“Zi e terr” për Onkologjinë

Instituti Onkologjik vazhdon të mbetet instituti më i “errët” i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Që nga periudha kur për këtë Institut kishte filluar të ndërtohet një objekt “modern”, deri tash janë evidencuar, ose të paktën janë raportuar një “mal” parregullsish dhe pafatsish për funksionim.
Përveç objektit, i cili është konsideruar se nuk i plotëson kushtet për një institut onkologjik, së fundi është raportuar edhe për sabotim aparaturash, blerje të aparaturave të vjetra në vlerë tre herë me shtrenjta se të rejat dhe për shantazh.
Dhe si pasojë e këtyre hetuesit e EULEX-it kanë filluar matjet e reja, të cilat do të tregojnë nëse objekti do të jetë në gjendje që të mos e përçojë radio-aktivitetin jashtë tij. Këtë hetim të EULEX-it për RTK-në e ka konfirmuar edhe ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.
“Tani është ngritur dyshimi që objekti si objekt a është i gatshëm që në situatë të një avarie, aksidenti më serioz a mund të përmbajë tërë radioaktivitetin që do të prodhohej në atë rast. Pra, a mos do të ketë rrëshqitje të themi ashtu ose dalje të rrezatimit jashtë objektit. Jemi në fazën e grumbullimit të dokumentacionit, natyrisht në përputhje me Prokurorinë e EULEX-it, nëse nuk ekziston ky dokumentacion, nuk jemi të interesuar të rrezikojmë shëndetin e popullatës”, tha Agani.
Ish-drejtori i diagnostikës, Xhavit Bicaj, ka kërkuar nga QKUK dhe MSH që sqarohen një varg parregullsish që kanë ndodhur gjatë dhënies së tenderëve për blerjen dhe mirëmbajtjen e aparaturave të vjetra të Onkologjisë.
Letra e Bicajt, të cilën e ka siguruar “Zëri”, flet për tenderimet e udhëhequra në QKUK, gjatë 2-3 vjetëve të fundit, lidhet me Radiologjinë dhe ndërtesën e Institutit Onkologjik.
Ai thotë se në kohën e ish-drejtori të QKUK-së, Ali Sadrisë, është lëshuar një tender prej 270 mijë eurove, për 2 CT të vjetra “Shimatzu”, ku në kuadër të këtij tenderi është dërguar në QKUK një CT njështresore dhe është servisuar një e vjetër nën emergjencë. E gjithë kjo punë, sipas Bicajt, po ta bënin institucionet private nuk do të kushtojë më shumë se 60-70 mijë euro.
“Në kohën e po të njëjtit drejtorë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, më 13.03.2011, ndahet një tjetër tender në vlerë prej rreth 830 mijë euro, i cili i jepet kompanisë ‘Medika’, kompani që në 95 për qind të rasteve i ka fituar tenderët e MSH-së, ku zonja e pronarit dr. Shqipja punon si zyrtare e lartë në këtë Ministri”, thuhet ndër tjerash në letrën e tij, dërguar, drejtorit të QKUK-së, sindikatave shëndetësore dhe komisionit disiplinor të QKUK-së.
Prej kësaj shume, mbi 400 mijë euro kanë qenë të dedikuara për aparatet e radioterapisë, aparate të cilat “deri më sot mrizojnë në ndërtesën e Institutit, që nga viti 2009”, sqaron Bicaj.
Kurse pjesa tjetër e mjeteve, sipas tij, janë destinuar për : CT-64, aparat i cili që nga marsi i vitit të kaluar deri më sot kryesisht nuk ka punuar; MRI-1.5 Tesla, aparat që ka qenë shumë shpesh në defekte; CT - 6 në emergjencë, po ashtu shpesh me defekte; Gama kamera, aparat që ka funksionuar mirë, por përkundër kësaj për të janë destinuar 40 mijë euro për servisim, që i bie 200 euro në ditë; si dhe CT në spitalet rajonale në Pejë, Prizren dhe Gjilan, për situatën e të cilave nuk dihet asgjë.
Bicaj jep edhe një të dhënë për tenderin e fundit dhënë për funksionalizimin e Institutit Onkologjik në QKUK, në vlerë prej afër 300 mijë euro, dhënë në tetor të vitit të kaluar kompanisë hungareze ‘Medcenter’, që sipas të dhënave të Odës ekonomike të Hungarisë, kjo kompani është organizatë joprofitabile, që sipas ligjeve në Kosovë, nuk ka drejtë të ofertojë.
Bicaj, përveç këtyre të dhënave ka bashkangjitur edhe kopjet e kontratave që i përmend që ka të bëjë me: aktin e firmosje së tenderit për funksionalizimin e Institutit Onkologjik, kontratën për mirëmbajtjen e aparaturës radiologjike në QKUK dhe spitalet rajonale dhe kopjen e nxjerr nga Oda Ekonomike e Hungarisë për kompaninë ‘Medcenter’.
Ndonëse tregohet se kjo letër ka mbërritur te drejtori i QKUK, Njazi Gashi, ky i fundit nuk ka pranuar të flasë për ‘Zëri-n’. Edhe zëdhënësja e tij, Mirlinda Çucalla nuk ka kthyer përgjigje për disa ditë.
I vetmi që ka dhënë mendim për këto informata është Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, i cili po ashtu ka pranuar letrën e Bicajt.
“Nëse janë të vërteta të gjitha këto që Bicaj i thotë, normalisht që çështja është shumë serioze dhe duhet dënuar”, tha Syla.
Sa i përket Institutit të Onkologjisë, Syla tha se prej fillimit kur ka nisur ndërtimi procedurat nuk kanë shkuar në rregull dhe keqpërdorimet kanë qenë të mëdha, e fatkeqësisht askush nuk është dënuar.

Jahjaga: Vepra e dëshmorëve udhërrëfim i përjetshëm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ndodhet për vizitë në SHBA, i është drejtuar me një telegram familjes Jashari, me rastin e përvjetorit të betejës së lavdishme të 5, 6 e 7 marsit 1998.
Në telegram thuhet “Në pamundësi për të marrë pjesë në Manifestimin e Epopesë së UÇK-së për shkak të vizitës jashtë shtetit, me pietet të lartë ju shpreh nderimet dhe respektin për veprën e lavdishme të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Heroit të Popullit, Adem Jashari, sakrificës sublime të familjes Jashari dhe të të gjithë dëshmorëve të UÇK-së që simbolizohet në këtë ditë të madhe”.
Më tej, në telegram thuhet se përkushtimi i heronjve dhe atdhedashuria, mbesin udhërrëfim për ne, janë bazament i shtetësisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës, i lirisë që gëzojmë sot.
“Ne në punën tonë inspirimin dhe forcën për të ecë përpara dhe për t’i kapërcyer të gjitha vështirësitë, e marrim tek këta heronj, te këta bijë dhe bija më të shtrenjta të Kosovës. Vepra e dëshmorëve është udhërrëfim i përjetshëm i gjithë neve”, shprehet Jahjaga.

Sektorin privat në Eurozonë e rrok recesioni

Rënia e ndjeshme e aktivitetit ekonomik të sektorit privat në Itali dhe në Spanjë rrëzuan indeksin menaxherial të Eurozonës në territor negativ për muajin shkurt, duke shuar të gjitha shpresat për shmangie të recesionit nga rajoni i monedhës së përbashkët. Në ekonominë më të shëndetshme të Eurozonës, Gjermani, ekonomia regjistroi rritje por në një normë më të ulët ndërsa Franca kaloi në stanjacion.
Indeksi i përbërë menaxherial i Markit për Eurozonën, që mat aktivitetin e sektorit të shërbimeve dhe të prodhimit ra në 49.3 pikë për muajin Shkurt kundrejt 50.4 në muajin Janar. "Në këtë fazë vlerësimi më optimist për ekonominë e Eurozonës në këtë tremujor është rënia me 0.1 për qind,” tha Chris Williamson.
Por analistët në tregje kanë parashikuar që Eurozona të bjerë me 0.2 për qind në këtë tremujor të parë për të zhytur rajonin në recesionin e dytë në tre vitet e fundit.

Policia serbe kthen prapa delegacionin e AKB-së

Promovimi i organizimit “Javët e Biznesit Kombëtar” nuk kanë mundur të behet edhe në Luginën e Preshevës ashtu si në Shqipëri e Mal të Zi. Kjo për shkak se Delegacionin e Aleancës Kosovare të Biznesit Policia Serbe nuk e ka lënë që të futet në Preshevë, nga pika kufitare te Dheu i Bardhë.
Kryetari i AKB-së Agim Shahin thotë se qëllimi i vizitës së delegacionin të AKB-së ka qenë promovimi i biznesit kombëtarë sikur në qendrat tjera të banuar me shqiptar edhe ën Luginë të Preshevës.
“Ky është një akt i paprecedent, skanandal për Serbinë e cila nuk po respekton marrëveshjet e nënshkruar me Prishtinën”, ka thënë Shahini.
Një fat të tillë sikurse delegacioni i AKB-së 16 anëtarësh e ka pasur më herët edhe Ministri i Diasporës Ibrahim Makolli.

De Laurentiis: Hamsik e Cavani nuk largohen

Presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis, dëshiron t’i mbajë në skuadër dyshen sulmuese Edinson Cavani dhe Marek Hamsik.
Që të dy lojtarët janë lidhur me një largim në fund të këtij sezoni, me shumë klube evropiane që kanë shprehur interesim për ta.
“A kanë para klubet angleze dhe spanjolle ta blejnë Cavanin? Do të shohim. Ne së fundi kemi harxhuar shumë para në Vargas dhe presim ai të zhvillohet si lojtar”.
“Ne kemi paguar shumë për të, andaj çdokush që e dëshiron Cavanin do të duhet të bëjë një ofertë adekuate. Jo për të më respektuar mua, por atë. Ai është një lojtar vërtet i mirë i cili ndjehet i lumtur te Napoli”.
“Sa i takon Hamsik, ka pasur shumë kërkesa gjatë viteve, por ai ka kontratë me ne deri në vitin 2016”, ka thënë De Laurentiis për Sky Italia. 

Platini: Barca – Real, një finale e ëndrrave

Presidenti i UEFA-së, Michel Platini, ka deklaruar se një finale në mes të Real Madridit dhe Barcelonës, do të ishte një ndeshje impresive.
Barcelona është me një këmbë në gjysmëfinale pasi mposhti Bayer Leverkusen me rezultat 3-1 në ndeshjen e parë, derisa Madrid nxori vetëm një barazim 1-1 në fushë të CKSA Moskës në ndeshjen e parë. Megjithatë dy gjigantët spanjoll shihen si favoritët kryesor për ta fituar garën evropiane.
“Kush do të jetë në finale? Ka edhe klube angleze dhe italiane... Nuk e di se kush do të luajë, por një ndeshje në mes Madrid dhe Barcelonës do të ishte një finale e mrekullueshme”, ka thënë Platini për Canal +.
Platini po ashtu ka folur për garën për titull të Spanjës, duke thënë se diferenca prej dhjetë pikësh e Los Blancos u jep atyre një avantazh të theksuar ndaj katalanasve. 

Kaka: Të vazhdojmë të mbledhim pikë

Mesfushori i Real Madridit, Kaka, ka porositur skuadrën e tij ta ruajë vazhdën e fitoreve pas triumfit 5-0 ndaj Espanyol gjatë të dielës.
Braziliani ishte startues në ndeshje dhe shkëlqeu duke shënuar një gol dhe duke kontribuar me dy asistime.
“Kjo është një mbrëmje e veçantë. Ne duhet të vazhdojmë të fitojmë pikë pasi kemi një kundërshtar i cili është shumë konkurrues”.
“Unë isha në gjendje të bëj atë që doja ta bëj. Kjo ndeshje do të më japë shumë vetëbesim. Le të shohim nëse mund ta ruaj këtë nivel”.
“Mendoj se ne të jemi ata të cilët e bëjmë një ndeshje të vështirë ose të lehtë. Ne ishim të vetëdijshëm për atë se çfarë duhej të bënim dhe e bëmë ndeshjen më të lehtë. Të gjithë jemi të lumtur”, ka thënë Kaka.

De Rossi: Lazio ishte thjesht më e mirë

Mesfushori i Romës, Daniele de Rossi, thotë se Lazio ishte thjesht më e mirë, pas disfatës së djeshme në derbin e kryeqytetit italian.
Lazio fitoi me rezultat 2-1 në një sfidë në të cilën portieri i Romës, Maarten Stekelenburg, u përjashtua me karton të kuq herët në ndeshje.
“Incidentet e këtij sezoni thjesht nuk shkojnë në të mirën tonë. Kam folur për referët gjatë tërë jetës, jam ankuar, jam zemëruar, por kjo nuk është produktive. Nuk mendoj se referët bënë diçka aq tronditëse sot. Problemi është se kur mbeteni me 10 lojtarë, ju duhet të hiqni dorë nga loja, andaj kjo është frustruese”.
“Është për të ardhur keq që ndeshja filloi kështu, pasi edhe ndeshja e parë ishte po ashtu e prishur nga një karton i kuq. Ne duhet të fokusohemi te vetja, pasi humbën kundër një skuadre të Lazios që ishte më shumë si ekip se sa Roma këtë sezon”, ka thënë De Rossi. 

Zanetti lavdëron karakterin e Nerazzurrëve

Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, ka lavdëruar qasjen e skuadrës së tij në barazimin e të dielës 2-2 ndaj Catanias në San Siro.
Interi e pa veten në disavatazh 2-0 në fund të pjesës së parë, por ishte në gjendje të rikthehet në ndeshje për të barazuar rezultatin.
“Duke marrë parasysh se si shkoi ndeshja, ne treguam karakter të madh. Nuk ishte e lehtë, pasi pas fillimit tonë të mirë, Catania na goditi rëndë me dy gola”.
“Në pauzën mes pjesëve, Julio Cesar na dha një fjalim në dhomën e veshjeve dhe duhet t’i jap komplimente për këtë. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se kjo situatë nuk është e mirë dhe duam të kthehemi për të mbledhur pikë”, ka thënë Zanetti. 

Mazzarri: Chelsea tash më i rrezikshëm

Trajneri i Napolit, Walter Mazzarri, është i shqetësuar pasi skuadra kundërshtare është ndarë me menaxherin Andre Villas-Boas.
Italianët do të udhëtojnë në Stamford Bridge javën e ardhshme, për ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampionëve, pasi fituan me 3-1 në ndeshjen e parë.
“Si koleg, më vjen keq që e dëgjoj këtë. Nuk e di nëse kjo mund të jetë avantazh në Ligën e Kampionëve, pasi së paku e dija se si luan Villas-Boas. Tash do të duhet të shohim”, ka thënë Mazzarri. 

Reja i ngazëllyer me fitoren ndaj Romës

Trajneri i Lazios, Edy Reja, është i ngazëllyer me fitoren e dyfishtë ndaj rivalit të kryeqytetit, Romës.
Fitorja e djeshme me rezultat 2-1 erdhi vetëm dhjetë ditë pasi Reja ofroi dorëheqjen, e cila nuk u pranua nga drejtuesit e klubit. Lazio po në drejtim të Rejas kishte mposhtur Romën edhe në pjesën e parë të sezonit.
“Kishte një shkëmbim opinionesh me drejtorët dhe pastaj ne e zgjodhëm situatën. Kuptova se nuk ndodh çdo ditë që një trajner të japë dorëheqje kur është në pozitën e tretë, por unë erdha nga një disfatë 5-1 ndaj Palermos dhe kishte ca tension, andaj reagova në atë mënyrë”.
“Ambicia jonë është të përmirësohemi nga ajo çfarë kemi bërë sezonin e kaluar, që nuk ishte e lehtë, por klubi ka punuar mirë në tregun e transferimeve dhe ne jemi rikthyer në formë”.
“Ka ende shumë, ne tash jemi në një pozitë të mirë dhe shpresoj që ekipi të mund ta ruajë përqendrimin tash pasi ne nuk jemi më në Evropë. Mbi të gjitha, ne duhet të rikuperohemi fizikisht”, ka thënë Reja. 

NBA: Lakers mposhtin Heat

Kobe Bryant është kthyer në lojë pas lëndimit në hundë për të shënuar 33 pikë, derisa Los Angeles Lakers mposhti Miami Heat me rezultat 93-83 në ndeshjen e zhvilluar në Staples Center.
Bryant, i cili pësoi një lëndim dhe një tronditje të fuqishme pikërisht nga ylli i Miamit, Dwyane Wade, në ndeshjen All Star vikendin e kaluar, bëri një kontribut të hershëm me 18 pikë në çerekun e parë dhe shtoi gjashtë pikë të vonshme të njëpasnjëshme në çerekun e katërt.
“Është kënaqësi të përballesh me më të mirët. Kjo gjithmonë të jep kënaqësi”, ka thënë Bryant, duke iu referuar Wade dhe LeBron James. Ky i fundit ishte më i dalluari te Miami me 25 pikë, 13 kërcime dhe shtatë asistime.
Ndeshja ishte e shoqëruar edhe me përplasje të vogla, të cilat ishin vazhdë e përplasjeve nga ndeshja All Star.
James dhe Pau Gasol u ndëshkuan me faulle teknike për një zënkë të vogël në fund të çerekut të tretë, derisa Wade u fishkëllye vazhdimisht nga turma dhe dështoi duke shënuar vetëm shtatë nga 17 tentimet dhe grumbulloi vetëm 16 pikë. 

Redknapp: Chelsea jashtë garës për titull

Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, nuk pret që shkarkimi i Andre Villas-Boas nga ana e Chelseat të ketë ndikim në garën për titull.
Villas-Boas dje u shkarkua nga posti i menaxherit të Bluve pas rezultateve të dobëta të arritura së fundi, që kanë bërë Chelsea të rreshtohet vetëm i pesti në tabelën e Ligës Premier dhe të jetë në prag të eliminim nga Liga e Kampionëve.
“Përderisa Mourinho nuk vjen, kjo nuk do të ndodhë (rikthimi në garën për titull), dhe nuk mendoj se ai do të vijë këtë javë”, ka thënë Redknapp.

Linda Halimi garë për fansat e saj

Linda Halimi, e cila së shpejti pritet të lërë karrierën e saj muzikore në Kosovë dhe ta vazhdojë atë në Amerikë, do të organizojë një lloj gare për fansat e saj në shenjë falënderimi për mbështetjen që i kanë dhënë deri tash.
E gjitha çfarë fansat e saj duhet të bëjnë, është të dërgojnë në adresë të saj një incizim ku ata këndojnë, ndonjë foto apo ndonjë mbishkrim për këngëtaren.
Fituesi i cili do të jetë më kreativi do të shpërblehet me një darkë në vlerën 150 eurove, një Ipod, me CD me këngë të Lindës, dhe me fotografi të saj.
Fansat e këngëtares duhet që videon, fotografinë apo mbishkrimin, ta postojnë në Fan Page të këngëtares në Facebook. 

Blerim Desanti: Nuk rri indiferent ndaj të bukurës

Aktori i njohur shqiptar Blerim Destani, i cili njihet si një ndër meshkujt më seksi të estradës dhe i cili shpesh merr komplimente për dukjen dhe veshjen e tij, ka pohuar se e ka dobësi bukurinë, dhe nuk qëndron indiferent ndaj saj.
“Unë e kam një dobësi dhe e kam shprehur disa herë - nuk jam indiferent ndaj të bukurës. Të bukurën dua ta shijoj maksimalisht në jetë, pasi është esenca e jetës. Parapëlqej gardërobën që më bën të ndjehem mirë e rehat”, ka thënë aktori.
I pyetur se ku e sheh veten pas 30 vitesh, ai ka pohuar se do të dëshironte të ishte si aktori Sean Coonery dhe me një familje të madhe.
“Nuk më pëlqen të bëjë parafytyrime të tilla, por si aktor e shoh vetën diçka si Sean Coonery, ndërsa privatisht me një familje të madhe timen”, ka shtuar Blerimi. 

Adelina e Afërdita ‘për pak’ puthen në buzë

Këngëtarja shkupjane Adelina Tahiri ka publikuar disa foto në rrjetin social Facebook, ku shihet së bashku me Afërdita Dreshaj duku u puthur me njëra tjetrën.
Në fotot e publikuara, dy mikeshat shihen duke pozuar dhe duke i dhënë njëra tjetrës puthje shumë afër buzëve.
Adelina e Afërdita ka kohë që kanë krijuar një miqësi të mirë dhe shumë shpesh janë parë duke e shoqëruar njëra tjetrën në evenimente të ndryshme.
Derisa Afërdita Dreshaj është në lidhje me këngëtarin Shpat Kasapi, Adelina nuk është në ndonjë lidhje publike. 

Pini ujë mineral para ndonjë takimi me rëndësi

Nëse në situata të caktuara, p.sh. para ndonjë provimi të rëndësishëm apo të ndonjë takimi afarist, ju djersiten duart dhe ju kap paniku, atë lloj të frikës mund ta mposhtni me një gotë ujë mineral.
Në situata të caktuara, në vend të tabletave të ndryshme për qetësim, nervozizmin mund ta mposhtni me ujë mineral.
Vetëm në gotë uji mineral do të nxisë qarkullimin e gjakut, ndërkaq, krahas kësaj, edhe truri juaj do të funksionojë më mirë. Nuk dyshojmë fare që pasi të keni pirë një gotë uji mineral, do të lidhni marrëveshje pune ashtu siç keni ëndërruar. 

Bebet do të duhej të flinin në shpinë

Fëmijët deri sa t’i mbushin 12 muaj do të duhej të flinin në shpinë në dyshek të fortë dhe në të njëjtën dhomë me prindërit, por jo bashkë me ta në krevat, është njëra ndër porositë që ka publikuar Akademia Amerikane e Pediatërve.
Pediatrit gjithashtu këshillojnë që gjatë ditës fëmijës duhet ndërruar pozitën, që të vendoset anash, në mënyrë që koka t’i marrë formë të drejtë.
Pediatrit amerikanë konsiderojnë që bebet kur janë zgjuar, një kohë duhet ta kalojnë të shtrira në stomak, mirëpo vetëm nën kujdesin e të rriturve.
Vendosja e bebes në bark, që më parë ka qenë rregull, tani shmanget për shkak të zhvillimit të drejtë të këmbëve.

ICS për SGS II së shpejti

Pronarëve të smartphone-it Galaxy S II të Samsung gjatë fillimit të vitit u është premtuar mbindërtimi në Ice Cream Sandwich. Tani vjen edhe konfirmimi zyrtar se kur pritet të ndodhë kjo.
Në të vërtetë, sipas informatave nga faqja zyrtare në Facebook e departamentit të Samsung në Izrael, mbindërtimi do të arrij me 15 mars, ndërsa do të plasohet në pajisjet e mbyllura në rrjetat e operatorëve mobil, por edhe në ato që janë të hapura. Nga risitë të cilat sjell ICS theksohet ndërfaqja më e mirë, puna më e shpejtë, përkrahja për shfletuesin Chrome, Face Unlock dhe Android Beam.
Por, informatat nga Facebook duhet marrë me një dozë dyshimi. Në shumë raste ishim dëshmitarë të “ngatërresave” të PR ekspertëve të kompanive të cilët dilnin me informata të pa verifikuara, madje dhe me informata kundërthënëse. Prapëseprapë, nëse kjo informatë tregohet të jetë e saktë, mbindërtimi në ICS edhe për pronarët evropian të SGS II do të ndodhë shumë shpejtë.

Mos i ndodhtë askujt! (Video)

Dita e martesës duhet të jetë dita më e lumtur në jetën e një çifti. Momenti kur nusja arrin te altari është çasti më i pritur i çdo dasme, të cilin të gjithë dëshirojnë ta fotografojnë dhe ta xhirojnë me kamerë.
Mirëpo, një nuse nga Rusia është penduar që ka angazhuar fotografë dhe xhirues për momentin e saj të madh jetësor, sepse për shkak të një incidenti është turpëruar si kurrë më parë në jetë.
Për shkak të një hapi të gabuar, nusja fatkeqe ka mbetur pa pjesën e poshtme të fustanit të nusërisë duke zbuluar të pasmet e saj.
Shpejt e shpejt ajo ka mbledhur fustanin dhe ka ikur, megjithatë, për fat të keq, kamera ka vazhduar të xhirojë...

Qyteza në shitje për 1.4 milion dollarë

Kryebashkiakja e qytezës amerikane Pray, Barbara Walker, ka ftuar të gjithë të interesuarit të lajmërohen për blerjen e qytezës, e cila ka dalë në shitje për 1.4 milion dollarë.
Qyteza në fjalë gjendet në Paradise Valley në shtetin e Montanas, ka një sipërfaqe prej 20.200 metra katrorë, ndërsa blerësi do të marrë në paketë edhe 681 banorët dhe të gjitha dyqanet dhe bizneset.
“Qyteza nuk po zhvillohet dhe mendoj se dikush tjetër mund të drejtojë gjithçka më mirë në të”, ka deklaruar Walker për KTVM.
Ajo ka siguruar se në këtë qytezë nuk ka kriminalitet dhe se jeta është e qetë. Kryebashkiakja ka pohuar se e do punën e saj, megjithatë me kalimin e viteve është bërë gjithnjë e më vështirë, për shkak të angazhimeve të saja në jetën private.
Barbara Walker e ka trashëguar pozitën e kryebashkiakes nga nëna e saj dhe duke qenë se nuk ka kujt t’ia trashëgojë, ka vendosur ta shesë qytezën. 

‘Mustaqokët’ amerikanë kërkojnë taksa më të ulëta

Një grup entuziastësh amerikanë që mbajnë mustaqe, kanë kërkuar që të gjithë ata që mbajnë mustaqe të lirohen nga tatimet duke u thirrur në shpenzimet që kanë për mbajtjen estetike të ‘zbukurimeve’ të tyre.
Instituti amerikan për mustaqokët (American Mustache Institute- AMI) ka njoftuar se do të organizojë një marsh humanitar me 1 prill në Washington, për të kërkuar uljen e tatimeve për 250 dollarë- aq sa këta meshkuj shpenzojnë për rregullimin e mustaqeve.
“Ekziston diskriminim disavjeçar ndaj njerëzve që mbajnë mustaqe”, ka thënë presidenti i AMI, Aaron Perlut, duke shtuar se shpreson që marshi do të ndikojë te presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, që edhe ai të lëshojë mustaqe.

Thithësja më vjetër në botë punon edhe pas 108 vitesh

Britaniku Harry Cox është pronari i thithëses më të vjetër në botë, e cila akoma është funksionale edhe pas 108 vjet përdorimi.
Thithësja e Cox është prodhuar në vitin 1904, ndërsa nuk ka ndalur së punuari deri më tani.
“Në punëtori i kemi pastruar dhe hedhur gjërat e vjetra. E shikova këtë thithëse dhe vendosa ta mbaj. Më pëlqen t’i grumbulloj gjërat e hedhura, t’i rregulloj dhe t’i përdor sërish. Kjo më bën të lumtur”, ka deklaruar Cox.
Përkundër pasionit të Harryt për aparaturat e vjetra, gruaja e tij Jacqueline shmang përdorimin e thithëses së vjetër dhe të rëndë, dhe përdor modelin modern. 

Mësohet të përtypë nga qeni (Video)

Një video ku shihet një qen duke mësuar një foshnje të përtypë, është bërë mjaft e pëlqyer në faqet e shpërndarjes së videove.
Në xhirim shihet qeni duke ‘brejtur’ një asht, ndërkohë që foshnja duke e shikuar atë fillon të përtypë një lodër plastike.
Duke mos ia larguar aspak sytë, foshnja e kopjon qenin në aksionin e tij përtypës.
Kamera më pas tregon një qen tjetër i cili i shoqëron ‘miqtë’ e tij. 

Fizibiliteti nuk siguron Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit

Deputetë dhe analistë politikë në Prishtinë thonë se vendimi i Brukselit për studimin e fizibilitetit për Kosovën nuk duhet të merret me shumë eufori nga lidershipi kosovar, sepse ky proces mund të zgjatë disa vite.
Duke u nisur nga përvoja e vendeve të rajonit, nga faza e studimit të fizibilitetit deri te nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim (MSA), disa prej këtyre vendeve kanë pritur edhe nga pesë vjet.
Deputeti i LDK-së dhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, thotë se Brukseli kishte iniciuar studimin e fizibilitetit për Kosovën edhe në vitin 2009, por atëherë nuk ishin harmonizuar qëndrimet për shkak të mosnjohjes së saj nga pesë vendet anëtare të BE-së.
"Raportet e progresit tregojnë fare qartë se Kosova ka probleme serioze sa i përket funksionalitetit dhe zbatimit të sundimit të ligjit, si shtylla kryesore të këtij procesi”, tha Haziri për REL.
Sipas tij një element tjetër që pengon Kosovën në agjendën e saj të integrimeve evropiane është edhe veriu i Kosovës. Ai mendon se veriu po fshihet prapa agjendës evropiane dhe në fund do të paraqitet si një prej parakushteve politike që duhet zgjidhur për të ecur përpara drejt BE-së.
Njohësi i proceseve integruese, analisti Shenoll Muharremi mendon se euforia e krijuar në Kosovë me marrjen e studimit të fizibilitetit është e madhe, krahasuar me pritjet reale.
“Ne nuk duhet ta shohim këtë me eufori për shkak se vendet fqinje, si Shqipëria e Bosnja e Hercegovina, është dashur të presin nga pesë vjet, prej përfundimit të studimit të fizibilitetit deri te nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Acociim. Për shembull Bosnja e Hercegovina i ka pasur 12 kushte që është dashur t’i plotësojë para se të fillojnë negociatat”, tha Muharremi.
Pas kthimit nga Brukseli, kryeministri Hashim Thaçi pati deklaruar se vendimi për studimin e fizibilitetit paraqet sukses të madh për Kosovën. Ndërkaq, ishte pajtuar se ky studim është vetëm hapi i parë, ngase rruga deri te nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim dhe integrimi në BE, do të jetë e gjatë dhe përplot sfida.

Kaciin: Serbia t’i normalizojë raportet me Kosovën

Raportuesi për Serbinë i Parlamentit Evropian, Jelko Kacin, ka thënë se edhe pas marrjes së datës për hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Serbia duhet të mbyllë disa çështje të hapura.
“Para se gjithash mendoj në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovës, dhe hapat drastikë shtetërorë në përmirësimin e gabimeve procedurale në rizgjedhjen e gjykatësve dhe të prokurorëve”, ka thënë mes tjerash europarlamentari Kacin, në një intervistë për të përditshmen e Novi Sadit, Dnevnik.
Ndryshe, Kacin sot po qëndron në Kosovë. Ai gjatë ditës pritet ta takojë zëvendëskryeministrin e Kosovës, njëherësh ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, si dhe zyrtar të tjerë Kosovës. 

Hetohet Onkologjia

EULEX-i po heton sërish objektin e dedikuar për Institut të Onkologjisë. Kësaj radhe do të bëhen matje të reja të cilat do të tregojnë nëse objekti do të jetë në gjendje që të mos e përçojë radio-aktivitetin jashtë tij.
Procesi për funksionalizimin e Institutit të Onkologjisë është ndërprerë sërish. Hetimet e EULEX-it rreth aparaturës përmes së cilës do të zbatohej radio-terapia, treguan se aparatura është e sigurt për fillimin e përdorimit, por nuk është e sigurt nëse objekti do të mund ta përmbajë në vete gjithë radio-aktivitetin që prodhohet aty, pa e nxjerr jashtë atë.
Për këtë çështje ka nisur sërish një hetim, të cilin për RTK e konfirmoi edhe Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.
“Tash është ngritur dyshimi që objekti si objekt a është i gatshëm që në situatë të një avarie, aksidenti më serioz a mund të përmbajë tërë radioaktivitetin që do të prodhohej në atë rast. Pra, mos do të ketë rrëshqitje, të themi ashtu, ose dalje të rrezatimit jashtë objektit. Jemi në fazën e grumbullimit të dokumentacionit, natyrisht në përputhje me prokurorinë e EULEX-it. Nëse nuk ekziston ky dokumentacion, nuk jemi të interesuar të rrezikojmë shëndetin e popullatës”, tha Agani.
Drejtori i QKUK-së, Njazi Gashi, theksoi se objekti i plotëson kushtet për fillimin e punës me radio-terapi.
“Raportimi në polici është bërë nga individë të caktuar”, nënvizoi Gashi, sipas të cilit për këtë çështje duhet të ketë një vendim politik.
Për ndërtimin e objektit të Onkologjisë janë investuar mbi 2 milionë euro nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërsa, ndonëse objekti është përuruar në vitin 2008, askush ende nuk ka punuar aty.
Ish-drejtuesit e QKUK-së kishin vërejtje se objekti është punuar në mënyrë jo profesionale, me materiale jo të duhura për ndërtimin e mureve.
Kryetari i atëhershëm i Komisionit për udhëheqjen e këtij ndërtimi, Xhavit Bicaj, u kritikua nga kolegët e tij sepse raportoi me kohë për ndërtimin jo adekuat, derisa ish- drejtori i QKUK-së, Isuf Ulaj, për këtë çështje pati ftuar edhe policinë për krime ekonomike. 

Dinamika ulet, procesi vazhdon...

Pas nëntë raundesh të takimeve dhe gjithsej shtatë marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, procesi i ardhshëm zgjedhor në Serbi pritet të ngadalësojë dinamikën e mbajtjes së takimeve të drejtpërdrejta ndërmjet palëve.
Megjithatë, në Bruksel thonë se rëndësi kruciale në muajt e ardhshëm do të jetë zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, thotë për “Radion Evropa e Lirë” se do të vazhdojnë kontaktet ndërmjet palëve dhe puna e grupeve punuese për zbatim.
“Bashkimi Evropian do të mbetet ndërmjetësues dhe do të ketë kontakte të ngushta me të dyja palët”, thotë ajo.
Në mesin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet palës kosovare e asaj serbe, ndër të tjera hyn ajo për njohjen e diplomave universitare, regjistrin kadastral, lirinë e lëvizjes, menaxhimin e integruar të kufirit dhe marrëveshja për bashkëpunimin rajonal.
Pa precizuar temat e ardhshme që do të vihen në tryezën e diskutimit, Kocijancic bën të ditur se do të flitet sërish për çështjen e energjisë dhe të telekomunikacionit, meqë për këto dy çështje nuk është arritur pajtim ndërmjet palëve.
Rëndësinë për gjetjen e zgjidhjeve për energjinë dhe telekomunikacionin e përmendi, ditë më parë, shefi i delegacionit serb, Borko Stefanovic, duke thënë se ato do t’i nevojiten Serbisë për marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimit Evropian.
Mirëpo, Stefanovic u tha mediave serbe se ende nuk janë “vendosur kufijtë me Kosovën“ dhe se Serbia “nuk e ka dhënë Kosovën“ në shkëmbim të statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko, thotë se retorika aktuale politike e Beogradit rreth çështjeve që kanë të bëjnë me Kosovën, nuk do të ndalet në prag të fushatës zgjedhore.
“Shumëçka do të varet nga ajo nëse qeveria e ardhshme do ta shfrytëzojë statusin e vendit kandidat si një mundësi; se a do ta bëjë integrimin evropian prioritet”, vlerëson Biserko.
Zgjedhjet serbe, përkatësisht mbajtja e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës, vlerësohet të jenë proces i radhës, përmes të cilit BE-ja dëshiron të testojë “konstruktivitetin” e shtetit serb në raport me Prishtinën.

Qeveria të punojë, qytetarët të kenë durim!

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, nuk është e kënaqur me konkluzionet e Këshillit të Ministrave për Kosovën.
Dokumenti nuk garanton se të gjitha vendet e BE-së do ta nënshkruajnë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, në rast se edhe studimi i fizibilitetit do të rezultonte pozitiv. Por, sipas saj, nuk mund të pritet më shumë kur njihet qëndrimi i pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, raporton “Top-Channel”.
“Nuk u gëzova nga ndryshimet në konkluzionet e këshillit. Por, nuk është se ato ndryshojnë shumë. Po, është një fakt se kemi ende pesë vende anëtare që nuk e njohin Kosovën. Unë jam një nga avokatet e njohjes, e bëj hapur, e bëj prapa dyerve të mbyllura apo kur flas me ta. Është ende një proces që fatkeqësisht nuk ka përfunduar, as tek vendet anëtare të BE-së, as në OKB ku ende nuk kemi një shumicë vendesh që e njohin pavarësinë e Kosovës. Do të doja të ishte ndryshe në këtë Parlament gjithashtu, por nuk ndodh kështu në këshillin e BE-së. Në fund të fundit është mirë që Komisioni do të nisë studimin e fizibilitetit, por ka qenë gjithnjë e qartë se MSA duhet të kalohet nga Këshilli”, deklaroi Raportuesja për Kosovën.
Lunacek këmbëgul që Kosova të shfrytëzojë në maksimum marrëveshjen e dialogut të fundit me Serbinë, për të kërkuar vendin që i takon në bashkëpunimin rajonal apo për anëtarësim në organizata të ndryshme.
Në lidhje me pritjet për studimin e fizibilitetit, raportuesja fton autoritetet e Kosovës të punojnë për të merituar një raport pozitiv.
“Këtu i takon Kosovës të punojë: qeveria, të gjitha institucionet e tjera dhe qytetarët e Kosovës, Parlamenti, duhet të mbështesin vendin e tyre, Republikën e Kosovës, që t’ia dalin me sukses. Gjërat nuk janë perfekte në Kosovë. Ka kaq shumë gjëra ku edhe unë jam kritike në raportin tim. Pra, për momentin, unë nuk e di a do të kishte dalë mirë vendi, nëse studimi i fizibilitetit do të ishte bërë sot. Por, pas një viti apo një viti e gjysmë – ndoshta! Puna duhet të bëhet në Kosovë, nga Kosova, kjo është detyra e qytetarëve të Kosovës, e qeverisë së Kosovës dhe e të gjitha institucioneve. Pra, unë shpresoj që do të jetë pozitive në fund”, shtoi Lunaçek.
Lunacek vlerëson se procesi do të marrë kohë dhe se qytetarët e Kosovës duhet të kenë durim. Sipas raportueses, vendi duhet të punojë paralelisht për sa më shumë njohje.
Marrëveshjet gjatë dialogut dhe konkluzionet e ministrave do të sjellin ndryshime edhe në rezolutat e Parlamentit Evropian për Kosovën dhe Serbinë, para votimit në seancën plenare gjatë këtij muaji. 

Pantic: BE do ta kërkoj njohjen e Kosovës

Kryetari ilegal i Mitrovicës, Krstimir Pantic, ka thënë se Serbia në rrugën drejtë BE-së do të ballafaqohet me sfida të reja.
“Më vjen mirë që Serbia e ka fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, megjithatë kjo kandidaturë nuk do të thotë asgjë”, ka thënë ai për B92.
“Rruga drejtë anëtarësimit të plotë në BE është një proces i gjatë dhe me kushte. Unë jam i sigurt se pas kësaj nga Serbia do të kërkohet që të heq dorë nga interesat tjera në territorin e Kosovës, që të heq dorë nga sektori energjetik, telekomunikacioni, e pastaj shumë shpejtë si kusht do të jetë njohja formale e Kosovës”, shton ai, duke theksuar se qëndrime negative për statusin kanë dhënë edhe liderët tjerë të serbëve në veri të Kosovës.