Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, është zotuar të premten se do të arrestohen të gjithë kriminelët, përfshirë edhe Zvonko Veselinovicin. E, derisa Rexhepi zotohej për arrestimin e Veselinovicit, ky i fundit ka vazhduar të merret me përgatitjet për zgjedhjet serbe, që pritet të mbahen të dielën.
Si financues i Partisë Radikale Serbe, Veselinovici, sipas burimeve të Koha Ditore, po merret intensivisht që kjo parti të dalë fituese.
"Pas lirimit nga Serbia, ai është duke vepruar në Kosovë", ka thënë një burim brenda Policisë. Këtë nuk e ka përjashtuar as ministri Bajram Rexhepi.
Kryeprokurori i Prokurorisë së Qarkut të Mitrovicës, Shyqyri Syla, ka thënë të premten se vëllai i Zvonko Veselinovicit, Zarko, ndodhet në Mitrovicë. Ai ka thënë se ka vështirësi për arrestimin e tyre në atë pjesë.
Syla ka thënë se Veselinovici ka urdhërarrestin ndërkombëtar për veprat penale: rrezikim i personelit të Kombeve të Bashkuara dhe i personelit në marrëdhënie me to, vrasje e rëndë, mbajtja në pronësi, kontroll, posedim i armëve dhe materieve eksploduese, pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, thirrje për rezistencë, pjesëmarrja në grupe që kryejnë vepra penale, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe kontrabandim i mallrave.