Bashkimi Evropian e konsideron si shumë të rëndësishëm zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton, tha për Radion Evropa e Lirë se grupet implementuese janë duke punuar në vazhdimësi, ngase për BE-në, zbatimi i marrëveshjeve ka një rëndësi të madhe.
“Çdo marrëveshje duhet të zbatohet dhe kjo është çështje shumë e qartë në dialog”, tha ajo.
Në anën tjetër, shefja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Beogradin, Edita Tahiri, shprehet mjaft e kënaqur me marrëveshjet. Duke folur për dy marrëveshje për të cilat kishte më shumë reagime në Kosovë, përkatësisht atë për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale me fusnotë dhe atë të për lëvizjen e lirë, Edita Tahiri thotë se të dyja e kanë forcuar shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Prishtina dhe Beogradi, në muajin shkurt, kanë arritur marrëveshjen për prezantimin rajonal të Kosovës me fusnotën që përmban Rezolutën 12 44 dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me aktin e shpalljes së pavarësisë. Kjo marrëveshje, sipas Tahirit, tashmë po zbatohet, dhe si rezultat ka sjellë përfaqësimin e Kosovës, pa pasur nevojë për praninë e UNMIK-ut, siç ka ndodhur në të kaluarën.
Kryenegociatorja Tahiri ka folur edhe për zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë të qytetarëve në relacionet Kosovë-Serbi dhe anasjelltas. Sipas saj, udhëtimi po zhvillohet i papenguar me anë të letërnjoftimeve apo edhe pasaportave.
Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, kanë sjellë si rezultat shtatë marrëveshje të prezantuara në formën e konkluzioneve. Kocijancic ka paralajmëruar vazhdimin e punës së grupeve për zbatimin e marrëveshjeve, kurse për raundet e reja të bisedimeve tha se do të ketë një ngadalësim në proces, për shkak të fushatës zgjedhore në Serbi.