Pas nëntë raundesh të takimeve dhe gjithsej shtatë marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, procesi i ardhshëm zgjedhor në Serbi pritet të ngadalësojë dinamikën e mbajtjes së takimeve të drejtpërdrejta ndërmjet palëve.
Megjithatë, në Bruksel thonë se rëndësi kruciale në muajt e ardhshëm do të jetë zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, thotë për “Radion Evropa e Lirë” se do të vazhdojnë kontaktet ndërmjet palëve dhe puna e grupeve punuese për zbatim.
“Bashkimi Evropian do të mbetet ndërmjetësues dhe do të ketë kontakte të ngushta me të dyja palët”, thotë ajo.
Në mesin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet palës kosovare e asaj serbe, ndër të tjera hyn ajo për njohjen e diplomave universitare, regjistrin kadastral, lirinë e lëvizjes, menaxhimin e integruar të kufirit dhe marrëveshja për bashkëpunimin rajonal.
Pa precizuar temat e ardhshme që do të vihen në tryezën e diskutimit, Kocijancic bën të ditur se do të flitet sërish për çështjen e energjisë dhe të telekomunikacionit, meqë për këto dy çështje nuk është arritur pajtim ndërmjet palëve.
Rëndësinë për gjetjen e zgjidhjeve për energjinë dhe telekomunikacionin e përmendi, ditë më parë, shefi i delegacionit serb, Borko Stefanovic, duke thënë se ato do t’i nevojiten Serbisë për marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimit Evropian.
Mirëpo, Stefanovic u tha mediave serbe se ende nuk janë “vendosur kufijtë me Kosovën“ dhe se Serbia “nuk e ka dhënë Kosovën“ në shkëmbim të statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko, thotë se retorika aktuale politike e Beogradit rreth çështjeve që kanë të bëjnë me Kosovën, nuk do të ndalet në prag të fushatës zgjedhore.
“Shumëçka do të varet nga ajo nëse qeveria e ardhshme do ta shfrytëzojë statusin e vendit kandidat si një mundësi; se a do ta bëjë integrimin evropian prioritet”, vlerëson Biserko.
Zgjedhjet serbe, përkatësisht mbajtja e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës, vlerësohet të jenë proces i radhës, përmes të cilit BE-ja dëshiron të testojë “konstruktivitetin” e shtetit serb në raport me Prishtinën.