AAK dhe VV dënojnë arrestimet në Bujanoc

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e dënon fuqishëm arrestimin makabër të tetë shqiptarëve nga ana e policisë serbe, në Bujanoc, Tërnoc të Madh dhe Breznicë.

AAK e konsideron këtë akt të shtetit serb ndaj shqiptarëve të asaj pjese, si veprim me qëllime terrori, frikësimi dhe nxitje të shpërnguljes së shqiptarëve nga trevat e tyre, në të cilat jetuan me shekuj.
AAK e sheh, gjithashtu, këtë veprim, në koincidencë me zgjedhjet që do të mbahen në Serbi, me qëllim të promovimit të ekstremizmit dhe frymës antishqiptare në Luginë të Preshevës.
AAK fton Qeverinë e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë që të veprojnë sa më shpejtë me të gjitha mjetet në parandalimin e përndjekjes së shqiptarëve në Luginë dhe për lirimin sa më të shpejtë të tetë të arrestuarve, të cilët janë plotësisht të pafajshëm për akuzat që iu ngarkohen nga Beogradi.
Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje fton të gjithë organizmat vendorë, po ashtu edhe ata ndërkombëtarë që të ushtrojë presion ndaj Serbisë, që të ndalet menjëherë represioni ndaj popullatës shqiptare atje.
Po ashtu Vetëvendosje kërkon nga qeveria e Kosovës që të ndërpresë qasjen indiferente ndaj shqiptarëve në Serbi, e të sillet si një qeveri e një shteti Sovran i cili është i obliguar që të mbrojë interesat e bashkëkombësve të vet kudo që ata janë.
“Këto arrestime janë vazhdimësi e proceseve politike me skenarë antishqiptarë të Serbisë me motiv spastrimin etnik të Luginës së Preshevës. Shembull për objektivat e skenarëve të tillë është Komuna e Medvegjës dikur e banuar me mbi 6 mijë e 500 shqiptarë nga të cilët sot kanë mbetur vetëm 600”.