Pas arrestimeve të shqiptarëve - gjoja të dyshuar për krime lufte gjatë vitit 2001 - situata në Bujanoc është e tensionuar.
Siç mëson B92, përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës do të takohen për të biseduar për mundësitë e bojkotimit të zgjedhjeve. Pastaj, në mesditë, në sheshin e qytetit do të mbahet një miting proteste për shkak të arrestimit të bashkatdhetarëve të tyre.
"Veprimi i djeshëm i xhandarmërisë serbe është vazhdimësi e terrorit shtetëror që kryhet mbi shqiptarët në Bujanoc e Preshevë që nga viti 1990”, ka thënë Riza Halimi, lider i Partisë për Veprim Demokratik.
Ai ka thënë se shqiptarët me kujdese do ta studiojnë situatën e re, se nuk do të lejojnë të manipulohen, dhe se do të kërkojnë nga pushteti serb që të deklarohet se kush qëndron prapa veprimit të organizuar nga ministri i Brendshëm serb, Ivica Dacic.
Shaip Kamberi, kryetar i komunës së Bujanocit, ka thënë në një konferencë për shtyp se aksioni i xhandarmerisë është tentim i ri i Ivica Dacic që në Luginë ta instalojnë gjendjen e jashtëzakonshme.
"E kishim rastin e vitit 2009, kur policia bastisi fshatin Luçan. Atëherë janë kryer disa akte spektakolare me qëllim që të kapin terroristët shqiptarë. Dhe jo vetëm atëherë, sepse aksione të tilla ka më shumë, por asnjë gjyq serb nuk ka arritur të vërtetojë se këtu ka terrorizëm të organizuar dhe se shqiptarët janë të interesuar për dhunë”, ka thënë ai.
Kamberi tha se Dacic e ka dëmtuar rëndë Partinë për Veprim Demokratik, sepse anëtarët e xhandarmërisë kanë kapur dhe rrahur zyrtarin e lartë të tyre, Izet Qazimin, vëllain e të vrarit Ridvan Qazimi - i njohur si Komandant Lleshi (anëtarë i UÇPMB-së).
"Është e tmerrshme për drejtësinë, por ja që e e dimë se është selektive drejtësia që e ofron Vukcevici, si prokuror special, dhe Ivivca Dacici si ministër i Brendshëm. Është e tmerrshme të futen në shtëpi të huaja e paraprakisht të mos e tregojnë autorizimin për këtë”, ka shtuar Kamberi.