NATO-ja, Prishtina dhe Beogradi kanë paralajmëruar për mundësinë e përshkallëzimit të gjendjes në veri të Kosovës, në kohën e zgjedhjeve serbe. Në një intervistë për DW, komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, thotë se forcimi i trupave me batalionin gjermano-austriak është një masë paraprake.
“Jam i sigurt se ne jemi të gatshëm të evitojmë tendosjet apo incidentet e mëdha në këtë fundjavë zgjedhore. Në veçanti kur dihet se OSBE-ja, në marrëveshje me Beogradin dhe Prishtinën, ka marrë përsipër përgjegjësinë për drejtimin e këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Drews. “KFOR-i është pozicionuar në mbarë vendin në atë mënyrë që shumë shpejt mund të reagojë dhe të spastrojë gjërat”.
Në veri të Kosovës ende ekzistojnë të ashtuquajturat rrugë alternative. Mbylljen e këtyre rrugëve e ka kërkuar edhe NATO-ja. Drews thotë se KFOR-i nuk është mision i shtetit juridik dhe se kjo është detyrë e EULEX-it.
“Detyra e KFOR-it është të koncentrohet në hapësirën e sigurisë, ndërsa e EULEX-it në zbatimin e rregullave të shtetit juridik. Në bazë të mandatit të tanishëm dhe sugjerimeve politike që vijnë nga Brukseli, KFOR-i nuk mund të zbatojë detyra shtesë që kanë të bëjnë me masat policore dhe doganore”.
Kur është fjala te incidentet e fundit në veri, gjenerali gjerman thotë se ato kanë shkaktuar një retorikë të nxehtë tek qarqet politike dhe ka rritur nervozizmin tek popullata e të dy grupeve etnike.
“Për fat të mirë, kjo gjendje është qetësuar pak kohët e fundit, sepse politika dhe mediat e kanë zbutur retorikën e tyre”, thotë Drews.
Vitet e fundit ka pasur gjithmonë raporte për prezencën në veri të grupeve të armatosura, kriminelëve, personave të armatosur apo madje edhe policisë dhe shërbimeve të ndryshme nga Serbia. Përgjegjësinë për gjendjen në veri duhet ta marrin si qeveria në Prishtinë ashtu edhe ajo në Beograd, mendon Drews.
“Kjo përgjegjësi nënkupton një retorikë ku nuk ka vend për teprime, nxitje dhe ndezjen e gjendjes... Përgjegjësinë për gjendjen në veri e kanë edhe përfaqësuesit lokal, të cilët jo gjithmonë ndikojnë në qetësimin e gjendjes. Por, përgjegjësinë e mbanë edhe bashkësia ndërkombëtare... Dhe më në fund përgjegjësinë e kanë edhe organizatat ndërkombëtare këtu në vend”.
Drews thotë se zgjidhja ushtarake apo e dhunshme e konfliktit në veri nuk është e mundur.
“Këtu kemi nevojë për një zgjidhje politike. Një prej rrugëve është dialogu, i cili duhet të çojë deri tek normalizimi i raporteve mes këtyre qeverive dhe vendeve. Një rrugë tjetër është qasja edhe më serioze e qeverisë së Prishtinës në procesin e integrimit të qytetarëve të vet në veri të vendit - të cilët tani janë shumë pak të interesuar për integrim - në shtetin e Kosovës”.
Kur është fjala te grupet e armatosura në veri të Kosovës, Drews thotë se një pjesë e madhe e qytetarëve, pavarësisht përkatësisë kombëtare, posedon armë. Por, ai nuk ka të dhëna për grupe të armatosura militante, të cilat janë aktualisht aktive dhe kanë kërkesa politike apo qëllime kriminale.
“Ka gjithmonë spekulime dhe fajësime mes palëve, por deri tani nuk ka të dhëna konkrete”, thotë Drews. “Fotografitë e botuara me siguri që nuk janë të falsifikuara. Por, kolazhet e botuara të cilat lënë përshtypje se fjala është për grupe më të mëdha të armatosura, që veprojnë në sytë e KFOR-it, janë bërë për qëllime të caktuara. Natyrisht që ka qytetarë që posedojnë armë. Por, deri tani nuk kemi parë persona të armatosur në rrugë”.