Qeveria e Kosovës ka dështuar ta përcjellë me kohë në Kuvend pakon e ligjeve të nevojshme për zbatimin e plotë të Pakos së Ahtisaarit.
Kështu, ekzekutivi ka shkelur Rezolutën për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, e cila është miratuar më 31 janar nga shumica legjislative, raporton “Koha Ditore”.
Me këtë dokument, të kundërshtuar vetëm nga lëvizja “Vetëvendosje”, Qeveria ka qenë e ftuar që në konsultim të ngushtë me udhëheqësit e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, anëtarët e Grupit Drejtues Ndërkombëtar Civil, t’i përgatisë të gjitha amendamentet e nevojshme kushtetuese dhe legjislacionin shtesë dhe ato t’ia përcjellë Kuvendit jo më vonë se katër javë nga data e miratimit të Rezolutës.
Një nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit ka konfirmuar se deri të premten pasdite në Kuvend nuk ka mbërritur një “pako” e tillë.