Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në paraqitjet e fundit është shfaqur i ashpër ndaj Bashkimit Evropian. Kryeministri thotë se Brukseli duke mos i shtyrë proceset integruese, po e mban gjallë industrinë e konflikteve në Ballkan. Ai kërkon nga BE-ja të përshpejtojë hapat për integrimin e Kosovës, në të kundërtën ka paralajmëruar rrezikun e ndryshimit të kufijve.
Këto kërcënime të Thaçit vijnë në kohën kur Kosova ende nuk e ka marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, derisa procesi integrues i Prishtinës ende është në fazën fillestare, shkruan Express.
Në një shkrim të publikuar në “European Voice”, Thaçi ka adresuar kritika të drejtpërdrejta ndaj Brukselit
“Pse ndodh që ne ende nuk e kemi tejkaluar jostabilitetin dhe nuk e kemi bërë Evropën më të sigurt? A u mungon vullneti apo fuqia vendimmarrësve në Bruksel për të përshpejtuar procesin integrues evropian për shtetet e mbetura të Ballkanit Perëndimor? A janë vendimmarrësit në Bruksel të vetëdijshëm se duke stërzgjatur këtë proces, ata pa qëllim janë duke ndihmuar që të mbahet gjallë industria e konflikteve në Ballkan?”, kishte shkruar Thaçi.
Pavarësisht mirëkuptimit që është shfaqur nga ambasadorët në Prishtinë për këto deklarata, Ambasadori francez, Jean Francois Fitou, ka treguar arsyet e ngecjes së rajonit në rrugën e integrimeve. Ai po ashtu ka qenë i drejtpërdrejtë në reagimin e tij ndaj Thaçit.
Fitou ka thënë se Thaçi ka të drejtë të kërkojë hapa konkretë nga BE-ja, por fillimisht ia ka rikujtuar se problemi nuk është vetëm tek Unioni, sa i përket ecjes së Kosovës në proceset integruese.