Qeveria të punojë, qytetarët të kenë durim!

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, nuk është e kënaqur me konkluzionet e Këshillit të Ministrave për Kosovën.

Dokumenti nuk garanton se të gjitha vendet e BE-së do ta nënshkruajnë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, në rast se edhe studimi i fizibilitetit do të rezultonte pozitiv. Por, sipas saj, nuk mund të pritet më shumë kur njihet qëndrimi i pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, raporton “Top-Channel”.
“Nuk u gëzova nga ndryshimet në konkluzionet e këshillit. Por, nuk është se ato ndryshojnë shumë. Po, është një fakt se kemi ende pesë vende anëtare që nuk e njohin Kosovën. Unë jam një nga avokatet e njohjes, e bëj hapur, e bëj prapa dyerve të mbyllura apo kur flas me ta. Është ende një proces që fatkeqësisht nuk ka përfunduar, as tek vendet anëtare të BE-së, as në OKB ku ende nuk kemi një shumicë vendesh që e njohin pavarësinë e Kosovës. Do të doja të ishte ndryshe në këtë Parlament gjithashtu, por nuk ndodh kështu në këshillin e BE-së. Në fund të fundit është mirë që Komisioni do të nisë studimin e fizibilitetit, por ka qenë gjithnjë e qartë se MSA duhet të kalohet nga Këshilli”, deklaroi Raportuesja për Kosovën.
Lunacek këmbëgul që Kosova të shfrytëzojë në maksimum marrëveshjen e dialogut të fundit me Serbinë, për të kërkuar vendin që i takon në bashkëpunimin rajonal apo për anëtarësim në organizata të ndryshme.
Në lidhje me pritjet për studimin e fizibilitetit, raportuesja fton autoritetet e Kosovës të punojnë për të merituar një raport pozitiv.
“Këtu i takon Kosovës të punojë: qeveria, të gjitha institucionet e tjera dhe qytetarët e Kosovës, Parlamenti, duhet të mbështesin vendin e tyre, Republikën e Kosovës, që t’ia dalin me sukses. Gjërat nuk janë perfekte në Kosovë. Ka kaq shumë gjëra ku edhe unë jam kritike në raportin tim. Pra, për momentin, unë nuk e di a do të kishte dalë mirë vendi, nëse studimi i fizibilitetit do të ishte bërë sot. Por, pas një viti apo një viti e gjysmë – ndoshta! Puna duhet të bëhet në Kosovë, nga Kosova, kjo është detyra e qytetarëve të Kosovës, e qeverisë së Kosovës dhe e të gjitha institucioneve. Pra, unë shpresoj që do të jetë pozitive në fund”, shtoi Lunaçek.
Lunacek vlerëson se procesi do të marrë kohë dhe se qytetarët e Kosovës duhet të kenë durim. Sipas raportueses, vendi duhet të punojë paralelisht për sa më shumë njohje.
Marrëveshjet gjatë dialogut dhe konkluzionet e ministrave do të sjellin ndryshime edhe në rezolutat e Parlamentit Evropian për Kosovën dhe Serbinë, para votimit në seancën plenare gjatë këtij muaji.