Veriu kalohet tërthorazi!

Pikëkalimet kufitare në veri të Kosovës janë të hapura, por serbët lokalë vazhdojnë të përdorin rrugët anësore.

Njëra nga këto rrugë, të cilën serbët e veriut e kanë përdorur për ta shmangur Jarinjën, është bllokuar dje, ndërsa kontrollin e atij kalimi ilegal e ka marrë xhandarmëria e Serbisë.
Shumica e njerëzve që hynë në veri të Kosovës nga drejtimi i Ribariqit, përdorin po ashtu rrugë alternative, duke shmangur kështu Bërnjakun. Kontrollin në këtë rrugë e bëjnë ushtarët e KFOR-it, të cilët në makina kërkojnë armë.
Për dallim nga Bërnjaku, përmes Jarinjës dje kalojnë të gjithë ata që vijnë nga Rashka e Serbisë dhe anasjelltas, raporton Tanjug.
Rruga anësore që anashkalon Jarinjën është bllokuar, sepse aty ka sasi të dheut që pamundëson qarkullimin e makinave. Afërsisht 200 metra nga kjo bllokadë, në një kodër në anën e Serbisë janë anëtarët e xhandarmërisë serbe.
Kontrolli i trafikut në të dy pikëkalimet zyrtare kufitare në veri të Kosovës bëhet nga pjesëtarët EULEX-it, ndërsa aty ka edhe doganierë lokalë.
Por, në veri të Kosovës mund të hyhet e dilet përmes shumë rrugëve tjera alternative, sidomos në drejtim të Novi Pazarit. Në këto rrugët KFOR-i nuk e kontrollon trafikon, ndërsa kontrolli para hyrjes në Kosovë bëhet nga pjesëtarët e MUP-it të Serbisë.
I ashtuquajturi kryetar i Mitrovicës, Krstimir Pantic, ka thënë për Beta se xhandarmëria serbe e ka ndalur pranë punktit të Rudnicës, ku e ka mbajtur disa orë, duke mos e lejuar që të përdorë rrugë alternative në rrugën e tij drejt Beogradit.
“Dacici është hipokrit i cili thotë se do të mbrojnë serbët në Kosovë, ndërsa ua kufizon lirinë e qarkullimit”, ka thënë ai, sipas të cilit xhandarët nuk e kanë përfillur edhe pse ky “u ka thënë se po niset në mbledhjen e Këshillit për Kosovën të Parlamentit të Serbisë”.
Xhandarmëria e Serbisë ka vendosur pengesa në gjashtë vende, kështu që Pantici është detyruar që të qarkulloj arave.
Serbët në veri të Kosovës vazhdojnë të bojkotojnë pikëkalimet zyrtare, për faktin se aty ka doganierë dhe policë të Kosovës.
EULEX-i përmes mediave lokale vazhdon të informoj qytetarët se Bërnjaku dhe Jarinja janë funksionale për komunikacion.
Jarinja është hapur për trafik jo komercial, derisa nuk instalohet infrastruktura e duhur për këtë. Ndërsa, Bërnjaku është hapur për qarkullim të udhëtarëve, si dhe për mallra jo komerciale, të cilat nga aty drejtohen te terminali doganor në jug të Mitrovicës