Deputetë dhe analistë politikë në Prishtinë thonë se vendimi i Brukselit për studimin e fizibilitetit për Kosovën nuk duhet të merret me shumë eufori nga lidershipi kosovar, sepse ky proces mund të zgjatë disa vite.
Duke u nisur nga përvoja e vendeve të rajonit, nga faza e studimit të fizibilitetit deri te nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim (MSA), disa prej këtyre vendeve kanë pritur edhe nga pesë vjet.
Deputeti i LDK-së dhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, thotë se Brukseli kishte iniciuar studimin e fizibilitetit për Kosovën edhe në vitin 2009, por atëherë nuk ishin harmonizuar qëndrimet për shkak të mosnjohjes së saj nga pesë vendet anëtare të BE-së.
"Raportet e progresit tregojnë fare qartë se Kosova ka probleme serioze sa i përket funksionalitetit dhe zbatimit të sundimit të ligjit, si shtylla kryesore të këtij procesi”, tha Haziri për REL.
Sipas tij një element tjetër që pengon Kosovën në agjendën e saj të integrimeve evropiane është edhe veriu i Kosovës. Ai mendon se veriu po fshihet prapa agjendës evropiane dhe në fund do të paraqitet si një prej parakushteve politike që duhet zgjidhur për të ecur përpara drejt BE-së.
Njohësi i proceseve integruese, analisti Shenoll Muharremi mendon se euforia e krijuar në Kosovë me marrjen e studimit të fizibilitetit është e madhe, krahasuar me pritjet reale.
“Ne nuk duhet ta shohim këtë me eufori për shkak se vendet fqinje, si Shqipëria e Bosnja e Hercegovina, është dashur të presin nga pesë vjet, prej përfundimit të studimit të fizibilitetit deri te nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Acociim. Për shembull Bosnja e Hercegovina i ka pasur 12 kushte që është dashur t’i plotësojë para se të fillojnë negociatat”, tha Muharremi.
Pas kthimit nga Brukseli, kryeministri Hashim Thaçi pati deklaruar se vendimi për studimin e fizibilitetit paraqet sukses të madh për Kosovën. Ndërkaq, ishte pajtuar se ky studim është vetëm hapi i parë, ngase rruga deri te nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim dhe integrimi në BE, do të jetë e gjatë dhe përplot sfida.