Hetohet Onkologjia

EULEX-i po heton sërish objektin e dedikuar për Institut të Onkologjisë. Kësaj radhe do të bëhen matje të reja të cilat do të tregojnë nëse objekti do të jetë në gjendje që të mos e përçojë radio-aktivitetin jashtë tij.

Procesi për funksionalizimin e Institutit të Onkologjisë është ndërprerë sërish. Hetimet e EULEX-it rreth aparaturës përmes së cilës do të zbatohej radio-terapia, treguan se aparatura është e sigurt për fillimin e përdorimit, por nuk është e sigurt nëse objekti do të mund ta përmbajë në vete gjithë radio-aktivitetin që prodhohet aty, pa e nxjerr jashtë atë.
Për këtë çështje ka nisur sërish një hetim, të cilin për RTK e konfirmoi edhe Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.
“Tash është ngritur dyshimi që objekti si objekt a është i gatshëm që në situatë të një avarie, aksidenti më serioz a mund të përmbajë tërë radioaktivitetin që do të prodhohej në atë rast. Pra, mos do të ketë rrëshqitje, të themi ashtu, ose dalje të rrezatimit jashtë objektit. Jemi në fazën e grumbullimit të dokumentacionit, natyrisht në përputhje me prokurorinë e EULEX-it. Nëse nuk ekziston ky dokumentacion, nuk jemi të interesuar të rrezikojmë shëndetin e popullatës”, tha Agani.
Drejtori i QKUK-së, Njazi Gashi, theksoi se objekti i plotëson kushtet për fillimin e punës me radio-terapi.
“Raportimi në polici është bërë nga individë të caktuar”, nënvizoi Gashi, sipas të cilit për këtë çështje duhet të ketë një vendim politik.
Për ndërtimin e objektit të Onkologjisë janë investuar mbi 2 milionë euro nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërsa, ndonëse objekti është përuruar në vitin 2008, askush ende nuk ka punuar aty.
Ish-drejtuesit e QKUK-së kishin vërejtje se objekti është punuar në mënyrë jo profesionale, me materiale jo të duhura për ndërtimin e mureve.
Kryetari i atëhershëm i Komisionit për udhëheqjen e këtij ndërtimi, Xhavit Bicaj, u kritikua nga kolegët e tij sepse raportoi me kohë për ndërtimin jo adekuat, derisa ish- drejtori i QKUK-së, Isuf Ulaj, për këtë çështje pati ftuar edhe policinë për krime ekonomike.