E plotësuar - Në Bujanoc, në Tërnocin e Madh dhe në Breznicë janë kryer bastisje dhe arrestime të shqiptare, gjoja për krime kundër serbëve.
Prokurori serb për krime lufte, Vladimir Vukcevic, ka thënë se policia ka arrestuar pesë shqiptarë “të dyshuar për krime lufte” gjatë konfliktit të vitit 2001. Ai gazetarëve në Beograd u tha se arrestimet po vazhdojnë, por nuk ka dashur të cek se për çfarë “krime lufte” bëhet fjalë.
Ministri i Brendshëm serb, Ivica Dacic, konfirmoi se policia ka arrestuar tetë persona, nga të cilat pesë janë akuzuar për “krime lufte kundër civilëve”.
Në një konferencë për shtyp në Vranjë ai tha se për “krime lufte kundër civilëve” janë arrestuar Elhami Salihu, Mustafë Limani, Sherif Abdiri, Nedir Sefedini dhe Sevdai Emurlahi.
Sipas tij, dy të arrestuarit kanë bërë rezistencë gjatë bastisjes, ndërsa njëri është arrestuar për posedim të armës.
Dacic tha se këto veprime janë kryer me urdhër të Prokurorisë së Serbisë, sot në mëngjes mes orës 6:00 dhe 9:00.