Presidentja Atifete Jahjaga dhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, janë takuar të premten për të biseduar rreth datës së mbajtjes së zgjedhjeve në Ferizaj.
Temë e bisedës, po ashtu ka qenë edhe krijimi i Këshillit për Integrime Evropiane nga presidentja. Javën tjetër Jahjaga për ketë temë do të takohet edhe me liderët tjerë, njofton Lajm.
“Takimet më kryetarin Mustafa janë të rregullta. Gati çdo muaj i mbajmë ato. Por ato takime ne i mbajmë edhe me liderë tjerë. Kemi biseduar për dy çështje konkrete. Për mbajtjen e zgjedhjeve në Ferizaj, për të cilat presidentja duhet të caktojë datën e zgjedhjeve dhe për të bërë këtë duhet të konsultohet më liderët politikë”, tha për “Lajm” këshilltari i presidentes, Ramush Tahiri.
“Deri më 30 mars duhet të shpallet data e zgjedhjeve në Ferizaj. Dhe biseda tjetër ka të bëjë me atë se presidentja është duke e krijuar Këshillin për Integrime Evropiane, ku Isa Mustafa duhet të marrë pjesë dhe duhet të thotë mendim e tij lidhur me këtë”, pohoi Tahiri.