‘Walcott e Van Persie do të nënshkruajnë kontrata të reja’

Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, është i bindur se Robin van Persie dhe Theo Walcott do të nënshkruajnë kontrata të reja me Topçinjtë në fund të sezonit aktual.
Real Madridi dhe Manchester City janë nga skuadrat që kërkojnë shërbimet e Van Persiet, ndërkohë që rënia në formë e Walcott kishte nxitur pakënaqësi te tifozët, duke përhapur spekulime se ai mund të largohet.
“Me Theon dhe Van Persien gjërat do të zgjidhen në fund të sezonit”.
“Po, jam i bindur se do të nënshkruajnë... Duam t’i mbajmë lojtarët tanë më të mirë”, u ka thënë Wenger gazetarëve.

Hoxhaj: Serbia e ka njohur pavarësinë e Kosovës!?

Me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel nga delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, Beogradi e ka njohur “de facto” dhe “de jure” pavarësinë e Kosovës, ka thënë ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një bisedë për agjencinë italiane të lajmeve “Nova”, gjatë vizitës së fundit në Romë.
Hoxhaj ka potencuar se Serbia e ka njohur sovranitetin e brendshëm dhe ndërkombëtar të Kosovës, përmes marrëveshjes mbi menaxhimin e integruar të kufijve.
“Në dhjetor 2011 delegacionet e Serbisë dhe Kosovës kanë nënshkruar në Bruksel një marrëveshje mbi menaxhimin e integruar të kufijve. Bëhet fjalë për një marrëveshje shumë të rëndësishme, sepse në këtë mënyrë Beogradi ka njohur ‘de facto’ e ‘de jure’ ekzistencën e kufijve ndërshtetërorë midis Kosovës dhe Serbisë. Ky është një ndryshim i madh”, ka thënë shefi i diplomacisë kosovare.
“Protokolli teknik parashikon 6 vendkalime kufitare me praninë e njësive policore dhe doganave të Kosovës nga ana jonë dhe nga Serbia nga ana tjetër. Kur Beogradi ka pranuar këtë marrëveshje bilaterale, ka njohur automatikisht edhe sovranitetin e brendshëm të shtetit tonë”, theksoi Hoxhaj.

HRW: Lironi të arrestuarit për motive politike

Serbia duhet menjëherë t’i lirojë dy shqiptarët e arrestuar më 28 mars, si reagim pas katër serbëve të arrestuar në Kosovë. Ky është paralajmërimi i organizatës për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch. Po ashtu, HRW ka kërkuar që edhe Kosova të rishqyrtoj statusin e serbëve të arrestuar.
Më tej, organizata ngritë dyshime se si është e mundur që serbët të bartnin materiale zgjedhore ku mbajtja e tyre më 6 maj është kundërshtuar dhe hedhur poshtë nga të gjithë, transmeton Indeksonline.
“Arsyetimi i mbajtjes në burg të dy shqiptarëve pa arsye ligjore është arbitrare", ka thënë Lydia Gall, nga Human Rights Watch. 

Beogradi heq dorë nga zgjedhjet në Kosovë?!

Beogradi heq dorë nga organizimi i zgjedhjeve lokale në Kosovë, sepse rreziku i sigurisë për mbajtjen e tyre, pa mbështetjen e UNMIK-ut dhe të komunitetit ndërkombëtar, është i madh, shkruajnë mediat serbe duke u thirrur në burime brenda qeverisë.
Sipas gazetës "Novosti", pa mbështetjen logjistike të UNMIK-ut, është i pamundur organizimi i zgjedhjeve në jug të lumit Ibër.
Sipas të njëjtit burim, ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, ka thënë se autoritetet e Beogradit janë në kontakt me UNMIK-un dhe EULEX-in për të mbajtur zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
"UNMIK-u na e ka bërë me dije se ai nuk mund të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Organizimi i tyre është në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet, por duhet marrë parasysh edhe situatën specifike në terren”, ka thënë Bogdanovic, transmeton REL.
Vazhdimësinë e pushtetit vendor në komunat në veri, sipas gazetës "Novosti", Beogradi do ta sigurojë me drejtori të përkohshme.
Ditë më parë, misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, i është përgjigjur negativisht kërkesës së Beogradit për organizimin e zgjedhjeve të tij lokale në Kosovë, duke theksuar si arsye rrethanat në terren.
Institucionet e Kosovës, ashtu si dhe autoritetet ndërkombëtare, kundërshtojnë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës.

Lirohen punëtorët e MPB të Serbisë

Pesë serbët e arrestuar në rajonin e Gjilanit, më 25 shkurt të këtij viti, janë lëshuar sot në liri, ka njoftuar e ashtuquajtura ministri për Kosovën, njoftojnë mediat e Beogradit
Ky burim nuk ka dhënë informacione të tjera, por vetëm ka shtuar se të burgosurit tani janë në rrugë për në shtëpi, transmeton Koha.net.
Katër punëtorë të MPB-së së Serbisë dhe një ofiqar janë arrestuar për shkak të shkeljes së rendit dhe të ligjit në Kosovë
Të arrestuarit janë Zlatko Denic dhe Goran Matropazovic nga Pasjani, Nikola Trajkovic nga Parteshi dhe Dragan Stojkovic nga Budriga, të cilët kanë punuar për dhënien e pasaportave në të ashtuquajturën drejtori policore të Gjilanit me seli në Vranje. Me ta ishte edhe ofiqari Mladen Dimitrijevic nga Pasjani.
Të arrestuarve më 25 shkurt u ishte caktuar paraburgimi 30 ditë. Pas skadimit të këtij afati, ata u dënuan edhe me një muaj burg.
Sot, para afatit, ata u liruan, ndërsa hetimet kundër tyre po vazhdojnë.

DASH: Jo arrestimeve politike

Departamenti amerikan i Shtetit reagoi ndaj arrestimeve të ditëve të fundit nga autoritetet e Kosovës dhe Serbisë.
DASH shprehu shqetësimin lidhur me deklaratat e disa zyrtarëve, të cilët bënë tërthorazi kërcënime se arrestimet janë reciproke ose hakmarrëse.
“Si për të gjitha vendet që aspirojnë të anëtarësohen në strukturat euroatlantike, ne presim si nga Serbia ashtu edhe Kosova të respektojnë shtetin ligjor dhe të mos bëjnë deklarata, apo të kryejnë veprime që shkaktojnë ngritjen e tensioneve”, deklaroi Departamenti i Shtetit, transmeton TCh.
Në njoftim thuhet se Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë ka ofruar gatishmërinë që të krijojë kushte për dyshtetësinë në Kosovë, në mënyrë që qytetarët të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
“Shtetet e Bashkuara shpresojnë që qeveria e Kosovës, e cila ka shprehur gatishmërinë për ta pranuar një ndërmjetësim të tillë, dhe qeveria e Serbisë do ta pranojnë këtë ofertë sa më parë që të jetë e mundur”, përfundon deklarata e Departamentit të Shtetit.
Më herët ishte Brukseli zyrtar që shprehu pakënaqësinë e tij ndaj arrestimeve të shtetasve serbë në Kosovë dhe atyre shqiptarë në Serbi, duke deklaruar se veprimet e tilla dëmtojnë dialogun dypalësh.
Një grup zyrtarësh shprehën zemërimin e tyre, në veçanti ndaj Serbisë, duke i cilësuar arrestimet e dy shtetasve kosovarë si veprime me sfond elektoral.
Vetë ndërmjetësi i BE-së në bisedime, Robert Cooper u bëri thirrje palëve që të vetëpërmbahen dhe të respektojnë angazhimet që kanë marrë përsipër në raundet e mëparshme të dialogut.
Ditën e martë, policia e Kosovës arrestoi katër pjesëtarë të komunitetit serbë, mes të cilëve kryetarin ilegal të komunës së Vitisë, pasi u kapën duke transportuar materiale ilegale zgjedhore.
Arrestimet në fjalë pasuan me arrestimin e dy kosovarëve nga policia serbe në pikën kufitare Dheu i Bardhë.

Mos i lejoni zgjedhjet!

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kërkojnë nga ekzekutivi i vendit që t’i përdorë të gjithë mekanizmat e tij për të parandaluar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.
Madje, ligjvënësit konstatojnë se nëse Qeveria e Kosovës do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe, ajo do të pajtohet që është e paaftë për ta mbrojtur vendin dhe se pajtohet me nëpërkëmbjen dhe shkeljen e sovranitetit dhe integritetit të vendit.
Këto reagime vijnë vetëm një ditë kur Zëri ka raportuar se një zyrtar i lartë ndërkombëtar ka deklaruar në kushte anonimiteti se zgjedhjet nacionale serbe do të mbahen në tërë territorin e vendit dhe se qeveria nuk do t’i parandalojë ato, pavarësisht nga fjalori i ashpër i kryeministrit Hashim Thaçi. 

Opozita mund t’i sjellë probleme partive në pushtet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, dje ka lëshuar kritika në drejtim të opozitës, e cila ka bojkotuar seancën e Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se edhe pa opozitën Kuvendi mund të vazhdojë të mbajë mbledhjet, atëherë kur në sallë janë më shumë se 61 deputetë.
Aktualisht pozita ka shtatë deputetë më shumë se opozita. Analisti Shkëlzen Maliqi konsideron se nëse e tërë opozita është pajtuar për ta bojkotuar Kuvendin, atëherë mund t’i sjellë probleme partive në pushtet.
“Kjo mundet me qenë problem serioz për pozitën”, ka thënë Maliqi për Express, sipas të cilit Kuvendi mund të punojë nëse mobilizohet pozita dhe sjell të gjithë deputetët në seancë.
“Duhet të jetë mobilizimi i plotë i partive në pushtet”, shton ai. “Është njëfarë presioni ndërkombëtar për me i krye disa punë dhe opozita ndoshta e shfrytëzon rastin”.

Thaçi javën tjetër pritet nga Obama

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministrat e kabinetit të tij, Enver Hoxhaj dhe Vlora Çitaku udhëton të martën për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në SHBA Thaçi do të pritet edhe nga kreu i Shtëpisë së Bardhë, presidenti Barack Obama, kanë bërë të ditur për KosovaOnline burime brenda zyrës së kryeministrit.
Delegacioni i Kosovës gjatë kësaj vizite do të zhvillojë takime edhe me zëvendëspresidentin e SHBA-së, Joe Biden, Sekretaren Hillary Clinton, ish sekretaren Madeline Albright dhe kongresistë e senatorë tjerë. Ndërsa, me ftesë të ambasadorit Cristopher Hill do të qëndrojë në Denver, ku do të mbajë ligjërata në dy universitete.
Thaçi në kuadër të vizitës në SHBA do të qëndrojë edhe në New York ku do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon dhe ambasadorë të vendeve të ndryshme në OKB. 

Njerëzit e politikës në Borde, konkursi formal

Veç sa për të përmbushur një formalitet është shpallur konkursi për anëtarë të bordeve të ndërmarrjeve publike qendrore e lokale. Anëtarë bordesh do të bëhen vetëm ata që kanë dekretin e partive në pushtet.
Koha Ditore ka një listë njerëzish të propozuar për borde që ka nxjerrë Koalicioni për Kosovë të Re, i cili është partner kryesore në koalicionin qeverisës me Partinë Demokratike.
Janë 16 ndërmarrje në proces të zgjedhjes së anëtarëve të bordeve, e në secilin KKR-ja do të ketë nga dy njerëz, nga pesë ose shtatë sa kanë gjithsej organet më të larta të këtyre ndërmarrjeve.
Ngaqë KKR-ja ka disa subjekte politike, midis anëtarëve do të ketë nga AKR-ja, PD-ja dhe nga E15-dhshi
Një burim i ka thënë gazetës se KKR-ja ia ka dorëzuar PDK-së këtë listë, ndërsa e kundërta nuk do ka ndodhur. Sipas këtij burimi, PDK-ja ka eksperiencën e mëhershme në dërgimin e njerëzve të saj në këto borde dhe politizimin e tyre e bën në mënyrë të sofistikuar.

Të gjithë kundër KEK-ut, Qeveria hesht

Vazhdojnë mospajtimet dhe kundërshtimet rreth kërkesës për ngritje të çmimit të energjisë elektrike. Ekspertët, shoqëria civile dhe opozita e kundërshtojnë këtë ngritje. Opozita, një kërkesë të tillë e sheh si nevojë e politikës për të mbuluar deficitet buxhetore nga keqmenaxhimi që është bërë viteve të fundit. Ndërsa ekspertët pohojnë se ngritja e çmimit të energjisë do të ndikonte edhe në ngritjen e çmimit të produkteve të tjera, si dhe do ta rriste vëllimin e borxheve të këqija, pasi që qytetarët do të hezitojnë t’i paguajnë faturat, në mungesë të parasë, kur merret parasysh standardi në të cilin jetojmë. Ndërkohë, qeveria ka vendosur të heshtë.
Ndërsa, për konsumatorët, edhe çmimi i tanishëm është i lartë, pothuajse i papërballueshëm për standardin që ata kanë. Ata, gjatë dimrit, kur çmimi për një KW është më i lartë, kanë paguar rreth 70 euro për 1 mijë megavatët e shpenzuar apo edhe 140 euro për ata të cilët i kanë shpenzuar 2 mijë MW, pasi që çmimet gjatë periudhës së dimrit nga 1 tetor deri me 31 mars, janë dukshëm më të larta se ato të zezonit pranveror e që hyjnë në fuqi nga një prilli.
Për qytetarët, ngritja e çmimit të energjisë, në këtë gjendje ekonomike dhe sociale është absurde.
Ndërsa për Sali Sinovcin, i cili është pensionist, këto çmime edhe tani janë të papërballueshme. Ai për këtë, nuk e fajëson vetëm KEK-un, por edhe Qeverinë.“Çmimin e energjisë edhe pa ngritje është shumë i shtrenjtë, për këtë populli i cili është duke vuajtur. Ndoshta nuk ka vetëm KEK-u faj, por ka edhe Qeveria. Edhe populli po vuan, çmimet janë shumë të larta”, tha ai.
Ndërsa për zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), çmimi i energjisë elektrike vazhdon të mbetet më i ulëti në rajon. Madje, sipas tyre, edhe me ngritjen e cila parashihet të ndodh, çmimi tek ne mbetet më i ulëti në rajon.
Viktor Buzhala, zëdhënës i KEK-ut, tha se çmimi mesatar në Kosovë është 5.6 cent për kilovat apo 56 euro për MW dhe se çmimet janë më të ulëta për kategorinë e amvisërisë sesa për biznese. “Kemi një sistem të çmimeve dhe shkon nga shpenzimi më i ultë deri tek shpenzimi i lartë, që shkojnë duke u rritur. Kjo është bërë për të stimuluar kursimin, në mënyrë që të kemi energji elektrike për të gjithë, pasi që ne jemi të detyruar që një pjesë të energjisë elektrike ta importojmë, sepse konsumi tejkalon prodhimin dhe kapacitetet prodhuese në vend”, tha ai.
Buzhala po ashtu pohoi se ka kategorizime dhe nënkategorizime për konsumatorët e amvisërisë dhe bizneseve komerciale dhe se nuk mund të flasë për çmime fikse të biznesit dhe as konsumatorëve, pasi që ekziston një sistem i çmimeve dhe se e tërë kjo varet prej kategorizimit të konsumatorëve, varet se në cilën kategori të rrjetit është, në cilën kategori është i kyçur ai biznes apo ai konsumator.
Ndërsa Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale pohoi se çdo rritje e çmimeve është ngarkesë për qytetarët, sepse nuk ka shumë investime në ngritjen e standardit jetësor të qytetarëve, përkatësisht nuk ka shumë para që ata i fitojnë, duke marrë parasysh që rrogat, janë rritur në janarin e vitit të kaluar dhe ato do të mbesin të ngrira edhe për 2 apo tri vite të tjera.
Sipas Rexhepit, kërkesa për ngritje të çmimit të energjisë prej 23 për qind, është një përqindje shumë e madhe, e cila, jo vetëm që do të reflektojë përmes faturave për energji elektrike, mirëpo do të mund të ndikojë dhe në ngritjen e çmimeve të produkteve tjera. Ai po ashtu pohoi se nëse një ngitje e tillë do të ndodhë, atëherë rrezikon të rritet edhe vëllimi i borxheve të këqija, pasi që konsumatorët mund të mos paguajnë për shkak të mungesës së parasë, duke pasur parasysh standardin në të cilin jetojmë.
“Vetëm me një zvogëlim të borxheve apo rritje të arkëtimit prej 10 për qind, siguron para të mjaftueshme për të mbuluar kërkesën për rritje të çmimit të energjisë elektrike. Ka rezerva, mirëpo forma më e lehtë dhe më e mirë është 23.3 për qindëshi, kërkesa për rritje, e cila rrezikon konsumatorët dhe rrezikon një valë të shtrenjtimeve. Në anën tjetër, rrezikon që të rritet edhe vëllimi i borxheve të këqija, që njerëzit të mos paguajnë për shkak të mungesës së parasë“, tha Rexhepi.
Edhe ekspertët e LDK-së janë shprehur kundër ngritjes së çmimit të energjisë, duke e quajtur këtë propozim të paarsyeshëm dhe politik. Avdullah Hoti, nënkryetar i LDK-së, ka pohuar se nëse do të punohej më një efikasitete më të larë dhe me një efiçiencë dhe përgatitje, jo që nuk do të ngrihej çmimi i energjisë, por do të kishte ulje të tij. Sipas tij, e tërë kjo ka ardhur si pasojë e një kërkese politike për t’i mbuluar deficitet buxhetore nga keqmenaxhimi, i cili është bërë viteve të fundit. “Unë si ekonomist më shumë e cilësoj si rritje e çmimet të energjisë elektrike, sepse janë raportet që qeveria i ka dërguar në FMN, në të cilën është zotu se për të zvogëluar subvencionet që tash i jep për KEK-un do i rris çmimet e energjisë elektrike. Do të thotë nuk është një kërkesë që ka ardhur nga KEK-u për t’i mbuluar kostot e mirëmbajtjes dhe prodhimit të energjisë elektrike, por më shumë është një kërkesë politike për të mbuluar deficitet buxhetore nga keqmenaxhimi që është bërë në dy - tri viteve të fundit”, ka thënë Hoti.
Edhe pse zyrtarë të KEK-ut pohojnë se çmimet e energjisë janë më të ulëtat në rajon, kjo nuk qëndron duke marrë parasysh të ardhurat për kokë banori dhe papunësinë në vendin tonë. Kosova vazhdon ta ketë nivelin më të ulët të Bruto Prodhimit Vendor (BPV) për kokë banori në Evropë, që dëshmon njëherësh edhe popullsinë më të varfër në rajon dhe më gjerë.
Përderisa Kosova ka 2. 338 euro të ardhura për kokë banori në vit dhe mbi 40 për qind numrin e të papunëve, çmimet e energjisë i ka pothuajse të ngjashme apo edhe më të larta se vendet e rajonit, kur kemi parasysh të ardhurat për kokë banori që vendet përreth nesh i kanë dhe përqindjen shumë më të ulët të të papunëve.
Çmimet e tanishme në Kosovë pa rritjen e kërkuar nga KEK-u, janë shumë të larta për xhepin e qytetarit të varfër të këtij vendi. Çmimet deri në 200 KW të shpenzuara janë 4.64 cent për KW, prej 200 deri në 600 KW janë 6.43 cent dhe mbi 600 KW janë 9.33 cent.
Ndërsa sipas të dhënave të FMN-së Serbia e ka GDP për kokë banori në vit 10.661 dollarë dhe një përqindje të papunësisë prej 23.7 për qind. Ndërsa tarifat e energjisë i ka të ngjashme me Kosovën, apo edhe më të ulta duke pasur parasysh standardin që ka dhe të ardhurat për kokë banori. Në Serbi tarifat deri në 350 KW janë 4.3 cent, nga 350 deri në 1600 KW janë 6.5 cent dhe mbi 1600 KW janë 13.1 cent.
Edhe Kroacia si vend me një standard mjaftë të lartë, ku të ardhurat për kokë banori janë 18.338 dollarë dhe me një shifër prej 16.8 për qind të të papunëve, çmimet e energjisë i ka pothuajse të ngjashme me Kosovën e varfër , me një papunësi prej mbi 40 për qind dhe me të ardhura për kokë banori vetëm 2.383 euro. Tarifat e energjisë elektrike në Kroaci janë në një mesatare prej 10 cent për KW dhe se ato fillojnë nga 4. 5 cent deri në 12 cent varësisht prej KW të shpenzuar. 

Spanja miraton buxhetin e shkurtuar

Qeveria spanjolle miratoi projektin e saj për buxhetin e vitit 2012, që planifikon më tepër se 27 miliardë euro mes kursimeve dhe të ardhurave të reja, veçanërisht me anë të ngrirjes së pagave të nëpunësve dhe uljes së buxheteve të ministrive mesatarisht 16.9 për qind.
Qeveria spanjolle miratoi projektin e saj për buxhetin e vitit 2012, që planifikon më tepër se 27 miliardë euro mes kursimeve dhe të ardhurave të reja, veçanërisht me anë të ngrirjes së pagave të nëpunësve dhe uljes së buxheteve të ministrive mesatarisht 16,9 për qind.
"Ne jemi përballë me një situatë ekstreme", deklaroi zëdhënësja e qeverisë, Soraya Saenz de Santamaria pas Këshillit të Ministrave dhe detyrimi ynë i parë është që t'i kthehemi llogarive publike të konsoliduara, ndërsa Spanja është angazhuar të reduktojë deri në fund të vitit 2012 deficitin e saj publik, nga 8.51 për qind në 5,3 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto.
"Por ky objektiv do të arrihet jo me çdo çmim", tha ajo, duke theksuar nevojën për të mbështetur ata që kanë më tepër nevojë dhe mos të paralizojmë rritjen dhe krijimin e vendeve të punës, në një vend me një normë papunësie rekord, 22,85 për qind. "Kështu që, ne kemi marrë vendimin për të mbajtur rivlerësimin e pensioneve, të ngrimë pagat e nëpunësve në vend që t'i ulim ato, përfitimet e papunësisë dhe shpenzimet sociale, veçanërisht bursat", theksoi ajo.

Paga mesatare në Kosovë - më e ulëta në Evropë

Paga mesatare në Kosovë llogaritet në bazë të pagës mesatare në sektorin publik, për shkak se mungojnë të dhënat për pagat në sektorin privat. Paga mesatare në sektorin publik në Kosovë, sipas të dhënave të dhjetorit të vitit 2011 të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 368 euro.
Drejtori i Departamentit të Politikave Sociale në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Bashkim Bellaqa, thotë për Radion Evropa e Lirë se paga mesatare në sektorin publik nga viti 2007 deri në vitin 2011 është rritur për 169 euro (84 për qind).
Njohësit e çështjeve ekonomike kanë kërkuar që paga të caktohet në bazë të nivelit të çmimeve, sepse në Kosovë, proporcioni mes nivelit të çmimeve dhe pagave është shumë i lartë. Ata kanë theksuar se pagat mesatare në Kosovë janë të nivelit të ulët, madje nuk mjaftojnë për një jetë të dinjitetshme.
Krahasuar me vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, apo Mali i Zi, sipas drejtorit të Departamentit të Statistikave Sociale, Bashkim Bellaqa, Kosova ka pagën mesatare më të voglën në rajon.
Me një vendim të Qeverisë së Kosovës, pagat në sektorin publik ishin rritur në vitin 2011. Sipas këtij vendimi, i cili kishte hyrë në fuqi më 1 janar të vitit 2011, punonjësit në sektorin publik kanë filluar të marrin paga me ngritje nga 30 deri në 50 për qind.
Drejtori ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara (GAP), Agron Demi, thotë për Radion Evropa e Lirë thotë se pas kësaj rritjeje të pagave në sektorin publik, kishte pasur ngritje të çmimeve të konsumit dhe një mori vendime të Qeverisë së Kosovës, të cilat kishin ndikuar që kjo pagë mesatare mos të reflektojë në rritjen e fuqisë blerëse.
Po ashtu, Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, i cili është aprovuar në vitin 2008, sipas Demit, favorizon ata që kanë paga më të larta, kurse i ngarkon ata që kanë paga më të ulëta. Po ashtu, ai thekson se jo gjithçka varet edhe nga politikat qeveritare, për shkak se Kosova ka një ekonomi të hapur dhe një deficit të lartë tregtar dhe çdo lëvizje e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ndikon në ngritjen e çmimeve në Kosovë.
“Krejt kjo bën që ky nivel i pagës të jetë shumë i ulët dhe të mos e mbulojë as koston elementare të jetës në Kosovë”, thotë Demi.
Ndryshe, të dhënat e fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregojnë se shporta e konsumit u shtrenjtua për rreth 3 për qind në muajin janar, në krahasim me fillimin e vitit të kaluar, ndërsa në krahasim me dhjetorin, artikujt e nevojshëm të konsumit u shtrenjtuan për 0.7 për qind. 

KE: Kriza tkurri për 15 % ekonominë greke

Ekonomia greke është tkurrur me 15 për qind që nga fillimi i krizës, tregon raporti tremujor i Komisionit Evropian (KE). Sipas raportit, në Greqi nëntë muajt e parë të vitit 2011 u humbën 370.000 vende pune. Numri i të papunëve shumëvjecar u rrit në 9,1 për qind numrit të të papunëve.
Rritjen më të madhe të papunësisë në Bashkimin Europian e kishin Irlanda, Greqia, Spanja, Letonia dhe Bullgaria.
Raporti vëren se papunësia në BE në veçanti godet të rinjtë (të moshës 15- 24 vjeç) dhe në shumë vende mesatarisht ka arritur në 22.4 për qind, ndërsa në vende si Greqia dhe Spanja rreth 50 për qind.
Në Greqi, papunësia e të rinjve në muajin nëntor të 2011-ës arriti në 48 për qind, që është dy herë më e lartë nga sa ishte dy vjet më parë.
Paralelisht, një rënie prej 9.3 për qind u regjistrua në vitin 2010 edhe në të ardhurat familjare. Në kufirin e varfërisë jeton 27 për qind e popullsisë në Greqi, ndërkohë që kufiri mesatar në BE është 23.4 për qind.
Rreth 5 për qind nga 19 për qind në vitin 2007 dhe 24 për qind në vitin 2010 u rrit numri i grekëve që në fund të muajit e kanë të vështirë për të përmbushur detyrimet e tyre financiare. 

Pato luan ndaj Barcës

Alexandro Pato do të jetë në dispozicion të Milanit për ndeshjen kthyese të çerekfinales së Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës.
Braziliani vazhdimisht po ka probleme me lëndime, ndërsa së fundmi është dërguar në SHBA për t’u mjekuar.
“Pato është shumë mirë. Ai është në formë të mirë dhe mendoj se i kemi gjetur përgjigjet që na nevojiteshin”.
“Ai është i gatshëm të luajë kundër Barcelonës të martën dhe me siguri do të jetë në dispozicion të Allegrit”, ka konfirmuar profesor Jean Pierre Meersseman për to Sky Sport Italia.
Milani dhe Barcelona luajtën pa gola në takimin parë çerekfinal që u zhvillua në San Siro, ndërsa ndeshja e kthimit në Camp Nou do të vendosë se kush do të kualifikohet në gjysmëfinale. 

Blutë të pakënaqur me orarin e Kupës FA

Trajneri i Chelseat, Roberto Di Matteo, ka bërë të ditur se klubi është i zhgënjyer dhe i nevrikosur me vendimin që ndeshja gjysmëfinale e FA Cup kundër Tottenhamit të zhvillohet me 15 prill (e diel).
Takimi është caktuar të zhvillohet vetëm tri ditë përpara sfidës së mundshme gjysmëfinale të Chelseat në Ligën e Kampionëve kundër Barcelonës ose Milanit.
Sipas tij, data më e përshtatshme do të ishte 13 prilli (e premte), në mënyrë që të kishte më shumë hapësirë mes ndeshjeve vendimtare.
“Shikoni federatat tjera: Ata u japin ekipeve të tyre përgatitjen më të mirë të mundshme”, ka thënë Di Matteo për The Guardian, duke shtuar se çdo ditë shtesë është shumë e rëndësishme. 

Maxi Lopez dëshiron të qëndrojë te Milani

Sulmuesi i huazuar te Milani, Maxi Lopez, dëshiron t’i bindë Rossonerët që ta mbajnë atë edhe pas përfundimit të sezonit aktual- ka thënë agjenti Andrea D’Amico.
Argjentinasi në janar braktisi Catanian për ta treguar veten te lideri i Serie A deri në qershor, ndërsa tani dëshiron që të qëndrojë më gjatë.

“Kthimi te Catania? Është i mundur, duke qenë se ai është vetëm i huazuar te Milani”.
“Megjithatë, është opsioni i blerjes dhe Maxi po punon për t’i bindur drejtorët e Milanit që të mbështeten tek ai në sezonin e ardhshëm”, ka thënë D’Amico për Radio Sportiva. 

Del Bosque: Golat e Raul, burim kënaqësie

Vicente del Bosque ka thënë se nuk ndjen presion për përfshirjen e sulmuesit të Schalkes, Raul, në përfaqësuesen e Spanjës për Kampionatin e ardhshëm Evropian.
Legjenda madrilene ka kaluar një formë të shkëlqyer te klubi gjerman këtë edicion duke shënuar 17 gola në të gjitha garat, ndërsa dy golat e shënuar kundër Athletic Bilbaos, kanë shtuar zërat se 34-vjeçari duhet të jetë në Euro 2012.
Në vitin e kaluar trajneri Del Bosque nuk e ka mohuar mundësinë që Raul (i cili nuk ka luajtur për Spanjën nga viti 2006) të kthehet në përfaqësuese, ndërsa të njëjtën gjë e ka bërë edhe gjatë një prononcimi më të ri.
“Paraqitjet e tij nuk shkaktojnë presion tek unë, ata janë burim kënaqësisë”.
“Ai e përfaqëson shumë mirë futbollin spanjoll në Gjermani dhe po luan në të njëjtin nivel sikurse sulmuesit e mëdhenj në Evropë”, ka deklaruar Del Bosque për Europa Press.

Mancini: Nuk i besoj Balotellit

Trajneri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka pranuar se nuk mund t’i besojë Mario Balotellit në momentet vendimtare për titull.
Pas lëndimit të Sergio Agueros dhe mungesës së golave të Edin Dzekos, trajneri italian ka krizë në sulm, pasi atë duhet t’ua besojë dy lojtarëve problematikë, Carlos Tevez dhe Mario Balotelli.
“Unë nuk i besoj Marios, por ai është i tillë. Nuk mendoj se dikush mund t’i besojë Marios”.
“Ai mund të shënojë me lehtësi dy gola ndaj Sunderlandit ose në ndeshjen e ardhshme ndaj Arsenalit. Mirëpo, ne nuk mund t’i besojmë atij”.
“Ai është një top-lojtar, mund të bëjë gjithçka në një ndeshje. Mund të shënojë tre gola, por mund të marrë edhe karton të kuq”, ka deklaruar Mancini.

Murray-Djokovic, finalja në Miami

Novak Djokovic ka triumfuar kundër Juan Monacos në ATP turneun nga kategoria Masters 1000 në Miami.
Tenisti numër një në botë regjistroi fitore prej 2-0 në sete (6-0, 7-6) për të siguruar finalen e kësaj gare.
Në finale është kualifikuar edhe bartësi i katërt, Andy Murray, i cili arriti atje pa luftë, duke qenë se Rafael Nadal u tërhoq për shkak të lëndimit të gjurit.
Murray e Djokovic janë përballur vetëm dy herë në këtë garë dhe kanë nga një fitore secili.

Mourinho kërkon fitore në ndeshjen e vështirë ndaj Osasunas

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, pret një ndeshje të vështirë ndaj Osasunas në Pamplona.
“Pres që Osasuna të luajë siç luan gjithmonë. Ata luftojnë, janë agresivë, luajnë një lojë përpara dhe kanë mbështetjen e publikut”.
“Është shumë e vështirë për të gjitha ekipet që luajnë në Pamplona, por ne duam të fitojmë sepse duam t’i arrijmë objektivat tona”.
“Kanë mbetur edhe nëntë ndeshje për t’u luajtur dhe kjo është e para nga to, ne duam të fitojmë. Thjeshtë do të mundohemi të bëjmë një paraqitje të mirë”, ka deklaruar portugezi para gazetarëve. 

Villa: Jam pranë kthimit

Sulmuesi i Barcelonës, David Villa, ka deklaruar se është pranë që t’i japë fund periudhës së gjatë të lëndimit, që po e mban jashtë fushe që nga muaji dhjetor.
“Jam vërtet entuziast dhe jam angazhuar shumë në fazat e fundit (të riaftësimit) me shumë punë, çdo ditë që nga fillimi”.
“Jam shumë i lumtur, i gjallë, gazmor dhe energjik. Po e shoh dritën në fund të tunelit dhe jam i gatshëm që ta shijoj sërish futbollin”, ka thënë spanjolli për faqen zyrtare të klubit. 

Ronaldo: Ende nuk e kam arritur kulmin

Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka deklaruar se ende ka shumëçka për t’i dhënë futbollit.
Portugezi arriti suksese të mëdha me Manchester Unitedin, duke fituar, mes tjerash, Ligën e Kampionëve dhe Topin e Artë, ndërsa kalimi i tij te Real Madridi kushtoi 94 milionë euro.
Edhe te Mbretërit ai po shkëlqen, dhe nga viti 2009 ka shënuar 131 gola në 132 paraqitje në të gjitha garat.
“Ende nuk e kam arritur kulmin e karrierës. Kjo është krejt relative. Viti tjetër mund të jetë në nivelin më të mirë mental, por duke mos shënuar aq shumë gola”.
“Ai që jam sot reflekton gjithë atë që kam përjetuar. E kam merituar këtë që kam, sepse kam punuar shumë. Asgjë nuk ka ndodhur rastësisht. E gjitha ishte përpjekje, përkushtim dhe pak fat”, ka thënë Ronaldo për TVI.

Del Piero kishte refuzuar Barcën dhe Unitedin

Ish-agjenti i Alessandro Del Pieros ka deklaruar se në të kaluarën ikona bianconere ka refuzuar Barcelonën dhe Manchester Unitedin për të qëndruar te Juventusi.
37-vjeçarit i është thënë se nuk do t’ia vazhdojnë kontratën, e cila skadon në fund të sezonit aktual, ndërsa Claudio Pasqualin ka folur për besnikërinë e kapitenit ndaj klubit të tij, duke thënë se mendon që drejtuesit e Juves duhet ta mbajnë atë ende në skuadër.
“Del Piero është Juventusi. Gjatë momenteve më të mira të karrierës së tij, ai e ka refuzuar Manchester Unitedin dhe Barcelonën. Ai e bëri këtë për dashuri (ndaj klubit)”.
“E ardhmja e tij duhet të jetë Juventusi. Shpresoj që Agnelli do ta ndryshojë vendimin që ka marrë. Shpresoj që ai të luajë edhe për një sezon dhe pastaj të marrë një rol drejtori në klub. Juventusi nuk do të gabonte me mbajtjen e tij”.
“Kjo ndodhi edhe me Pavel Nedvedin. Del Piero është pjesë e historisë së Juventusit, prandaj ai duhet të qëndrojë”, ka thënë Pasqualin për TMW.

Dortmundi bën gabim

Dortmundi ka bërë gabimin e radhës duke barazuar në shtëpi ndaj Stuttgartit në një supersfidë ku u shënuan plot tetë gola, po që përfundoi pa fitues me rezultat 4-4.
Në fillim nuk kishte gola, por gjithçka filloi pas gjysmë ore lojë (33’) kur Shinji Kagaëa realizoi për 1-0 dhe epërsinë e Dortmundit pas pjesës së parë.
Me të filluar fraksioni i dytë, Blaszczykoëski shënoi për 2-0 (49’), duke i bërë të gjithë të mendojnë se gjithçka përfundoi. Në fakt, kështu nuk menduan mysafirët.
Brenda tetë minutave, Ibisevic (71’) dhe Schieber me dy gola (77’ dhe 79’) e kthyen epërsinë në të mirë të Stuttgartit.
Vendasit nuk u dorëzuan dhe Mats Hummels barazoi shifrat (81’), për t’i dhënë shpresë tifozëve për fitore. Në minutën e 87-të Ivan Perisic shënoi atë që u mendua se ishte goli i fitores për 4-3, por fjalën e fundit në këtë takim e kishte Christian Gentner i cili shokoi të gjithë duke shënuër për 4-4.
Me këtë barazim Dortmundi ka 63 pikë në tabelë tetë javë pa përfunduar sezoni në Bundesliga, përderisa Bayerni me një fitore eventuale të shtunën ndaj Nurnbergut në transfertë do të afrohej në vetëm tri pikë. 

Alves lëvdon miqësinë me Messin

Mbrojtësi i Barcelonës, Daniel Alves, beson se Barcelona është duke përfituar nga marrëdhëniet e shkëlqyera të tij me bashkëlojtarin Lionel Messi.
“Që nga kontakti i parë që kemi pasur, ne kemi krijuar miqësi shumë të mirë. Raporti ka arritur të prodhojë rezultate në fushë. Çfarë kemi bërë i ka ndihmuar shumë ekipit”.
“Ne nuk kemi nevojë që të shikojmë fare, sepse e dimë ku mund ta gjejmë njëri-tjetrin. Por, me rëndësi është lloji i personit që ai është. Unë kam pasur kënaqësinë të takoj familjen e tij, që është tepër bujare dhe i takon klasës punëtore”, ka deklaruar Alves. 

Winslet: Më vjen të vjell nga “My Heart Will Go On”

Kënga nga hit-filmi “Titanic”, “My Heart Will Go On”, është nja nga më të shiturat e të gjitha kohërave, megjithatë ajo nuk i pëlqen aspak aktores kryesore të filmit, Kate Winslet.
Winslet ka thënë se kënga e Celine Dion, e cila te shumëkush prek emocionet më të thella, asaj i shkakton mundim në bark.
“Kam ndjenjën se do të vjell kur e dëgjoj. Nuk duhet ta them këtë, mirëpo vërtet ndjehem ashtu. Do të dëshiroja që të mund të them: ‘Dëgjojeni të gjithë, ajo është këngë e Celine Dion”, por thjeshtë nuk mundem”, ka thënë aktorja për MTV.
Edhe pse kënga “My Heart Will Go On” u bë një hit i madh dhe mes tjerash fitoi edhe çmimin Oskar, njohësit e muzikës edhe më herët e kanë kritikuar. Për rokerët e grupit “Rolling Stones”, ajo është një nga këngët më të këqija të viteve të nëntëdhjeta. 

Vazhdimi i dytë i filmit “Twins”

Mediat amerikane raportojnë se ekziston mundësia që të xhirohet vazhdimi i filmit “Twins” me Arnold Schwarzeneggerin dhe Danny DeViton në rolet kryesore.
Sipas Huffington Post, regjisori i këtij filmi planifikon ta angazhojë edhe komikun Eddie Murphy.
Schwarzenegger dhe DeVito do të luanin sërish binjakët me dukje dhe karakter tërësisht ndryshe nga njëri-tjetri, ndërsa Murphy do të paraqitet së vëllai i tretë.
Komedia “Twins” filloi shfaqjen nëpër kinematë amerikane në dhjetor të vitit 1988, ndërsa përfitoi rreth 216 milionë dollarë anembanë botës, derisa për xhirimin e filmit ishin shpenzuar 15 milionë dollarë.

Williams do të bëhet baba

Robbie Williams ka njoftuar në ueb-faqen zyrtare se ai dhe gruaja e tij, Ayda Field, po presin fëmijën e parë së bashku.
“Do të kemi foshnje! Unë dhe Ayda do të bëhemi prindër këtë vit”.
“Tashmë jam i dashuruar në atë personin e vogël që po rritet në barkun e nënës. Mezi pres të bëhem baba”, ka shkruar këngëtari britanik.
Çifti është martuar në vitin 2010, ndërsa ky është fëmija i tyre i parë. 

Pas zënkës le të pasojë seksi!

Nëse për ndonjë arsye ziheni me partnerin, pas kësaj duhet të bëni marrëdhënie seksuale. Seksi pas një zënke është më i miri!
Ata të cilët fillojnë marrëdhëniet seksuale pas ndonjë mosmarrëveshjeje, pohojnë se seksi në këtë moment është shumë i mirë, eksploziv dhe i jashtëzakonshëm.
Megjithatë, nuk janë të paktë edhe ata që thonë se një veprim i tillë është jashtë çdo rregulli, pasi që ata as që mund të mendojnë për seks pas përleshjeve që kanë pasur njëri me tjetrin
Arsyeja pse rekomandohet marrëdhënia seksuale pas ndonjë zënke, është se gjatë ‘përleshjes’ rritet niveli i testosteronit- hormon përgjegjës për dëshirën seksuale dhe epshin. Prandaj në një moment të tillë mjafton prekja e kokës që të nxitë dëshirë seksuale, me ç’rast njeriu dëshiron ta zbrazë nivelin e lartë të testosteronit të grumbulluar. Ndërsa mënyra më e mirë për lirimin e këtij hormoni është seksi.
Mosmarrëveshjet dhe tradhtia
Në rastet kur partnerët shumë shpesh zihen me njëri-tjetrin, vjen deri te tradhtia. Kjo tradhti nuk është domosdoshmërisht pasojë e zënkës dhe temës që bart mosmarrëveshja, mirëpo është pasojë e rritjes së nivelit të testosteronit, i cili në asnjë mënyrë nuk mund të eliminohet.
Gjatë zënkës, niveli i testosteronit rritet shumë, gjë që pasohet me rritje të epshit. Meshkujt që shumë zihen, ecin sikur bomba të tempuara dhe kërkojnë shansin e çlirimit, dhe kështu tradhtojnë.
Një mënyrë tjetër për largimin e testosteronit
Ekziston edhe një tjetër mënyrë për të eliminuar testosteronin. Ata të cilët zënka nuk i bën të kërkojnë marrëdhënie seksuale, mund të eliminojnë testosteronin duke u pajtuar dhe duke u përkëdhelur. Afërsia dhe përqafimi do të eliminojnë sasinë e tepërt të testosteronit.