Alves u kërkon falje tifozëve të Barcës

Daniel Alves u ka kërkuar falje tifozëve të Barcelonës pas eliminimit të mbrëmshëm nga Liga e Kampionëve.
Blaugranët barazuan 2-2 në Camp Nou ndaj Chelseat, por u eliminuan me rezultat të përgjithshëm 3-2, për shkak të disfatës 1-0 në ndeshjen e parë në Stamford Bridge.
“Do të doja të falënderoj të gjithë tifozët për mbështetjen tuaj dhe, në të njëjtën kohë, tu kërkoj falje për atë që ndodhi. Ne ishim ca të lodhur, por nuk duhej të ndodhte kështu”, ka thënë braziliani. 

Terry kërkon falje

Kapiteni i Chelseat, John Terry, u ka kërkuar falje bashkë-lojtarëve dhe tifozëve të klubit për përjashtimin në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Barcelonës.
Anglezi u përjashtua me karton të kuq për një goditje që i dha Alexis Sanchez tetë minuta para fundit të pjesës së parë, edhe pse thotë se reagimi i tij ishte “vetëmbrojtje”.
“Sanchez u lëshua në mua nga prapa. E kam parë xhirimin dhe nuk është aq keq. Nuk jam lloj i lojtarit që dua ta lëndoj dikë me qëllim. E kam ngritur gjurin tim, që ndoshta nuk duhej ta kisha bërë. Por shpresoj që njerëzit të cilët më njohin si person, si lojtar... nuk jam tip i tillë i lojtarit”.
“Jam i zhgënjyer, por i ngazëllyer me djemtë. Të vijmë këtu dhe të bëjmë siç bëtë ata dhe të nxjerrim rezultatin që ata nxorëm me 10 lojtarë... Ndjej sikur i kam lënë në baltë. U kërkoj falje dhe dua t’i kërkoj falje edhe tifozëve”.
“Në ato momente, isha i hutuar pasi u përpoqa ta mbroj veten ca, por kur shikova xhirimeve, nuk kam ankesa. I kam lënë në baltë djelmoshat. Ata ishin të shkëlqyeshëm”, ka thënë Terry për Sky Sports 2. 

Agani: Shtatzënat mund ta zgjedhin mjekun, e garanton Ligji

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka thënë se ka shumë keqkuptime rreth kërkesës së tij për zbatuar të drejtën ligjore për femrat që të zgjedhin profesionistin shëndetësor gjatë shfrytëzimit të shërbimeve gjinekologjike-obstetrike.
Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka thënë për “Tribuna Shqiptare”, se situata kur individi me pikëpamje të tij ideologjike ose profesionale tenton të ngritet mbi ligjin është parë gjatë deklaratës së drejtorit të QKUK-së, Nijazi Gashi, i cili ka vlerësuar se urdhëresa e lartpërmendur e ministrit ishte kundër etikës shëndetësore.
Agani thotë se është thyer rregullorja e Kuvendit, kur ai nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa është lejuar që deputetja e AAK-së, Time Kadriaj të akuzonte për marrjen e vendimeve ‘fetare dhe aspak profesionale’.
Thotë se edhe kryeparlamentari Krasniqi ishte nën ndikimin e ‘propagandës manipuluese’ të deputetes Kadriaj, kur tha se secili ministër duhet të respektojë Kushtetutën e Kosovës. 

Elvana Gjata, me 28 Prill klipin e ri “Gjaku im”

Videoklipi i shumë përfolur i këngëtares, Elvana Gjata “Gjaku im”, do të vijë për publikun në 28 prill.
Lajmin e kanë bërë të ditur producentët e studios muzikore, “Threedots”, të cilët kanë pohuar se video do të shfaqet të shtunën për publikun shqiptar. Kënga “Gjaku im” është pjesë e albumit të saj të dytë.
Viti 2011 ishte një vit i sukseseve për Elvanën, pasi këngëtarja triumfoi në “Top Fest 8 “ dhe publikoi albumin e saj të dytë “Afër dhe larg”. Aktualisht Elvana Gjata është duke konkurruar në “Dancing With the Stars”, ku duket se është një nga pretendetet kryesore për ta fituar këtë kompeticion

Haraqija: Nuk jap dorëheqje!

Aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare nuk e shtynë zëvendësministrin e Financave, Astrit Haraqija që të japë dorëheqje.
Ai për “Tribuna Shqiptare” ka thënë se e ka ndërgjegjen e pastër, nuk ka bërë keqpërdorime, ndërsa shpreson se gjykata shumë shpejt do ta japë verdiktin e saj.
I pyetur për këtë çështje, zv/kryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se kryeministri Hashim Thaçi është përgjegjës për shkarkime, në raste të ngjashme. 

Kontrabanda e hapur në veri e familjes Veselinovic

Një pjesë të madhe të tregut të Kosovës me naftë, barna, drithëra, drogë e armë e mbulon Zvonko Veselinovic. Numri më i madh i konsumatorëve të këtyre produkteve janë shqiptarë. Zvonko me grupin e tij fiton miliona euro në mënyrë të paligjshme. Po kaq humb edhe buxheti i Kosovës. Ka arritur t’i shmanget drejtësisë falë lidhjeve të mira me policë e prokurorë kosovarë. Mbi 3 milionë euro naftë ka futur në Kosovë gjatë viteve 2009-2010.
Gazeta “Koha Ditore” ka bërë një hetim të kriminalitetit të veri të Kosovës dhe ka siguruar dosje zyrtare të Policisë së Kosovës, Policisë së EULEX-it, Doganave dhe Prokurorisë, në të cilat përshkruhet veprimtaria kriminale në veri të Kosovës.
Zvonko Veselinovic i arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar në Serbi bashkë me vëllanë e tij Zarko kontrollon gjithçka në atë pjesë. Sipas dosjeve, ai ka kryer këtë veprimtari me dijeninë e EULEX-i dhe të Policisë së Kosovës. Në pak raste kur ka pasur tentativa për arrestimin e tij, në krah i kanë dalë zyrtarë të rendit dhe të ligjit, siç është ish-komandanti i stacionit të Policisë së Kosovës në veri, Milija Miloshevic, prokuror shqiptar e miq të tjerë.
Kontrabanda e mallrave është bërë në sy të doganierëve të EULEX-it. Ata kanë regjistruar hyrjen e kamionëve në pikat kufitare 1 dhe 31, por nuk kanë mbledhur taksat. Mosveprimin e doganierëve e kanë konstatuar policët e EULEX-it dhe Prokuroria. Orvatje për ndalimin e kësaj veprimtarie kriminale atje ka bërë Dogana e Kosovës, mirëpo për shkak të pamundësisë për të kontrolluar pikat kufitare vetëm ka bërë raporte e kallëzime penale.
Prokuroria e EULEX-i ka lëshuar urdhër arrestim kundër Veselinovicit qysh vitin e kaluar. Ky urdhër arrest nuk është zbatuar, ani se është ditur adresa e saktë e tij. Veselinovic i dyshuar për përfshirje në mbi 20 vepra penale, dyshohet se pas lirimit nga paraburgimi në Serbi ndodhet në veri të Kosovës ku po vazhdon veprimtarinë.
EULEX-i që po heton veprimtarinë kriminale në veri të Kosovës nuk ka dashur të prononcohet në asnjë pyetje të “Kohës Ditore” të martën. Nuk ka folur nëse po e kërkon Veselinovicin ende.
Zvonko kontrollon mbi 15 firma të ndryshme tregtare. Shumica të regjistruara në Kosovë. Mallin e sjell nga Serbia, Zvicra, Çekia, Sllovenia, Bullgaria, Rumania, Qiproja, Bosnja, e Mali i Zi dhe ua shet shumicën shqiptarëve gjithandej Kosovës.
Inteligjenca e EULEX-it e lidh Zvonko Veselinovicin me të paktën tetë kompani të përfshira në kontrabandën e naftës dhe të substancave tjera dhe shmangien e tatimit. Këto janë “PP Bono Sistems”, “Team Petrol”, “Team Oil”, “Grin Gas”, “Raskos”, “Laki Nacionial”, “TPP Sokolica”, “P.U.P. Ferari” dhe “SZTR Prizma”.
“Koha Ditore” paralajmëron se do në ditët në vijim do të sjellë detaje të bashkëpunimit të Zvonkos dhe serbëve të tjerë me shqiptarë në tregtinë e naftës, drogës e mallrave të tjera, të futura në Kosovë në mënyrë ilegale.

I hetojnë për rroga

Universiteti i Prishtinës është duke u hetuar me dyshimet për parregullsi të shumta. Njësiti për Krime Ekonomike i Policisë së Kosovës, javë më parë ka marrë në Rektoratin e UP-së, listat e pagave për vitet 2010 e 2011. Mendohet se në disa raste paga mujore e një profesori ka mbërritur deri në 8 mijë euro.
Krejt listat e pagave të Universitetit të Prishtinës për vitin 2010 dhe 2011 ndodhen në duart e Njësitit për Krime Ekonomike, njofton gazeta “Express”.
Para një muaji, dy hetues nga ky njësit i Policisë së Kosovës, kanë shkuar në Rektoratin e UP-së dhe nga aty, i kanë marrë të shtypura listat e pagave për këto dy vjet.
Burime të “Expressit” nga hetuesia tregojnë se aty janë të shtypura të dhënat nga lista e pagave, e të cilat përfshijnë të ardhurat e të gjithë të punësuarve në këtë universitet.
“Përveç kopjeve, të dhënat janë marrë edhe në mënyrë elektronike nga kompjuterët e Sekretarit të Përgjithshëm të UP-së”, thotë burimi i gazetës.
Hetimet nga Njësiti për Krime Ekonomike kanë nisur pas dyshimeve se ka parregullsi të mëdha në paga, ku në disa raste, të ardhurat mujore të një profesori mendohet se kanë mbërritur deri në 8 mijë euro. 

Pacolli dorëzohet përballë Thaçit

Partia e Behgjet Pacollit, duket se ka hequr dorë përfundimisht nga kërkesa për marrjen edhe të një ministrie në Qeverinë e Kosovës, në bazë të marrëveshjes së arritur me partnerin e koalicionit, partinë e kryeministrit Hashim Thaçi.
Ndonëse, AKR, disa herë kishte kërcënuar partnerin e koalicionit, PDK-në se do të prishë “kurorëzimin”, nëse nuk merr edhe një ministri, tashmë kjo çështje duket se ka marrë fund, shkruan “Zëri”.
Zyrtarë të lartë brenda AKR-së i kanë deklaruar gazetës se zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, tashmë ka hequr dorë përfundimisht nga kërkesa për marrjen edhe të një ministrie sipas marrëveshjes me PDK-në për bashkëqeverisje.
Sipas këtij zyrtari, kjo ka ndodhur me pëlqimin e dy liderëve politikë Thaçi-Pacolli, të cilët edhe kanë ndërtuar marrëveshjen për qeverisur me vendin gjatë këtij mandati. Ministria e premtuar nga partneri i koalicionit, PDK, thotë burimi është këmbyer me poste diplomatike dhe pozita të bordeve ekzekutive të ndërmarrjeve publike.
Nga ana tjetër, zyrtar të partisë së kryeministrit Hashim Thaçi kanë deklaruar se partneri i koalicionit, AKR ka “hise” të madhe në qeveri, duke marrë parasysh numrin e ulëseve që ka në Kuvendin e Kosovës.
Zëvendësministri i FSK-së, Shemsi Veseli, i cili është anëtar i Kryesisë së PDK-së ka deklaruar se “AKR ka vend të mjaftueshëm në kuadër të Qeverisë së Kosovës, sikurse të ministrave, zëvendësministrave, zëvendëskryeministrave, por edhe në departamente tjera”.
Marrëveshja e arritur për ndarjen e pushtetit mes Thaçit dhe Pacollit kishte paraparë që AKR t’i ketë pesë ministri, ndërkaq ky subjekt politik aktualisht i drejton katër dikastere qeveritare.
Por, analistë politikë konsiderojnë se është e palogjikshme dhe shqetësuese që në këtë kohë të mendohet për ndarjen e posteve qeveritare. 

Di Matteo: Goli i Ramires ndryshoi gjithçka

Menaxheri i Chelseat, Roberto di Matteo, thotë se goli i Ramires në fund të pjesës së parë ishte vendimtar në eliminimin e Barcelonës nga Liga e Kampionëve.
“Goli i Ramires para fundit të pjesës së parë na dha neve litarin e shpëtimit dhe besimit, që ishte momenti vendimtar”.
“Barcelona është më e mira, ata janë të mrekullueshëm, por mënyra se si ne u mbrojtëm tregoi shumë dëshirë për të kaluar më tej, dhe ne kishim ca fat po ashtu, që ju duhet në të tilla raste”, ka thënë italiani pas takimit të mbrëmshëm. 

Pique dërgohet në spital

Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, është dërguar në një spital lokal si pasojë e përplasjes me Victor Valdesin në takimin ndaj Chelseat.
Spanjolli humbi vetëdijen për ca çaste pas goditjes që pësoi në kokë nga portieri, mirëpo për një kohë u kthjell dhe u kthye në fushë.
Megjithatë, ai nuk mundi të vazhdojë dhe u zëvendësua nga Dani Alves.
Në një komunikatë të Barcelonës thuhet se Pique ka pësuar tronditje të lehtë, por do ta kalojë natën në spital në mënyrë që të jetë i mbikëqyrur. 

Spanjollja proteston duke u larë në “gjak”

Spanjollët kanë dëshmuar edhe një herë se dinë të protestojnë me stil. Ndërsa së fundmi këtë e kanë bërë duke kundërshtuar testimin e shamponëve te kafshët.
Për të vënë në pah keqpërdorimin e kafshëve gjatë testimit të shamponëve në ta, një grup aktivistes ka organizuar një protestë, në të cilën një femër është larë në një vaskë të mbushur me “gjak”. (Kuptohet, bëhet fjalë për ujin e ngjyrosur me të kuqe e jo për gjak të vërtetë).
Ndërkaq, pyetja e protestuesve ka qenë: “Sa kafshë vdesin për shkak të shamponit tuaj?”. 

Fat ose aftësi vozitëse? (Video)

Një situatë e pazakontë është xhiruar në Rusi, kur një grua i shpëton për mrekulli vdekjes.
Në video shihet gruaja që po e kalon rrugën dhe në moment vjen një automjet i ndihmës së shpejtë me shpejtësi të madhe.
Mirëpo, shoferi arrin që ta ndalë automjetin dhe të mos e godasë kalimtaren. 

Facebook arrin në 901 milionë përdorues

Lajmi i fundit i cili është publikuar nga Facebook thotë se rrjeti më i madh social në botë, ka arritur të ketë mbi 900 milionë përdorues aktiv në faqe, saktësisht 901 milionë anëtarë.
Kompania më e përfolur e kohëve të fundit, gjithashtu ka thënë se të hyrat e biznesit të saj janë duke u rritur, pasi që në formën e re financiare në të cilën ka publikuar rezultatet e biznesit për tremujorin e parë të vitit, gjatë të cilit Facebook ka gjeneruar 1.06 miliardë dollarë, krahasuar me 731 sa kishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. 
Megjithatë, ky nuk është lajmi i vetëm i mirë i Facebook. Kjo, pasi që Facebook po parashikon që deri në fillim të muajit gusht, rrjeti social të arrijë në 1 miliardë përdorues aktiv në mbarë botën. 

Angelina viziton refugjatët në Ekuador

Aktorja hollivudiane, Angelina Jolie, gjatë fundjavës që lamë pas ka qëndruar në Ekuador, ku i ka vizituar refugjatët.
Në një komunikatë të OKB-së thuhet se Jolie ka realizuar vizitën e parë zyrtare në Ekuador qëkur është caktuar këtë muaj si e dërguar për refugjatët pranë kësaj organizate.
Aktorja i ka vizituar refugjatët që kanë ikur nga dhuna në shtetin fqinj, Kolumbi. Ndërkaq, përveç refugjatëve, ajo ka takuar edhe ministrin e Jashtëm të Ekuadorit, Ricardo Patino.
“E inkurajoj këtë qeveri që të vazhdojë të ndihmojë familjet e rrezikuara”, ka deklaruar Jolie.

Çfarë do të thotë ai me...

Një mashkull duhet ç’koduar. Shpesh fjalët e tij as nuk kanë të bëjnë me atë që ai mendon. Por edhe puthjet kanë domethënie të veçantë që e do t’i zbërthejmë...
Ja pra çdo të thotë ai me puthjet e tij:
Në dorë 
Të do, të dëshiron. Nëse ta mban dorën dhe ta prek lehtë me buzë, qëllimi i tij i vërtetë është të të joshë.
Në ballë 
Do të të bëjë të ndihesh e mbrojtur. Me këtë puthje ai do të të tregojë që me atë pranë nuk duhet të kesh frikë nga asgjë.
Në faqe 
Ka nevojë për dashuri dhe butësi. Do ta kesh mendjen te ai që të sigurohet se je vetëm e tija
Në qafë
Kërkon besimin tënd. Duke të puthur në këtë pjesë delikate të trupit tregon se sa intim dëshiron të jetë me ty.

Ajri ultrasonik mund të shkatërrojë kancerin e prostatës

Ajri ultrasonik me tension të lartë mund të shkatërrojë kancerin e prostatës pa efekte serioze anësore karakteristike për terapitë e tjera, ka zbuluar hulumtimi i kryer në Londër.
Testimet kanë zbuluar që është e mundshme të shkatërrohen qelizat e kancerit pa dëmtimin e indit delikat rrethues.
Operacionet e zakonshme dhe radioterapitë për kancer të prostatës, gjysmën e meshkujve i bën impotent, ndërsa tek një e pesta shkakton inkontinencë. Efektet anësore janë aq të zakonshme sa që mjekët shumë pacientëve me tumor që nuk rriten shpejtë u këshillojnë shmangien e këtyre procedurave.
Mjekët të cilët kanë punuar në hulumtimin e sipërpërmendur në Londër kanë përdorur procedurën eksperimentale të quajtur “Ultrazëri i fokusuar me intensitet të lartë” (High Intensity Focused Ultrasound / HIFU) për shkatërrimin e tumoreve.
Asnjë nga 41 meshkujt në testim nuk kanë pasur inkontinencë, ndërsa vetëm 10 për qind kanë pasur impotencë, ka publikuar revista Lancet Oncology. 

JO Barca – PO Chelsea

Përkundër lojës së jashtëzakonshme, Barcelona nuk ka arritur ta mposhtë Chelsean në ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Sfida e zhvilluar në Camp Nou përfundoi me rezultat 2-2.
Takimi i parë i zhvilluar në Stamford Bridge përfundoi me rezultat 1-0 në favor të Chelseat, ndërsa pas sfidës kthyese në finalen e Munihut do të luajnë Blutë.
Ekipi vendas e dominoi në tërësi fraksionin e parë, mirëpo mysafirët mbroheshin mirë duke mos lejuar depërtimin e Blaugranëve. Ishte minuta e 19-të kur Leo Messi u gjet përballë Cech pas asistimit të Fabregas, mirëpo portieri i Chelseat reagoi për mrekulli.
Në vazhdim e gjithë loja zhvillohej në gjysmëfushën e anglezëve, porse nuk kishte raste të vërteta shënimi. Përmendim dy ndërrime të detyrueshme të mbrojtësve nga secili ekip – Gary Cahill (Chelsea) dhe Gerard Pique (Barca), e lanë fushën për shkak të lëndimeve.
Dhe më në fund u thye mbrojtja mysafire. Pas një krosimi të ulët të Isaac Cuencas më së miri në zonë u gjend Sergio Busquets duke plasuar topin në rrjet dhe duke ndezur atmosferën në Camp Nou (35’).
Menjëherë pas (37’), John Terry u përjashtua me karton të kuq për shkak një goditjeje të qëllimshme ndaj Alexis Sanchez.
Me një lojtar më shumë në fushë, Barca ishte edhe më e fuqishme dhe arriti ta dyfishojë epërsinë. Leo Messi dërgoi një pasim në drejtim të Andres Iniestas, ndërsa spanjolli e ndëshkoi portierin Cech (44’).
Kur dukej se gjërat po bëheshin të lehta për katalunasit, doli në skenë Ramires. Pa përfunduar pjesa e parë (45’+1), Frank Lampard dërgoi një top te braziliani, i cili me një gol të bukur ktheu shpresat e skuadrës mysafire për t’u kualifikuar në finale.
Edhe në gjysmën e dytë në fushë luajti vetëm një skuadër, ndërkohë që tjetra mbrohej.
Në minutat e para të kësaj pjese (49’), Didier Drogba ndërhyri në mënyrë të palejuar në Cesc Fabregas dhe gjyqtari akordoi penalti, mirëpo Lionel Messi goditi transversalen nga pika e bardhë.
Derisa vazhdonte loja, Blaugranët ishin tejet ofensiv, por e paluhatshme ishte Chelsea në mbrojtje duke lejuar hapësira shumë të vogla.
Përmendim një gol të anuluar të Dani Alves, si edhe një goditje të shtyllës nga Lionel Messi, kundrejt skuadrës të cilën e përcillte një fat i jashtëzakonshëm.
Dhe, derisa Barcelona po sulmonte, Fernando Torres i heshti të gjithë në Camp Nou duke e barazuar rezultatin në minutat shtesë.
Në finalen e 19 majit, Chelsea do ta presë fituesin ndërmjet Real Madridit dhe Bayern Munich.

‘Mourinho na ka mësuar si ta mposhtim Barcën’

Portieri i Chelseat, Petr Cech, ka thënë se Blutë kanë biseduar me trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho, para sfidës kthyese gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës.
Ekipi londinez të martën mbrëma është mysafir i Blaugranëve, ndërsa takimin në Camp Nou do ta fillojë me avantazh prej 1-0.
Në konferencën për media, Cech ishte ironik duke thënë se Mourinho ua ka dhënë recetën se si t’i mposhtin katalunasit.
“Ajo që ndodhi të shtunën në ‘el Clasico’ nuk do të ndikojë në ndeshjen e mbrëmjes së sotme (e martë). Ata kanë shumë përvojë në situata të tilla dhe atë ndeshje do ta lënë anash”, ka thënë mes tjerash portieri.
Ai ka pranuar se Blutë patën fat në përballjen e parë në Stamford Bridge, por ka thënë se ata do të bëjnë gjithçka që të jenë në finalen e Munihut.

Reagon edhe SEEMO, përkrahë gazetarët kosovarë

Organizata për Media e Evropës Juglindore, SEEMO, ka përkrahur gazetarët kosovarë, duke vlerësuar se është e tronditur me ndryshimet e fundit të Kodit Penal të Kosovës, aprovuar në Parlament.
 Bazuar në nenet kontestuese 37 dhe 38 gazetarët do të jenë penalisht përgjegjës nëse nuk zbulojnë burimet e tyre.
Në një komunikatë të kësaj organizate thuhet se këto nene të miratuara nga deputetët, në kundërshtim me mendimin e AGPK-së dhe organizatave të tjera të shoqërisë civile, si dhe kundër këshillës së Ministrisë së Drejtësisë, duket se përfitojnë më së shumti të akuzuarit për ryshfet ose aktivitete të paligjshme.
SEEMO i bënë thirrje presidentes Atifete Jahjaga që të mos nënshkruajë këtë kod dhe të kthej ligjin në Parlament.

Vllahiu: Mbështesim votimin mbi parimin e dyshtetësisë

Në kohën kur ka mbetur ende e paqartë se si do të organizohen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë më 6 maj, në territorin e Kosovës, Presidenca e Kosovës u shpreh në mbështetje të votimit mbi parimin e dyshtetësisë, por kundërshtoi idenë e organizimit të zgjedhjeve të një shteti tjetër brenda territorit të Republikës.
 Deri tani Presidenca nuk ka marrë ndonjë kërkesë zyrtare nga misioni i OSBE-së për lehtësimin e pjesëmarrjes së qytetarëve me shtetësi të dyfishtë në votimet në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.
Arbër Vllahiu, këshilltar për media i presidentes, Atifete Jahjaga, i tha Radios Evropa e Lirë se institucionet e Republikës së Kosovës angazhohen për respektimin e normave, ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, që garantojnë dyshtetësinë, por se nuk mund të lejojnë organizimin e zgjedhjeve të një shteti tjetër brenda territorit të Republikës së Kosovës.
“Do të ishte më e lehtë sikur Republika e Serbisë ta kishte njohur realitetin dhe shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe të vendoste marrëdhënie diplomatike me Kosovën, që do të mundësonte edhe hapjen e ambasadës, e ku do të mund të kryhej procesi i votimeve për shtetasit me shtetësi të dyfishtë”, tha Vllahiu në një përgjigje dhënë përmes postës elektronike.
Ai ritheksoi kundërshtimin e deritashëm të autoriteteve ndaj mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Kosovës, duke thënë se ato shkelin sovranitetin e shtetit, sfidojnë fuqishëm integritetin territorial dhe provokojnë rritje të tensioneve ndëretnike në Kosovë.

Amerika përkrahë FSK-në drejt NATO-s

Ministri i FSK-së Agim Çeku dhe Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati e pritën zëvendësdrejtorin e Zyrës për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Raffi Gregorian, i cili po qëndron në një vizitë pune.
Krerët e FSK-së e njoftuan zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për zhvillimet dhe të arriturat e Forcës së Sigurisë të Kosovës, si dhe për objektivat e zhvillimit të FSK-së për të ardhmen.
Ministri Çeku e njoftoi mysafirin për bashkëpunimin bilateral dhe multilateral të FSK-së, në përgjithësi.
Ndërsa, Raffi Gregorian shprehu gatishmërinë e SHBA-ve që edhe në të ardhmen të ndihmojnë FSK-në, në përmbushjen e të gjitha detyrave dhe kapaciteteve operacionale si dhe do të kontribuojë për integrimin e FSK-së në të gjitha organizmat e sigurisë dhe në NATO, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra për informim e Ministrisë së Forcës së Sigurisë.

Kodi, në dorën e Presidentes

Gazetarët dhe mediat në Kosovë janë në pritje të vendimit të presidentes Atifete Jahjaga nëse ajo do ta nënshkruajë apo jo Kodin Penal me dy nenet, që, sipas gazetarëve, janë problematike dhe rrezikojnë punën e tyre në të ardhmen.
Të mërkurën (nesër), pritet që presidentja Jahjaga t’i presë në një takim kryetarin e Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë, Arben Ahmeti, dhe përfaqësuesit e mediave të shtypura dhe elektronike për të biseduar për nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal, i miratuar të premten nga Kuvendi.
Ahmeti ka thënë se pret mirëkuptim nga presidentja në mënyrë që ajo të mos e nënshkruajë Kodin dhe ta kthejë atë në rishqyrtim. Në të kundërtën, ai ka paralajmëruar ndërmarrjen e hapave tjerë, ngase si i tillë, Kodi me këto dy nene për mediat konsiderohet i papranueshëm.
“Presim mirëkuptim prej presidentes, por nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë, atëherë do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. E, nëse nuk ndodh as kjo, i bie që duhet të marrim hapa më radikal, sepse Kodi do të mbetet i papranueshëm për mediat. Do të shqyrtojmë edhe mundësinë e bojkotimit të punës së këtyre deputetëve që kanë votuar për ta fundosur lirinë e shtypit”, ka thënë Ahmeti, për REL.
Gjatë seancës, kur ishte miratuar Kodi Penal me dy nenet problematike për gazetarët, ishte deputetja e Vetëvendosjes Alma Lama ajo e cila kishte shprehur haptas pakënaqësinë e saj me formulimin e këtyre dy neneve, duke vlerësuar se versioni i Kuvendit vuloste një pushtet diktatorial.
Sipas deputetes Lama, të dyja nenet duhet ndryshuar, ngase ato cenojnë lirinë shtypit dhe medias.
Neni 37, siç është miratuar, është nen, i cili do të shantazhojë lirinë e gazetarëve, lirinë e redaktorëve, kryeredaktorëve...
Gjatë seancës kur ishte miratuar Kodi Penal, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, kishte deklaruar se gazetarit do t’i kërkohet ta publikojë emrin e burimit vetëm në disa raste kur konsiderohet se si pasojë, ishte kryer një vepër e caktuar penale.
“Kemi të bëjmë me burimin kur kryhet vepra penale përmes tyre dhe nuk kemi të bëjmë me çdo burim. Mund të jetë burimi për një akt terrorist. Këtë duhet ta tregojë gazetari. Ka mundësi që përmes burimit, të kryhet vepra penale dhe vetëm kur kryhet vepra penale kërkohet burimi, jo në rastet tjera”, ka deklaruar Kuçi.
Kodi Penal, në nenin 37, definon përgjegjësinë penale për vepra penale me anë të mediave. Sipas gazetarëve, neni nuk e specifikon se cilat janë veprat penale që kryhen me anë të mediave dhe kjo u lë mundësinë gjykatësve, prokurorëve që ta interpretojnë kodin sipas vullnetit të tyre.
Kurse, neni 38, i cili rregullon mbrojtjen e burimeve, parasheh që gazetarët do të duhet ta zbulojnë burimin e tyre për të parandaluar ndonjë sulm që përbën kërcënim të pashmangshëm për jetën, me çka edhe gazetarët janë pajtuar, por jo edhe me pjesën e dytë kur kërkohet zbulimi i burimit për rastet e, siç thuhet, kërcënimit ndaj integritetit trupor të ndonjë personi.
Rrezikimi i “integritetit trupor”, sipas gazetarëve, është term i gjerë, i padefinuar dhe si i tillë mund të keqpërdoret.
Sidoqoftë, gazetarët presin nga presidentja Atifete Jahjaga që ta kthejë këtë kod prapa në rishqyrtim dhe të mos e nënshkruajë, në mënyrë që ai edhe pas miratimit në Kuvend, të mos fuqizohet. 

Jahjaga: Nuk do të mbahen zgjedhjet serbe në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga,në takimin me shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), Pieter Feith, deklaroi se zgjedhjet lokale të Republikës së Serbisë dhe çfarëdo zgjedhjesh të një shteti tjetër, nuk mund dhe nuk do të organizohen në territorin e Republikës së Kosovës, sepse ato shkelin sovranitetin e shtetit, sfidojnë fuqishëm integritetin territorial dhe provokojnë rritje të tensioneve ndëretnike në Kosovë.
Presidentja Jahjaga dhe Feith diskutuan për situatën e përgjithshme në Kosovë, për përfundimin e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës dhe plotësimin e legjislacionit, sipas Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, që parasheh afatin kohor për përfundimin e kësaj faze.
Presidentja theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës e njohin të drejtën e dyshtetësisë dhe angazhohen për respektimin e normave dhe të konventave ndërkombëtare në rastin e dyshtetësisë, ndërsa duke folur për zgjedhjet lokale serbe në Kosovë tha se nuk do të organizohen në territorin e Republikës së Kosovës, sepse ato shkelin sovranitetin e shtetit, sfidojnë fuqishëm integritetin territorial dhe provokojnë rritje të tensioneve ndëretnike në Kosovë.

Abetarja mbarëkombëtare nga “Dukagjini” dhe “Pegi”

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Shqipërisë kanë përzgjedhur në Tiranë shtëpinë botuese me Kodin 1002 për botimin e Abetares së përbashkët “Shqipëri- Kosovë”, e cila pritet që të jetë e gatshme në fillim të vitit shkollor 2012/2013.
Raportohet se Abetarja fituese është paraqitur nga shtëpia botuese Pegi në Shqipëri dhe ajo Dukagjini e Kosovës. Autorët janë Shezai Rrokaj dhe Mimoza Gjokutaj, ndërsa nga pala kosovare janë Islam Krasniqi dhe Saranda Kumanova.
Zëvendësministri i Arsimit të Kosovës, Nehat Mustafa, dhe zëvendësministri i Arsimit të Shqipërisë, Halit Shamata, kanë marrë pjesë në përzgjedhjen e fituesit për Abetaren e përbashkët Kosovë- Shqipëri.
Në konkurrimin e shpallur nga të dy ministritë përkatëse morën pjesë 7 shtëpi botuese, sipas kushteve të miratuara në paketën informuese. Si kritere kanë qenë: autorët e tekstit të përbashkët duhet të jenë nga të dy vendet dhe botuesit të kenë prodhim të përbashkët.
Në vlerësimin e teksteve të paraqitura morën pjesë 10 vlerësues, nga të cilët 5 janë nga Kosova, 5 janë nga Shqipëria.
Periudha e ankimimit ndaj vendimit të Komisionit mësohet se është deri në datën 30 prill 2012.

Qeveria e preokupuar me veriun e Mitrovicës

Zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Mitrovicës, gjendja e sigurisë dhe investimet socio-ekonomike të qeverisë në atë pjesë të territorit të Kosovës, ishin temat për të cilat u bisedua në takimin Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati.
Kryeministri Hashim Thaçi theksoi se Qeveria ka përcjellë nga afër zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Mitrovicës dhe ka shtuar se në koordinim të plotë me mekanizmat ndërkombëtarë është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për të siguruar një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.
Thaçi potencoi gjithashtu se Qeveria do të vazhdojë me rritjen e mëtejme të investimeve socio-ekonomike në pjesën veriore të Mitrovicës për t’iu mundësuar qytetarëve të Kosovës të kësaj pjesë një të ardhme më të mirë.

Bashkëveprim në veri

Policia e Kosovës do të jetë në bashkëveprim edhe me NATO-n dhe EULEX-in për të vendosur rendin dhe ligjin në veri, tha zëvendësministri i Brendshëm, Izmi Zeka , duke komentuar deklaratën e shefit të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen se Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit nuk ka kapacitete për një gjë të tillë dhe se KFOR-it i ka mbetur barra përsipër. Ndërkaq opozita dhe analistët thonë se deklarata e Rasmussenit tregon se nuk ka një bashkëveprim të institucioneve ndërkombëtare të sigurisë me ato vendore.
EULEX-i e ka mandatin për të vendosur rendin dhe ligjin edhe në pjesën veriore dhe këtë duhet ta bëjë edhe me kapacitetet ekzistuese. Kështu thotë zëvendësministri i brendshëm Izmi Zeka pas deklarimeve të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s se Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit nuk ka burime të mjaftueshme për t’u ballafaquar me situatën në veri. Megjithatë sipas zëvendësministrit Zeka, Policia e Kosovës do të jetë në bashkëpunim me të dyja këto institucione për çfarëdo veprimi në veri, transmeton RTK.
Opozita ndërkaq konsideron se deklarata e sekretarit Rasmussen tregon se EULEX-i nuk do t’i ndihmojë qytetarëve të veriut për të pasur më shumë siguri.
Sipas deputetes së Lidhjes Demokratike, Vjosa Osmani ky është edhe një sinjal më shumë për institucionet e Kosovës se ka ardhur koha që ato të ndërmarrinrendshëm, institucionet e sigurisë nuk e përjashtojnë përdorimin e forcës në veri vetëm pasi të jenë shterur gjitha mjetet tjera.
Ndërsa analisti politik Nexhmedin Spahiu thotë se NATO dhe EULEX e kanë qasjen e përbashkët por ajo që e bënë EULEX-in më pak aktiv është qasja e institucioneve të Kosovës.
Ndaj deklaratave të Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s ka reaguar menjëherë shefja për Politikë të jashtme dhe siguri e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton. veprime konkrete për të mbrojtur jetën e qytetarëve në veri.
Megjithatë,sipas zëvendësministrit të b
Ajo ka thënë se Bashkimi Evropian dhe NATO-ja po diskutojnë mënyrat e bashkëpunimit në pjesën veriore të Kosovës në mënyrë që të ekzistojë plani i veprimit, i cili do mundësonte reagimin adekuat në rast të situatave të paparashikuara në këtë pjesë të vendit.

Drews: KFOR-i përforcohet me 700 trupa rezervë

Deri të premten në Kosovë do të zbarkojnë 700 trupa shtesë të batalionit rezervë të KFOR-it, tha komandanti i KFOR-it Erhard Drews, gjatë një vizite në Podujevë. Duke komentuar kritikat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, Anders Fogh Rasmussen, në adresë të EULEX-it, Drews e ka vlerësuar të mirë bashkëpunimin e KFOR-it me EULEX-in
Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, përveç që ka konfirmuar se do të arrijnë trupat shtesë nuk folur për qëllimin e përforcimit të forcës paqeruajtës dhe nuk ka saktësuar se ku do të sistemohen ata.
Ndërsa duke komentuar deklaratën e Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Anders Fogh Rasmussen se Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë “EULEX nuk ka burime të mjaftueshme” dhe se aleancës ushtarake i është dashur të marrë barrën, Drews vetëm tha se ka bashkëpunim të mirë me EULEX-in.
“Me sa kam kuptuar unë Rasmussen nuk është ankuar për mungesën e koordinimit. Ai është ankuar më shumë për kapacitete e EULEXit dhe unë këtu duhet ta pranoj se sa më të fuqishëm e kam një partner aq më shumë jam i gëzueshëm. Dua të them se ne kemi bashkëpunim të mirë me EULEX-in dhe s’kemi asnjë ankesë” , tha Drews.
Duke folur rreth vizitave të zyrtarëve serbë, të cilët po shfrytëzojnë rrugët alternative në veri për të hyrë në Kosovë, Drews mohoi që KFOR-i nuk i mbyll ato rrugë.
“Rrugët në fjalë do të mbyllen nëse nga ana jonë konstatohet se ato rrugë po shfrytëzohen nga grupet serbe apo të politikanëve që vijnë në veri për ta tensionuar situatën atëherë ne ato rrugë do t’i mbyllim”, tha Drews.
Gjatë takimit me kryetarin e komunës së Podujevës Agim Veliu, komandanti i KFOR-it Erhard Drews tha se është gjendje e qetë dhe nën kontroll përgjatë brezit kufitar me Serbinë.
Në kontingjentin prej 700 trupash rezervë do të jenë ushtarët gjermanë dhe austriakë.

Protestuesit: Terrorizimi është i papranueshëm

Aktet terroriste që kanë ndodhur kohëve të fundit në veri të Mitrovicës kanë sjellë në një protestë në Prishtinë, një grup të organizatave joqeveritare me moton “Stop terrorizmit”, të cilët kanë theksuar se terrorizimi është i papranueshëm për shoqërinë në Kosovë.
Protesta është organizuar në shenjë përkrahjeje ndaj qytetarëve që jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës.
Sipas organizatorët protesta kishte për qëllim shprehjen e pakënaqësinë për moskujdesin institucional për t’u siguruar jetë të qetë dhe të sigurt për qytetarë në veri të Mitrovicës.
Bashkëorganizatori i protestës, publicisti Nexhmedin Spahiu, ka thënë me këtë rast se, qëllimi i kësaj proteste ishte që ta luftojnë terrorizmin si metodë dhe t’u dalin në ndihmë qytetarëve, të paktën ndihmë morale, për të gjithë qytetarët e Kosovës që janë viktimë e terrorizmit.
“Terrorizmi është i papranueshëm për shoqërinë tonë dhe duhet që ta preventojmë. Qëllimi i kësaj proteste ka qenë që të jetë një preventim i akteve të tjera të mundshme për të mos arsyetuar terrorizmin si metodë. Prandaj përgjigjja e qytetarëve në këtë ka këtë kuptim. Nuk duam t’i dhamë protestës një karakter tjetër, përveç kësaj, që ta luftojmë terrorizmin si metodë dhe natyrisht njerëzve të cilët janë viktima të terrorizmit në Kosovë dhe jashtë kanë nevojë për një përkrahje morale dhe kjo protestë është një lloj përkrahje për të gjithë ata të cilët janë të zhgënjyer nga mosveprimi i mekanizmave përkatës për mbrojtjen, për sigurinë e tyre, por të paktën ta kenë përkrahjen e qytetarëve”, ka thënë ai.
Ndonëse kishte numër të vogël të protestuesve, megjithatë Spahiu u shpreh i kënaqur dhe shtoi se tregon edhe numri i pjesëmarrësve në protestë se sa jemi të ndërgjegjshëm si popull.
Ndërsa Shemsi Reçica nga Këshilli Organizativ i protestës dhe ish i burgosur politik, pos kritikave ndaj organeve të shtetit, ai ka shprehur indinjatën e tij edhe ndaj faktorit ndërkombëtar, i cili nuk po bën asgjë për atë pjesë të vendit.
Ai ka thënë se ajo pjesë e Kosovës si dhe popullata e saj po mbahen peng i strukturave serbe, të cilat po dëshirojnë ta mbajnë atë pjesë të destabilizuar me synimin e vetëm që ajo pjesë të jetë e pastër etnikisht.
Reçica ka akuzuar edhe faktorin politik në vend se nuk janë unik në marrjen e vendimeve për Mitrovicën, duke bërë lojë me seanca të jashtëzakonshme dhe, në këtë mënyrë, po përpiqen që të përfitojnë politikisht në atë pjesë të vendit.
Aziz Ademi, qytetar dhe pjesëmarrës në protestë i tha Kosovapressit se do të ishte mirë që Qeveria dhe e gjithë Kosova t’i kushtojnë një rëndësi të veçantë asaj pjese, kur dihet se atje është pasuria e krejt vendit.

Në shtator fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë

Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës miratoi planin e veprimit me të cilin parashihen ndryshimet e 22 amendamenteve kushtetuese. Kryetari i këtij komisioni, Arsim Bajrami tha se me këto ndryshime, të cilat duhet të miratohen deri në 10 shtator, hiqet mbikëqyrja dhe Kosova do ta fitojë pavarësinë dhe sovranitetin e plotë të saj.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, deri më 10 shtator të këtij viti, duhet t`i miratojë të gjitha ndryshimet kushtetuese dhe ligjet në mënyrë që java e dytë e shtatorit të jetë javë përfundimtare e mbikëqyrjes së pavarësisë. Ky konstatim doli nga Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës.
Kryetari Arsim Bajrami e sheh interes vital përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë brenda këtij viti.
“Përgjegjësinë për ta qeverisur Kosovën do ta kenë institucionet tona. Ndërsa, prezenca civile ndërkombëtare ta marrë një rol këshillues dhe jo rol ekzekutiv. Jashtë kësaj skeme është çështja e EULEX-it për shkak se EULEX nuk ka bazë kushtetuese dhe për statusin dhe pozitën e tij do të adaptohet një marrëveshje e veçantë pas përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur”, tha Bajrami, transmeton RTK.
Sipas Bajramit, me këto ndryshime kushtetuese dhe legjislative jepet një garanci më e lartë për respektimin e të drejtave të pakicave që jetojnë në Kosovë.
“Nuk ka asnjë ide që të zvogëlohet ndonjë e drejtë e paraparë me pakon e Ahtisaarit. Pakicat duhet të ndihen të qeta dhe ato janë aktive në këtë proces. Ato duhet ta mbështesin këtë proces dhe nuk duhet të përdorin kurrfarë refuzimi të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë”, tha Bajrami.
Pavarësia e mbikëqyrur nuk do të prekë mandatin e KFOR-it, sepse është mandat në kohë të pacaktuar, por mandatin e prezencës civile ndërkombëtare, udhëheqjen e institucioneve kushtetuese nga ana e tyre dhe institucione tjera që kanë prani të theksuara ndërkombëtare.

Autostradat "bashkohen" deri në fund të majit

Në zonën neutrale të pikëkalimit kufitar Vërmicë-Morinë, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota me drejtuesit e projektit të autostradës nga konzorciumi "Bechtel-Enka", të martën, kanë iniciuar solemnisht shkatërrimin e urës së vjetër dhe ndërtimin e strukturës së re, e cila do të lidh autostradat në të dyja anët e kufirit.
Edhe pse bëhet fjalë për zonën ndërmjet dy shteteve ky projekt do të realizohet në kuadër të projektit të autostradës Vërmicë-Merdarë dhe sipas vlerësimit të ministrit Mujota do të "lidh me një cilësi të re rrugën e kombit".
"Pas shkatërrimit të urës së vjetër do të nis ndërtimi i urës së re, që do të krijoj një qasje më të lehtë për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe ata të Republikës së Shqipërisë, në këtë segment të 'Rrugës së Kombit'", ka thënë ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, i cili për disa sekonda ka drejtuar makinën e rëndë, që shërben për shpimin e betonit dhe asfaltit.
Sipas tij, akti i shembjes së urës së ish-sistemit, paraqet një simbolikë të veçantë, që tregon se perspektiva e integrimeve të Kosovës dhe Shqipërisë është në rritje e sipër, pasi që për "qytetarët e të dyja vendeve, për popujt e të dyja vendeve do të ketë gjithnjë e më shumë lehtësira të komunikimit që qojnë drejt integrimit të natyrshëm përmes rrugës, e cila tashmë po e dëshmon se ka qenë projekt më i duhur dhe më i qëlluar i lidhjes infrastrukturore të një shteti, një kombi dhe të popujve tjerë në rajon", raporton Koha.
Zyrtari i lartë i Qeverisë së Kosovës ka theksuar se punimet brenda zonës neutrale pritet të përmbyllen në fund të muajit të ardhshëm, me synimin që të lehtësohet qarkullimi në muajt e verës.
Ndërsa drejtor i projektit të autostradës në kuadër të "Bechtel-Enka", Mike Mix, ka veçuar si interesante shembjen e urës së vjetër në prag të shënimit të dy vjetorit të fillimit të punimeve në autostradë. "Është një simbolikë që tregon lidhjen dhe kalimin nga e vjetra në të renë", ka thënë ai. Mix ka theksuar se konzorciumi është duke punuar ditë e natë dhe se do të punoj kështu edhe gjatë tërë verës me qëllim të shtrimit të sa më shumë kilometrave të autostradës.