Valdete Daka ka mësyrë të bëhet gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, institucion ky që ka në shqyrtim një lëndë të ndërlidhur drejtpërdrejt me aktivitetin e saj si gjyqtare. Kërkesa e palës që pretendon të jetë dëmtuar është që Kushtetuesja ta prishë një aktgjykim me të cilin është dënuar, ngaqë Daka kishte vendosur në të njëjtën lëndë duke qenë pjesë në kolegje gjyqësore në dy shkallë.
Është Bajrush Gashi ai që ka kërkuar nga gjykata më e lartë në vend të vlerësojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e vendimit të Gjykatës së Qarkut në Prizren, i bërë i plotfuqishëm me një vendim të Supremes, me të cilat është dënuar me burg katër vjet e dy muaj, shkruan “Koha Ditore”.
Ai është shpallur fajtor për veprat penale të kontrabandës me emigrantë dhe për mbajtje në pronësi, nën kontroll, apo në shfrytëzim të paautorizuar të armëve. Gjyqtarja Daka ka qenë në krye të trupit Gjykues në Gjykatën e Qarkut, kur është marrë vendimi i parë, si dhe ka qenë anëtare e kolegjit të gjyqtarëve, kur është vendosur që Gashit t’i refuzohet si e pabazuar kërkesa për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit, të shqiptuar me aktgjykimin e formës së prerë të Supremes.
Kjo nuk do të duhej të ndodhte, po të pyetej Këshilli Gjyqësor.
“Në parim, gjyqtari që ka vendosur në shkallë të parë është i përjashtuar në raste të tjera, e edhe kur të merret vendimi për kërkesën për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit”, i ka thënë gazetës Enver Peci, kryetar i Këshillit Gjyqësor. “Edhe në rastin konkret duhej të përjashtohej gjyqtarja”.
E për Gjykatën Supreme gjithçka është në rregull. Për të mbështetur këtë pikëpamje, një shkresë kanë adresuar edhe në Kushtetuese.
“S’ka asnjë pengesë ligjore që gjyqtari që ka vendosur në shkallën e parë të jetë pjesë e kolegjit kur të vendoset në kërkesën për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit”, ka thënë Fejzullah Hasani, kryetar i Supremes. “Prandaj, nuk ka pasur asnjë arsye për përjashtimin e gjyqtares”.
Por gjyqtarja e Supremes, Valdete Daka, e cila është edhe anëtare e Këshillit Gjyqësor, si dhe është kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë se do të tërhiqej vetë nga kolegji, sikur ta dinte që në shkallë të parë do të ishte kryetare e trupit gjykues për të njëjtin rast. Ajo ka thënë se tjetërkush ka referuar çështjen, prandaj nuk ka ditur për situatën.
“Edhe nëse është shkelje, është shkelje procedurale. Kjo s’ka të bëjë me mua konkretisht, se unë kam qenë vetëm anëtare e kolegjit. Ka pasur edhe lëndë të tjera sikur kjo, që i njëjti gjyqtar ka marrë pjesë”, ka thënë Daka.