Administrata publike sfidë për institucionet e Kosovës

Kryeministri Hashim Thaçi, në takimin e Këshillit ministror për integrime evropiane theksoi se reforma e administratës publike mbetet ende sfidë dhe kërkohet një punë me intensive në këtë drejtim.

Ky takimi ka për qëllim diskutimin e të arriturave dhe problemeve me të cilat ballafaqohen ministritë, njëkohësisht edhe objektivat e identifikuara si më prioritare që duhen të përmbushen në afat sa më të shkurtë për plotësimin e kritereve.
“Qëllimi i takimit të sotëm është për të avancuar koordinimin dhe për të bërë monitorimin e arritjeve tona si qeveri. Njëkohësisht edhe për të përcaktuar obligimet për javët dhe muajt në vijim. Pres nga ky takim të dëgjoj përkushtim dhe rezultate, konkretisht pres të dëgjoj progres në zbatimin e kritereve politike, ekonomike dhe standardeve evropiane. Për më tepër, para fillimit të marrëveshjes për stabilizim asociim duhet të sigurojmë që institucionet e Qeverisë janë të përgatitura për menaxhimin e këtij procesi shumë të ndërlikuar dhe të gjatë. Reforma e administratës publike mbetet ende sfidë dhe kërkohet një punë me intensive në këtë drejtim”, tha Thaçi.
Ndërsa, sipas njoftimit të Ministrisë së Integrimit, drejtuesja e këtij dikasteri, Vlora Çitaku ka thënë se është e kënaqur me punën e bërë nga ministritë, duke iu dhënë përkrahje në mënyre që të arriturat të jenë më të mëdha dhe më evidente.