Veriu i Kosovës ishte sot në agjendën e vizitës së kryetarit të LDD-së, Nexhat Daci dhe bashkëpunëtorëve të tij. Kreu i LDD-së ka vizituar kompleksin e kullave të heroit të kombit Isa Boletini, në fshatin Boletin, që bashkë më fshatrat Kelmend e Zhazhë, janë tri fshatrat e vetme shqiptare në komunën e Zveçanit.
Para vizitës në veri, Daci ka marr pjesë në takimin e kryesisë së degës së LDD-së në Mitrovicë, ku kryetari i degës Ramadan Kelmendi, ka raportuar për gjendjen në komunën e Mitrovicës, e cila siç dihet është më jo stabilja në shtetin e Kosovës.
Ndërsa, Daci ka thënë se nuk është në Mitrovicë të ligjërojë por të bëjë një komunikim të mirëfilltë interaktiv.
“Ka një vit e më tepër që ne në qendër jemi duke e konceptuar programin e ardhshëm zgjedhor, i cili do t’i marr ndjesitë, të cilat i ka secila pjesë e Kosovës dhe të atakojmë ato çështje që deri tani kanë mbetur të pazgjidhura në Kosovë. Për gjendjen e Kosovës në veri faji, nga viti 1999, është te të gjithë ne. Nuk ka një njeri që mund të lavdërohet. Kam qenë themelues i institucioneve dhe udhëheqës i vetëm një kohë të gjatë. Për 6 vite sa kam udhëhequr Parlamentin asnjë cent në buxhet të Kosovës nuk e ka dhënë bashkësia ndërkombëtare. Përkundrazi, Qeveria jonë kurrë nuk e ka menaxhuar buxhetin që vetë e kemi krijuar, deri në pavarësi, përkundrazi edhe sot ne paguajmë njerëzit në veri që nuk na lënë as të shkelim në atë pjesë. Humbja e besimit në vetvete prej njeriut më të thjeshtë ka bërë që faktori shqiptar është komplet i shpronësuar prej ndjenjës së shtetit të vet në Kosovë”, citohet të ketë thënë Daci, në kumtesën e lëshuar nga LDD.
Daci ka thënë për veriun faji është i të gjithëve dhe se lumenjtë dhe urat duhet të jenë ato që i bashkojnë njerëzit dhe jo t’i ndajnë.
“Nuk është e ndershme të fajësohet vetëm një individ kur i lëshohet presioni i krejt dynjasë. Asnjë lloj pavarësie e institucioneve të Kosovës deri sot nuk ekziston. Duhet thënë të vërtetën. Shikoni çka ndodh me ofertën për lëvizje të lirë. Para 5-6 viteve të njëjtat fjalë i ka thënë Evropa. Tash të njëjtat fjalë bile i rëndojnë ngase 5 shtete të BE-së ende nuk e kanë pranuar Kosovën. Ndërsa Kosova detyrohet t’ia bëj të gjitha të mirat Beogradit për ta marr kandidaturën për BE. Duhet t’i lëmë të këqijat në mes veti kur është në pyetje kufiri shtetëror”, ka thënë Daci.