Të ardhurat e familjes Obama më 2011 790 mijë dollarë

Presidenti Barack Obama dhe Zonja e Parë Michelle paguan mbi 162 mijë dollarë taksa vitin e kaluar, 20.5 për qind nga të ardhurat e tyre prej 790 mijë dollarësh. Shtëpia e Bardhë bëri publike dokumentat për taksat që ka paguar presidenti dhe familja e tij, në një moment kur përqindja e taksave që paguajnë qytetarët është bërë një çështje kyçe në garën presidenciale të këtij viti.
Presidenti Obama dhe nënpresidenti Joe Biden kanë bërë thirrje këtë javë që milionerët të paguajnë një minimum prej 30 për qind të të ardhurave, që e kanë quajtur “rregulli Buffett” falë investitorit miliarder Warren Buffett që ka thënë se nuk është e drejtë që ai paguan një përqindje më të vogël taksash sesa sekretarja e tij. Plani do të rriste përqindjen e taksave për ata që fitojnë të paktën 1 milionë dollarë.
Rivali i mundshëm republikan i presidentit Obama në zgjedhjet e nëntorit, milioneri Mitt Romney pagoi 13.9 për qind taksa për vitin 2010. Shtëpia e Bardhë tha se Obamat e fituan rreth gjysmën e të ardhurave të tyre nga rroga presidenciale prej 400 mijë dollarësh e Presidentit, ndërsa pjesën tjetër nga shitja e kopjeve të librave të tij.
Obamat njoftuan gjithashtu se u kanë dhuruar mbi 172 mijë dollarë vitin e kaluar për 39 shoqatave të ndryshme bamirëse. 

Suarez: Unë dhe Carroll do të shënojmë

Sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez, këmbëngul se Andy Carrol dhe ai mund të jenë të suksesshëm dhe të shënojnë ndaj Evertonit në gjysmëfinale të FA Cup.
“Menaxheri nuk ka vendosur ende për ekipin, por besoj se do të luaj përkrah Carrollit dhe do të bëjmë rrezik për portën kundërshtare. Ne nuk kemi funksionuar 100 përqind mirë së bashku, por është momenti për të ndryshuar situatën”.
“Andy shënoi golin e fitores te Blackburni të martën dhe është i lumtur për këtë. Dhe ajo fitore na ka rritur moralin para derbit”, ka thënë Suarez.

Heynckes kërkon fitore ndaj Mainzit

Trajneri i Bayernit të Munichut, Jupp Heynckes, thotë se ekipi i tij duhet ta mposhtë Mainzin për të rifituar besimin të shtunën në sfidën që zhvillohet në Giuseppe Meazza.
“Ne duhet të jemi realistë, por unë kurrë nuk kam bërë deklarata të pa matura. Unë do ta shfrytëzoj dhe atë shpresën e fundit që ka mbetur. Ne kemi synime tjera të mëdha”.
“Është gjëja e vetme që mund të bëjmë. Duhet të vazhdojmë luftën, kemi potencial enorm, kështu që duhet të bëjmë më të mirën. Ne duhet të tregojmë karakter dhe të ndezim motorët. Lojtarët e mi mund ta bëjnë këtë, sepse të gjithë janë top lojtarë. Duhet të mësoni t’ia dilni me disfatat, është pjesë e lojës”, është shprehur Heynckes.

Të martën klipi i ri i Rita Orës

Ajo nuk di të ndalet. Rruga e saj drejt kulminacionit të famës dhe të karrierës prej një pop ylli vetëm e sa po shkurtohet. Është përsëri ajo, që me gjithë vështirësitë ka arritur të futet në mesin e artistëve si Nicki Minaj dhe David Guetta në top videot e javës që vjen.
VEVO ka publikuar videoklipet që priten më me padurim për t’u lansuar gjatë javës, ndërsa në videon që shihni më poshtë, ku janë të përfshirë Jessie J, Niki Minaj dhe David Guetta, një hapësirë e njëjtë sikur të lartpërmendurve i është dhënë edhe këngëtares kosovare, për dallim prej herës së kaluar ku ajo ishte përfshirë vetëm në kuadër të fushatës “VEVO Lift UK artist”.
Kënga e re me klip e Rita Orës e cila do të lansohet të martën titullohet “How We Do (Party)”, një këngë dinamike kjo e përshtatshme për atmosferë të festive.
Projekti i ri i Ritës vjen pak kohë pas lansimit super të suksesshëm të videoklipit me reperin britanik, Tinie Tempah, “R.I.P”.

Bllaca: Armën për vrasje e kam marrë nga Azem Syla

Nazim Bllaca ka thënë se kishte ngrënë një darkë të mirë në një restorant në Prishtinë, natën e 6 gushtit 1999. Pak minuta më parë kishte vrarë një njeri. Për këtë vrasje kishin festuar...
Nazim Bllaca thotë se kishte vrarë Ibush Kllokoqin me një armë që e kishte marrë nga Azem Syla, deputet në Kuvendin e Kosovës, shkruan Koha Ditore.
Dëshmitari bashkëpunues, që po pretendon se ka qenë pjesë e një skuadre ekzekutimesh të Shërbimit Informativ të Kosovës, ka treguar të premten para një trupi gjykues në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë për motivin e kësaj vrasjeje dhe misionin që kishte ky shërbim: kërcënime, rrahje dhe vrasje. Pikërisht për vrasje ka folur më së shumti.
“Te hotel ‘Victory’ nga vetura ka zbrit Faruku (Fahredin Gashi v.j.) dhe e ka marrë armën ‘Shkorpion’ nga një veturë tjetër xhip, ku ka qenë Azem Syla dhe shoferi i tij. Xhipi ka qenë 10 metra larg nesh”, ka thënë Nazim Bllaca, gjatë dëshmisë kundër Sadik Abazit, Fahredin Gashit, Shpresim Ukës, Shaban Sylës, Bekim Sylës, e Driton Hajdarit.

EULEX-i nuk i paralajmëron arrestimet!

Misioni Evropian për Rend dhe Ligj, EULEX, të premten ka lëshuar një deklaratë për media përkitazi me shkrimin e publikuar në Gazetën Express për mundësinë që së paku katër zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës të arrestohen nën dyshimet për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës zyrtare. Ky mision kundërshton artikullin, por nuk e demanton atë.
“EULEX-i dëshiron të kundërshtojë artikullin e publikuar në Express më datën 12 prill 2012, në të cilin pretendohet se një prokuror ndërkombëtar ka paralajmëruar arrestimin e disa zyrtarëve të qeverisë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga EULEX-i të premten.
Gazeta Express, duke u thirrur në pohimet e një prokurori ndërkombëtar, ka shkruar se pritet që së shpejti të arrestohen disa zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës. Burimi i gazetës ka thënë se cak i organeve të drejtësisë do të jenë zyrtarë të rangut të lartë, ministra, por edhe një Zëvendëskryeministër.
Në komunikatë, EULEX thotë se asnjë zyrtar i saj i përgjegjshëm nuk do të fliste me gazetarët për këto tema. Më tej, misioni evropian sqaron se “nuk i paralajmëron arrestimet e as nuk komenton rreth hetimeve që janë duke vazhduar”.
Burime të Expressit, të afërta me Prokurorinë Speciale të Kosovës, kanë thënë se ky mekanizëm që përbëhet nga prokurorë evropianë dhe kosovarë, është në përfundim e sipër të procedurave të nevojshme ligjore para lëshimit të fletarrestimeve për katër zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
Aktualisht, nën hetime është zëvendësministri aktual i Financave, Astrit Haraqija dhe zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi. Nuk dihet nëse këta dy zyrtarë do të jenë në listën e njerëzve që pritet të arrestohen.

Bangladeshi premton njohjen e Kosovës

Kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina ka bërë të ditur se qeveria e saj po e shqyrton seriozisht njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Ne po e monitorojmë situatën. Mund të dëgjoni lajme të mira”, ka thënë kryeministrja duke iu përgjigjur një pyetje të një studenti në Universitetin e Ankarasë, ku ka mbajtur një ligjëratë, transmeton indeksonline.
Ky shtet kishte premtuar disa herë njohjen pas sugjerimeve të vazhdueshme të ambasadorit amerikan atje. 

NATO nuk lejon trazira

KFOR-i i ka marrë udhëzimet nga NATO-ja që të përdorë të gjitha mjetet për të mos lejuar trazira në veri.
Si rezultat, trupa paqeruajtëse e NATO-s ka paralajmëruar institucionet e Kosovës që të mos i përdorin incidentet e fundit për nxitje politike, ngase KFOR-i nuk do të lejojë edhe një situatë të ngjashme me atë të marsit 2004.
“Na e ka bërë të qartë se KFOR-i do të mbrojë popullatën civile dhe se nuk do të kursehet për të ndaluar turmat e ngjashme si ato të vitit 2004”, i ka thënë Kohës Ditore një zyrtar i lartë i institucioneve të Kosovës.
Sipas gazetës, KFOR-i e vlerëson eksplodimin që mori jetën e Selver Haradinajt si të izoluar dhe pa prapavijë ndëretnike. Ndërsa, paralajmërimet janë bërë në takimet e shumta të zyrtarëve të KFOR-it me ministra, me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe me presidenten Atifete Jahjaga. Mesazhin, veç të tjerash, e ka sjellë në Kosovë komandanti i NATO-s në komandën e Napolit, admirali Bruce W. Clingan.
Paralajmërimet e NATO-s janë vënë në praktikë në natën mes të enjtes dhe të premtes, kur një patrullë e njësisë speciale të PK-së, ROSU, që ishte nisur nga Peja si përforcim për njësinë në Mitrovicë, është përcjellë nga KFOR-i, duke u kujdesur që të mos lejojnë nisjen eventuale të tyre për në veri.

“Tripi” qeveritar në Dubai

Pluhuri i kryeqytetit nuk do t’i “prekë” dhjetëra zyrtarë të dikastereve të ndryshme qeveritare, të cilët punën e tyre në zyra do ta “zëvendësojnë” në njërin nga hotelet luksoze të Dubait.
Për të “shëtitur” pesë ditë në Dubai, ekzekutivi i vendit është treguar dorëlirë, ngase për këtë “trip” nga buxheti i vendit janë ndarë jo më pak se 2500 euro për një person, shkruan Zëri.
E tërë kjo shumë e parave do të jepet në emër të trajnimit të kandidatëve për shërbim civil, sistem të pagave dhe të drejtën e punës, trajnim ky që do ta organizojë kompania private “Ekspertiza”.
Por, trajnimi nuk përfundon vetëm brenda mureve të hotelit. Me mjetet e taksapaguesve kosovarë zyrtarët qeveritarë do të shëtisin nëpër vende të caktuara të njërit nga qytetet më të shtrenjta në botë.
“Besoj që zyrtarët nuk dërgohen atje për trajnim por për shëtitje... Atje zakonisht shkohet për shiping, e si duket kjo është arsyeja e udhëtimi”, thekson deputetja e Vetëvendosjes, Alma Lama.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se nuk e ka idenë se për çfarë trajnimesh bëhet fjalë. I pyetur se si ka mundësi që të paguhen dy mijë e pesëqind euro për një person dhe pse qeveria ka pranuar t’i dërgoj zyrtarët në Dubai, Kuçi ka thënë: “Nga ju (Zëri) po dëgjojë për këtë”.
Drejtori i Organizatës për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, Avni Zogiani, thotë se fakti që është vendosur që të ketë trajnime në Dubai, lë për të dyshuar se do të ketë keqpërdorime të parasë publike.

Marchisio: Përjetë te Juventusi

Mesfushori i Juventusit, Claudio Marchisio, ka pranuar se ai do të dëshironte që të qëndronte tërë jetën te Juventusi, duke zbuluar se ai ndjen që është një prej liderëve brenda skuadrës së Contes.
“Sigurisht, unë do të dëshiroja të qëndroj përgjithmonë te Juventusi. Por, tani për tani po mendoj vetëm për këtë sezon”.
“Synimi im personal është që ta kthej Juventusin në rrugët fituese. Unë jam i fokusuar që të fitoj në të tashmen se sa në të ardhmen”, ka potencuar Marchisio. 

Stramaccioni: Te Interi patjetër duhet të fitosh

Trajneri i Interit, Andrea Stramaccioni, ka bërë shaka se presidenti i klubit, Massimo Moratti, e ka vënë një klauzolë në kontratën e tij e cila thotë se fitorja është opsioni i vetëm.
“Në fund të intervistës sime ai më tha: “trajner, ti duhet të fitosh. Ne duhet të fitojmë”. Është një marrëveshje e thjeshtë. Mendoj se është një klauzolë kjo që presidenti ma ka vënë për njëqind vitet e ardhshme. Ai kërkon këtë nga të gjithë trajnerët”.
“Është diçka e thjeshtë, një anekdotë, një shaka, por vërtet ndodhi. Ai kërkoi këtë nga ne: Të bëjmë mirë dhe të fitojmë. Është një klauzolë në kontratën time, pasi kur je te Interi duhet që patjetër të fitosh”, ka thënë Stramaccioni.

Wenger: Shpenzimet varen nga rezultatet

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka zbuluar se shpenzimet gjatë verës varen nga pozita që klubi i tij do ta ketë në fund të sezonit në Ligën Premier.
“Ne duam ta fitojmë titullin. Varet nga vendi ku do të përfundojmë që të vendosim se sa do të blejmë. Politika jonë nuk ka ndryshuar: do të jemi ambiciozë dhe do të shpenzojmë në mënyrë racionale”.
“Ne duhet ta mbajmë momentumin dhe të tentojmë të përfundojmë mbi pozitës së sezonit të kaluar”, është shprehur Wenger.

Alvarez: I kuptoj vërshëllimat

Mesfushori i Interit, Ricky Alvarez, ka pranuar se ka qenë e vështirë të luajë nën vërshëllimat e njërit prej seksionëve të tifozëve, por ai i kupton Nerazzurët.
“Unë kuptoj tifozët dhe kuptoj vërshëllimat e tyre. Ata janë mësuar të shohin një Inter ndryshe, me lojtarë të ndryshëm të cilët kanë shkathtësi të ndryshme”.
“Gjithmonë ka njerëz që nuk ju pëlqejnë. Por, mendoj se ka mënyra të ndryshme për të parë përkushtimin tuaj në fushë dhe unë po bëj maksimumin që të mos i zhgënjej tifozët, që të fitojomë. Unë po luaj tani me më shumë besim në krahasim me kohën kur kam ardhur. Ne vazhdojmë të besojmë në vendin e tretë”, ka thënë Alvarez. 

Më në fund të martohet çifti Pitt-Jolie

Menaxherja e Brad Pitt ka konfirmuar spekulimet duke thënë se aktori i njohur i ka propozuar martesë partneres së tij afatgjate, Angelina Jolie.
Lajmi vjen vetëm dy ditë pasi Jolie shfaqi një unazë të pa parë më herët në gishtin e saj gjatë një vizite në një muze të artit kinez në Los Angeles. Vetëm disa orë pas spekulimeve të shumta mbi atë se çfarë mund të jetë kjo unazë, del në skenë menaxherja e Pitt, e cila ka pranuar për mediat se Pitt i ka propozuar martesën aktores.
“Është histori e gjatë krijimi i kësaj unaze. Brad Pittit i është dashur një vit i plotë për ta krijuar këtë unazë, me dizajn unik dhe me diamant unik. Ata i kanë dhënë premtimin njëri-tjetrit për t’u martuar. Nuk ka datë të martesës për momentin”, ka deklaruar menaxherja e Pitt, Cynthia Pett-Dante.

"Messi më i miri në histori"

Mesfushori i Barcelonës, Xavi, ka deklaruar se ai beson që bashkëlojtari i tij, Lionel Messi është në rrugë të mirë për t’u shndërruar në futbollistin më të mirë të të gjitha kohërave.
Argjentinasi e ka fituar Topin e Artë tri vitet e kaluara dhe së fundmi është shndërruar në golashënuesin më të mirë të klubit dhe atë vetëm në moshën 24 vjeçare. Këto dhe të arriturat tjera e bëjnë Xavin të besojë se Messi është në rrugë të drejtë për t’u shpallur më i miri.
“Nëse ai vazhdon kështu atëherë mendoj se Messi do të jetë lojtari më i mirë në histori të futbollit”, ka theksuar Xavi për FIFA.com. 

Mourinho: Jam trajner i madh

Bosi i Real Madridit, Jose Mourinho, ka thumbuar edhe njëherë të gjithë ata që e urrejnë, pasi ka deklaruar në mënyrë tendencioze se ai mendon për vete se është trajner i madh, pas të arriturave që ka në karrierën e tij.
“Të flasësh për veten nuk është e lehtë, sepse gjithmonë është rreziku që njerëzit të mendojnë se jeni egoist”.
“Por, duke marrë parasysh se çfarë kam arritur, unë e konsideroj veten, në një mënyrë shumë pragmatike, të jem trajner i madh”.
“Unë e shoh veten në fazat finale të karrierës pas 20 vitesh. Unë do të përfundoj në maje në moshën 65 apo 70 vjeçare dhe të vazhdoj të jem krenar me karrierën time. Futbolli do të jetë pjesë e rëndësishme e jetës time deri në ditën që do të pensionohem, sepse më pas do të mbarojë gjithçka për mua. Unë nuk do të jem ai njeri që do të ndalojë tërësisht pjesëmarrjen në futboll, që ndalet përgjithmonë së luajturi futboll apo së drejtuari një skuadër, por do të jem ai që do të dështojë të jetojë në paqe edhe pas pensionimit”, ka deklaruar Mourinho. 

Rexhepi: KFOR-i kishte informata të gabuara

Fillimisht u tha se një njësi i KFOR-it kishte kontrolluar bazën e forcave speciale të policisë së Kosovës - ROSU në Mitrovicë. Por, më vonë u tha se ishte keqkuptim.
“E kanë pasur një patrullë edhe janë tërhequr, kanë pasur informata të gabuara, dhe janë tërheq sot”, ka thënë për “Tribuna Shqiptare”, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. “Nuk ka pasur asnjë incident”, ka thënë Rexhepi.
Edhe Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, ka hedhur poshtë raportimet e disa mediave në Prishtinë, ku thuhet se KFOR-i gjatë gjithë natës së kaluar, ka ruajtur dhe vëzhguar bazën e forcave speciale të policisë së Kosovës në Mitrovicë, pasi ka pasuar një informacion se ROSU do të intervenoj në veriun e Mitrovicës natën ndërmjet të enjtes dhe të premtes.

Allegri: Do ta fitojmë titulin

Bosi i Milanit, Massimiliano Allegri, nuk ka dyshime se ekipi i tij do ta mbrojë titullin e kampionit të Italisë këtë sezon.
“Unë ende besoj se do ta fitojmë titullin. Ne do të luftojmë për titull, por e dimë se do të jetë e vështirë”.
“Të dielën mbrëma ne do të shohim se ku jemi, por kanë mbetur edhe shumë ndeshje. Ne duhet të rikthehemi në maje të tabelës”, ka deklaruar Allegri para ndeshjes ndaj Genoas.
Juventusi ka një pikë më shumë se Milani në renditjen tabelare në Serie A pas disfatës që Milani pësoi javën e kaluar nga Fiorentina në San Siro.

Mancini: Do ta mbaj punën

Bosi i Manchester Cityt, Roberto Mancini, është i bindur se pronarët e klubit janë në krah të tij dhe se do të vazhdojnë ta përkrahin.
“Kur erdha këtu pronarët më thanë që të shkojmë në Ligën e Kampionëve dhe të luftojmë për titullin brenda dy-tri vitesh. Pas një viti ne zëmë vendin e tretë dhe fituam FA Cup. Në vitin e dytë, ne kemi luftuar për titull deri tani. Gjatë gjithë kohës, njerëzit thonë se kemi shpenzuar. Por, nuk është sikurse ekipet tjera. Në gjashtë-shtatë vitet e fundit edhe ne sikur ata kemi shpenzuar vetëm 400-500 milionë funte”.
“Ne nuk kemi blerë Ronaldon, Messin ose Iniestën. Nëse do të kishim blerë Messin, atëherë do të duhej të fitonim. Ne do të kishim një lojtar që shënon nga dy gola çdo ndeshje. Por, ne kemi blerë lojtarë të rinj që mund të përmirësohen së bashku”, ka deklaruar Mancini. 

Maradona: Pele është budalla

Legjenda argjentinase, Diego Maradona, ka akuzuar rëndë Pelen, duke e quajtur atë budalla për pohimet se Neymar është më i mirë se sa Lionel Messi.
Pele ka deklaruar të enjtën se Lionel Messi është shumë larg Neymarit, të cilit sipas tij i mungon vetëm përvoja në futbolin evropian.
“Zoti im, ky është budalla. Ndoshta Neymar është lojtari më i mirë në botë, por vetëm nëse thuani që Lionel Messi është nga planeti tjetër”, ka theksuar Maradona.

Jones: Qesharak progresi i Scholes

Mbrojtësi i Manchester United, Phil Jones, thotë se Paul Scholes është aq i mirë, sa që e bën atë të qesh.
Scholes ka luajtur rol të madh në tejkalimin e Manchester Cityt dhe rikthimin e United në majen e tabelës së Ligës Premier dhe gjithë kjo i duket sikur një shaka e madhe mbrojtësit të ri anglez.
“Ai është lojtar fantastik. Kur e shihni atë në stërvitje, gjërat që ai bën, është vërtet shaka. Ai është sikurse magnet për topin. Pozicionimi i tij e bën atë mjeshtër dhe aftësia për të pranuar dhe pasuar topin është madhështore”, ka potencuar Jones.

Ronaldo ka gola sa krejt Liverpooli

Statistikat impresionuese të Cristiano Ronaldos, mund të maten me një klub të tërë. Portugezi deri më tani shënoi 40 gola, një më shumë se Leo Messi, pas (hat-trick-ut) që e shënoi në derbin lokal kundër Atl. Madridit.
Sipas analizave të bëra i bie se Ronaldo ka shënuar më shumë se 52 skuadra nga 98 në total sa janë pjesëmarrës në top 5’ ligat evropiane.
Më i suksesshëm është se 12 skuadra spanjolle, 9 skuadra italiane ku poashtu janë zhvilluar 32 xhiro. Ka statistika më të mira se 9 skuadra angleze por atje janë zhvilluar 33 xhiro kurse sipas kësaj Ronaldo ka shënuar gola i vetmuar sa krejt skuadra e Liverpoolit.
Ka shënuar më shumë se 8 skuadra gjermane e Bundesliga ka zhvilluar 30 xhiro dhe më i mirë se plot 14 skuadra franceze ku është zhvilluar java e 31.
Ronaldo gjatë këtij edicioni shënoi 20 gola në udhëtim ndërsa vetëm Barcelona (30) dhe Rayo Vallecano (20) kanë shënuar më shumë gola se Ronaldo.

Kryeministri uron besimtarët ortodoksë për Pashkët

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar qytetarët e besimit ortodoksë, të cilët në Kosovë shumicën e përbëjnë serbët, për Festën e Pashkëve.
 “Festa e Pashkëve simbolizon idenë e Ringjalljes së vlerave shpirtërore dhe filozofike, besimin në të mirën e jetës, kulturës dhe idealeve të përbashkëta të njerëzimit” thuhet në urimin e kryeministrit.
“Të gjithë jemi përgjegjës për ndërtimin e vendit tonë dhe po punojmë bashkërisht për ta bërë Kosovën shtet me të cilin të gjithë do të krenohemi, vend të sigurt dhe me perspektivë për fëmijët tanë”.
"Qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të kremtojnë festat e tyre në paqe e tolerancë, në solidaritet dhe mirëkuptim. Duke besuar se në familjet tuaja do të mbretërojë lumturia, mirëqenia dhe paqja, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju shpreh urimet më të sinqerta për Festën e Ditëve të Pashkëve”, thuhet në telegram.

KFOR-i lëshon demant, ROSU është partner i yni!

E plotësuar: Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka hedhur poshtë raportimet e disa mediave në Prishtinë se gjoja pjesëtarët e tij kanë bastisur Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës – ROSU.
 “Këtë javë ka pasur dy incidente të raportimeve të rrejshme në media. Raportimi i tretë i pasaktë ka ndodhur sot në lidhje me raportet tona me Policinë e Kosovës”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KFOR-it, Uve Nowicki. Ai ka thënë se misioni i NATO-s e konsideron Policinë e Kosovës si partnerin më të besueshëm dhe më të aftë kur është në pyetje sigurimi i ambientit të qetë dhe të sigurt.
“KFOR-i kurrë nuk e ka parë nevojën për të kontrolluar apo monitoruar ndonjë element të Policisë së Kosovës, andaj edhe hedh poshtë raportimet e sotme të rreme”, ka deklaruar Nowicki. Ai ka thënë se “thashethemet e tilla shërbejnë vetëm për të minuar bashkëpunimin tonë të ngushtë me partnerët”.
Reagimi ka ardhur pas një shkrimi të botuar në “Koha Ditore”, ku thuhet se KFOR-i gjatë gjithë natës, ka ruajtur dhe vëzhguar bazën e forcave speciale të policisë së Kosovës, ROSU në Mitrovicë. Burime ndërkombëtar i kanë thënë gazetës me kushte anonimiteti se KFOR-i ka pasuar një informacion se Njësia speciale e policisë së Kosovës e njohur si ROSU do të intervenoj në veriun e Mitrovicës natën ndërmjet të enjtes dhe të premtes. 
Ndërkohë, Shaban Shala, Kryesues i Departamentit të Njësive Speciale të policisë së Republikës së Kosovës, në një prononcim për TV ‘Dukagjini’, ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë urdhri për nisjen e ROSU-së në veri.
Shala ka deklaruar se ka një zinxhir komandues që funksionon, ndërsa lëvizjet e Njësive ROSU nga Peja për në Mitrovicë, që janë raportuar nga mediat, i ka quajtur lëvizje në kuadër të detyrave që kanë pjesëtarët e këtyre njësive speciale. Shala po ashtu ka demantuar që KFOR-i të ketë bastisur bazën e Njësive Speciale Opertaive të njohura si ROSU.

Mourinho hesht deri në fund të sezonit

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka marrë vendim që të vazhdojë heshtjen e tij mediatike deri në fund të sezonit, por do të paraqitet në konferenca për shtyp në ndeshjet për Ligën e Kampionëve, ashtu siç përcaktojnë rregullat e UEFA-s.
Ish-bosi i Interit, i cili njihet për deklaratat e tij kontraverse, ka vendosur të heshtë deri në fund të sezonit dhe kjo ka irrituar trajnerin e Sporting Gijon, i cili pos që ka izoluar veten, e ka izoluar gjithë ekipin e tij para ndeshjes ndaj Realit.
Los Blancos takohen me Sporting Gijonin të shtunën në ora 20:00 në Santiago Bernabeu.
Real Madridi është lider në La Liga me katër pikë më shumë se Barcelona para El Clasicos së 21 prillit. 

Pique rikthehet në stërvitje

Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, është një hap larg që të bëjë rikthimin e tij në fushë, pasi 25 vjeçari vazhdoi të stërvitet për ndeshjen ndaj Levantes në transfertë.
Spanjolli pësoi një lëndim në gju në fitoren me rezultat 3-1 ndaj Milanit në Ligëne Kampionëve dhe janë 10 ditë që prej se ai mungon, ndërsa tani i është rikthyer ekipit.
Ndeshja tejet e rëndësishme për të dyja skuadrat do të zhvillohet në Estadio Ciudad de Valencia të shtunën në ora 22:00.
 

Shkencëtarët: në Mars ka jetë 99%

Në korrikun e vitit 1976 një sondë e lëshuar në Mars nuk pati arritur të sjell ekzemplarët të cilët do të konfirmonin ekzistencën e jetës, mirëpo, tri dekada më vonë, shkencëtarët mendojnë se ai eksperiment nuk pati dhënë rezultatet e vërteta.
Viking 1 nuk pati arritur të gjej dëshmi për ekzistencën e jetës, më saktë të mikrobeve të huaja në ekzemplarët e tokës së marrë.
Analiza matematikore e ekzemplarëve solli përfundimin se në ekzemplarë deri diku janë ndryshuar vlerësimet fillestare – dhe se ata në të vërtetë përmbajnë shenja të fuqishme të jetës.
Me analizën e re janë kërkuar shabllone më komplekse në tokë – diçka që do të mund të sugjeronte se kishte jetë. Në habinë e vet shkencëtarëve, ata ia arritën të gjejnë diçka interesante.
“Analizat e fundit sugjerojnë për ekzistencën e jetës në Mars dhe ato përkrahin faktin se Viking 1 në të vërtetë ka gjetur mikrobe në Mars”, tha një nga shkencëtarët nga instituti Kek.
Përsëritja e kontrollimit të ekzemplarëve është nisur pas zbulimit të “perklorhidratit” në ekzemplarët e marrë nga lokacioni tjetër në të cilin ka zbarkuar sonda Feniks në vitin 2008.
Shkencëtarët që kanë kryer eksperimentin janë të ndarë rreth përfundimeve të cilat mund të nxjerrin këto rezultate. “Zbulimi i materieve organike nuk është dëshmi e jetesës, ose se kishte jetesë, kjo është vetëm dëshmi e ekzistencës së materieve organike”, tha Christofer McKey nga qendra e hulumtimeve Ames e NASAs.
“Dëshmi ultimative do të ishte incizimi i baktereve të panjohura . Duhet dërguar një mikroskop me të cilin do të shikonim nëse këto baktere lëvizin. Në bazë atë asaj çfarë kemi zbuluar deri tani, 99 për qind jemi të sigurt se ka jetë në Mars”, mendon Josef Miller nga shkolla e medicinës Kek.
Mirëpo, përkundër mospajtimeve, shkencëtarët shpresojnë se misioni i radhës i dërguar në Mars do të arrij të marr 100 për qind përgjigje të saktë në përgjigjen nëse ka jetë në atë planet, e kjo mund të ndodhë me reverin Curiosity i cili është lansuar në nëntorin e vitit 2011. 

Komisioni për siguri rekomandon masa për veriun

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, rekomandon Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës, për të ndërmarrë masa konkrete për vendosjen e rendit dhe sundimin e ligjit në pjesën veriore të Kosovës.
 Ahmet Isufi, kryetar i Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të premten, tha se Komisioni, pasi ka shqyrtuar situatën e sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë në veri, ka marrë vendim që t’i drejtohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, me disa rekomandime për të ndërmarrë masa konkrete për vendosjen e rendit dhe sundimin e ligjit në këto komuna.
Komisioni rekomandon MPB-në dhe Policinë e Kosovës të dëshmojnë përmbushjen e misionit për vendosjen e rendit dhe kushtetutshmërisë pasi pavarësisht situatës së ndjeshme dhe specifikave që ka shteti i Kosovës, institucionet e saj duhet të marrin vendime dhe të çojnë përpara gjërat me interes për qytetarët e vendit.
Po ashtu rekomandohet të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur qytetarët të cilët mund t’iu nënshtrohen kërcënimeve ose veprimeve diskriminuese, armiqësisë apo dhunës, si rrjedhojë e identitetit të tyre kombëtar, etnik, kulturor, gjuhësor ose fetar.
Komisioni vlerëson se Policia e Kosovës në bashkëpunim me Qeverinë dhe organizmat tjerë përgjegjës, duhet të ndërmarrin hapa konkret që të sigurohet jeta, prona dhe lëvizja e lire në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës në mënyrë që të parandalohet vendosja e ligjit në duar të individëve.
Ndërkaq, 15 ditë pas pranimit të këtyre rekomandimeve, ministri i Punëve të Brendshme dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, obligohen të raportojnë në Komision, për situatën në tri komunat veriore të Kosovës. Andaj, sipas komisionit, ata urgjentisht duhet të planifikojnë dhe të ndërmarrin masa që të sigurojnë zbatimin e Kushtetutës në tërë territorin e Republikës së Kosovës. 

Thaçi kërkon koordinim për të vendosur rend në veri

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur të premten në një takim komandantin e KFOR-it, gjeneralin Erhard Drews, zëvendës shefin e EULEX-it, Andy Sparks, përfaqësuesin special të BE-së, njëkohësisht shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, si dhe zëvendës ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Michael Marfy, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
 Kryeministri Thaçi ka theksuar vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit si dhe shmangien e incidenteve ndëretnike në veri të Kosovës. Ai ka theksuar se për të arritur këto objektiva nevojitet rritje e koordinimit dhe e vendosmërisë së mekanizmave ndërkombëtare dhe vendore të sigurisë.
Të gjithë të pranishmit në takim dënuan ashpër aktin terrorist të ndodhur javën e kaluar në Mitrovicë, në të cilin humbi jetën qytetari i Kosovës, Selver Haradinaj.
Lidhur me incidentin e arrestimit të dy policëve kosovarë nga Serbia, kryeministri Thaçi tha se Policia e Kosovës ka autoritetin e vet kushtetues dhe ligjor për të vepruar. “Kushdo që pretendon qoftë edhe një centimetër të cenojë integritetin territorial të Kosovës, apo dinjitetin e uniformës së policisë së Kosovës, policia e ka mandatin të përdorë gjithë autoritetin kushtetues dhe ligjor, qoftë edhe përballë xhandarmërisë serbe”, theksoi kryeministri.
Sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit, ata u dakorduan për angazhimin e koordinuar që në veri të Kosovës të vendoset rendi dhe ligji, dhe në këtë mënyrë të hapet perspektiva e zhvillimit ekonomik dhe e funksionimit demokratik të institucioneve legjitime edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës.

Republika Serbe “s’lejon njohjen e Kosovës”

Bosnjë e Hercegovina nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, pasi këtë nuk do të lejojë Republika Serbe, e cila është një faktor i domosdoshëm për stabilitetin e Bosnjës, ka thënë presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik.
Ai ka thënë se Kosovën e kanë njohur artificialisht fuqitë e mëdha për të ndëshkuar Serbinë.
“Kosovën e kanë njohur artificialisht fuqitë e mëdha për të ndëshkuar Serbinë dhe popullin serb, për ta poshtëruar atë edhe një herë. Andaj, Kosova nuk mund të marrë legjitimitetin e Republikës Serbe”, transmetojnë mediat në Beograd deklaratën e Dodikut.
Ai ka thënë se Republika Serbe, pavarësisht presioneve të palës boshnjake, nuk do të lejojë që kjo çështje të shqyrtohet.
“Në Bosnjë nuk mund të kryeni asnjë punë pa pajtimin e Republikës Serbe, e cila mbron interesat dhe synimet e saj”, ka thënë Dodik, për të shtuar se “Kosova është burim i jostabilitetit afatgjatë në rajon”.
Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar për mediat boshnjake se është koha që Sarajeva të pranojë pavarësinë e shtetit kosovar, të shpallur më 17 shkurt të 2008-së.