Kosova ende nuk ka shënuar ndonjë progres të madh në rrugën e integrimeve evropiane, ndërkohë që plotë mekanizma janë themeluar për të ndihmuar rrugën e Prishtinës drejt Brukselit.
Task Forca për Integrime Evropiane është institucioni i fundit i themeluar të enjten, që është autorizuar nga Presidentja me rastin e inaugurimit të Këshillit Kombëtar për Integrime në BE. Veç kësaj, ekzistojnë edhe dy mekanizma të qeverisë - Ministria e Integrimeve dhe Këshilli Ndërministror, të cilët merren me çështje të integrimeve.
Siç dihet, me këto punë merret edhe Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane, derisa secili institucion në Kosovë e ka Zyrën për Integrime.
Themelimin e krejt këtyre institucioneve e arsyeton Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku. Ajo thotë se kanë marrë shembujt më të mirë nga vendet që kanë ecur drejt Unionit.
“Ne nuk jemi duke e zbuluar rrotën. Ne kemi marrë përvojat më të mira të rajonit, përvojën e Kroacisë, e cila ka pasur një Këshill Kombëtar për Integrim Evropiane ose të Polonisë, ose të Sllovenisë. Tash edhe Maqedonia e ka një këshill të tillë”, ka thënë Çitaku për Express.
Ajo mendon se të gjitha këto instrumente kanë nga një punë për të bërë dhe nuk po dyfishohen. Çitaku madje është optimiste se vendi mund të integrohet në Bashkimin Evropian diku në vitin 2020.