VV: Thaçi e Feith, presion për Hoçën e Madhe

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar kryeministrin, Hashim Thaçi dhe shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, për presion në Komisionin për bujqësi për amendamentimin e Ligjit për Hoçën e Madhe.

Sipas deputetëve të kësaj lëvizje, argumenti i vetëm i kreut të Qeverisë dhe Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar ishte arroganca dhe pushteti.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe Liburn Aliu kanë thënë se ndryshimet që janë bërë në Projektligjin për Hoçën e Madhe me presionin e kryeministrit Hashim Thaçi dhe shefit të ICO-së, Piter Feith, janë shembull i keq i parlamentarizmit dhe i demokracisë.
“Dje dhe pardje për dy ditë më radhë, Piter Feith dhe kryeministri Thaçi e kanë përdorur si presion praninë e tyre. Argumentet nuk kanë qenë në anën e tyre fare. Në anën e tyre kanë qenë vetëm arroganca dhe pushteti që kanë”, tha Konjufca.
Sipas tij, në këtë drejtim, atyre po iu ndihmojnë edhe disa deputetë. “Atyre në këtë rast po iu ndihmojnë shumë edhe disa deputetë të cilëve nuk iu punon fare koka, por iu punon vetëm dora”, theksoi Konjufca.
Ndërkaq, Liburn Aliu, duke marrë si shembull amendamentin 7 të propozuar nga Thaçi e Feith, tha se Këshilli Zbatues dhe Monitorues po merr kompetenca jo vetëm për zonat e veçanta, por për tërë fshatin Hoçë e Madhe, transmeton Rtk.
“Këshilli Zbatues dhe Monitorues ka autoritet vetëm në zonat e veçanta dhe KZM-ja tash ka kompetencë jo vetëm për zonat e veçanta, por për tërë fshatin dhe kjo është në kundërshtim me ligjin që këta e kanë përpiluar vetë”, tha Aliu.
Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit për bujqësi, pylltari dhe planifikim hapësinor, për rreth pesë orës është diskutuar për Projektligjin për Hoçën e Madhe, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Thaçi dhe përfaqësues civil ndërkombëtar Piter Feith.
Të gjitha amendamentet e propozuara nga këta të fundit kanë kaluar, përveç amendamentit 4 që ka të bëjë me numrin e anëtarëve të këshillit.
Megjithatë, edhe për këtë amendament në seancën e kuvendit do të shkojnë dy propozime, dhe në këtë drejtim, përfaqësuesit e “Vetëvendosjes” kanë frikë se as ky amendament nuk do të kalojë në Kuvend.
Ligji për Hoçën e Madhe, është prej ligjeve të fundit që dalin si obligim nga Pakoja e Ahtisarit.