LDK me kritere për njerëzit që do të vijnë në pushtet

Në ceremoninë e organizuar nga Dega e LDK-së në Istog, me rastin 22- vjetorin e themelimit të saj, lideri i partisë, Isa Mustafa, ka kërkuar ndihmën e strukturave partiake për t’ i fituar zgjedhjet e ardhshme nacionale nga kjo parti në Kosovë. Ai ka bërë të ditur se LDK do t’ i përcaktojë kriteret me ligj për njerëzit që duhet të vijnë në pushtet.

“ Ne po bëjmë përpjekje që tani ta bëjmë reformën kushtetuese dhe reformën zgjedhore, e cila edhe me ligj do t’ i përcaktojë kriteret të ardhjes në pushtet, përfaqësuesve politikë dhe ne do të bëjmë çmos që përfaqësuesit tanë të ardhshëm të jenë ata që burojnë nga vota juaj e lirë dhe që shumica e këtyre përfaqësuesve të jenë nga Lidhja Demokratike e Kosovë”, ka theksuar ai, transmeton Koha.net.
Lideri Mustafa ka bërë të ditur se Lidhja Demokratike e Kosovës ka shtuar edhe përpjekjet për zgjerimin e partisë dhe ka hapur dyert edhe për pranimin e anëtarëve të rinj, por hapjen e dyerve për anëtarësi të re nuk e ka konsideruar si pensionim të aktivistëve të vjetër.
Ndërsa, Sabri Hamiti ka pohuar se LDK-ja është parti e njerëzve dhe vullnetit të mirë, e njerëzve që kanë mundur të punojnë dhe të durojnë.
“Mua nuk më mbetet veçse t’ ju përkujtojë se ne kemi pasur prijësin e madh Rugovën, i cili na ka lënë trashëgimi një rast të madh, por edhe obligime të mëdha, sepse ka krijuar standarde, norma, të cilat nuk është lehtë më mbërri. Kjo është provuar në këto 22 vjet . Në LDK kanë hyrë njerëzit e vullnetit të mirë, njerëzit e ndershëm, njerëzit që kanë mundur të punojnë dhe të durojnë... “ , ka thënë Hamiti, duke konsideruar se nga rrënjët e LDK-së kanë dalë standardet politike e nacionale, qytetarë rugovianë, ndërsa si të ardhme të Kosovës e ka vlerësuar programim e LDK-së.