Haliti: Muralet në Kuvend, janë kopje dhe të pavlera

Në vitin 2004, pas përfundimit të renovimit të sallës së Kuvendit të Kosovës, u vendosen tri piktura me përmbajtje kombëtare shqiptare. Asokohe kjo ishte mirëpritur nga qytetarët e Kosovës dhe nga shumica e deputetëve të Parlamentit.

Mirëpo, deputetët serbë të ish koalicionit “Kthimi” i cilësuan si monoetnike dhe sipas tyre duhej të largoheshin nga Kuvendi i Kosovës. Kjo, edhe u realizua, pasi që në shenjë pakënaqësie ata i bojkotuan seancat e rregullta të Kuvendit.
Ndërkaq, tash e sa vjet këto piktura vazhdojnë të jetë të mbuluara dhe askush nuk merret me to. Sipas zv/kryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi, kjo është çështje e Kuvendit të Kosovës, e jo e Qeverisë. “Kjo është kompetencë e Kuvendit të Kosovës”, tha ai për “Tribuna Shqiptare”.
Pikturat e vendosura në hollin e Kuvendit të Kosovës janë kopje që nuk kanë asnjë vlerë artistike, ka thënë për “Tribuna Shqiptare”, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti. Sipas tij, në objektin e Kuvendit duhet të ketë piktura me vlera arti e jo kopje dhe kiç.