikurse nuk e di nëse do të ketë edhe strategji të re për Veriun.
"Kryeministri vendos këtë", ka qenë përgjigjja e Hajredin Kuçit, i cili më herët ka theksuar se njeriu që pritet të emërohet në postin e koordinatorit të ri duhet të jetë i pranueshëm për serbët lokalë.
Burime të Expressit brenda Qeverisë kanë thënë se ka mundësi që të mos ketë fare koordinator.
"Në Qeveri ende nuk është diskutuar për zëvendësimin e Hysës. Duhet njëherë të shohim se çka dëshirojnë veriorët, e pastaj të vendosim", ka thënë zyrtari i Qeverisë.
Ndryshe, idenë për të emëruar një zyrtar të ri për veriun është kundërshtuar nga Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic. Ai ka deklaruar se Qeveria e Kosovës duhet ta pranojë realitetin në Veri, para se të marrë hapa të tjerë për pjesën më problematike të Kosovës.
Pavarësisht emërimit të koordinatorit, tash e dy vjet Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të ketë ndonjë ndikim në pjesën më problematike të Kosovës. Strategjia për integrimin e pjesës veriore nuk ka gjetur zbatim dhe tash me veriun po merren KFOR-i dhe EULEX-i, pasi serbët lokalë i kanë bllokuar rrugët me barrikada si pasojë e aksionit të ndërmarrë nga Policia e Kosovës, në korrik të vitit të kaluar.
Zyrtarë të BE-së tani po kërkojnë që pala kosovare të hartojë një strategji socioe-konomike për veriun, por gjërat në këtë drejtim nuk kanë lëvizur ende.