Policia serbe arrestoi një shqiptar të Kosovës

Policia serbe ka arrestuar shtetas të Kosovës, Haxhi Kastratin, i cili po udhëtonte nga Austria për në vendlindje. Kastrati, 34 vjeçar ishte ndaluar të enjten rreth orës 4.00 të mëngjesit menjëherë sapo kishte hyrë në territorin serb, derisa po udhëtonte me gruan dhe dy fëmijët e tij.

Familja Kastrati ka njoftuar agjencinë INA se Haxhiu disa vite po udhëtonte në të njëjtin destinacion për të vizituar vendlindjen, mirëpo asnjëherë nuk është penguar apo ndaluar nga autoritetet e Serbisë.
Sipas tyre, Haxhiu përmes një mesazhi telefoni i ka informuar ata se gjendet i transferuar në burgun e Krushevcit dhe apelon për ndihmë.
"Ai po vinte në vendlindje për të vizituar nënën e tij e cila ka probleme shëndetësore. Gjithçka ka pasur në rregull, si me lëvizjen e lirë ashtu edhe me dokumentacionin, por mbrëmë na u lajmërua përmes një mesazhi telefoni se e kanë arrestuar dhe e kanë transferuar në burgun e Krushevcit", theksoi Bedri Kastrati, vëllai i të arrestuarit Haxhi Kastrati, duke kërkuar ndihmë edhe nga autoritetet ndërkombëtare, EULEX dhe Qeveria e Kosovës.
I arrestuari është nga fshatit Zatriq i Rahovecit.