Cech: Ronaldo ndër dy më të mirët në botë

Portieri i Republikës Çeke, Petr Cech, ka lavdëruar Cristiano Ronaldon pas fitores 1-0 të Portugalisë ndaj çekëve.“Nuk është një ndjenjë e mirë për ne sonte. Ne humbëm. Ata ishin më të mirë dhe merituan të fitojnë”.
 
“Ronaldo është një prej dy lojtarëve më të mirë në botë, dhe ai e dëshmoi këtë me atë golin e tij me kokë. Ai vërtet është vështirë të ndalohet”, ka thënë Cech pas disfatës së mbrëmshme.
 
Portugalia në gjysmëfinale të Euro 2012 do të takohet me Spanjën ose Francën, të cilët përballen mes veti të shtunën.

Blanc: Do ta sulmojmë Spanjën

Trajneri i Francës, Laurent Blanc, do t’i udhëzojë djelmoshat e tij të luajnë lojën e tyre të zakonshme sulmuese gjatë përballjes së të shtunës ndaj Spanjës në çerekfinale të Euro 2012.Blanc ka analizuar paraqitjet e skuadrës së Vicente del Bosque në ndeshjet e fazës grupore dhe ka ardhur në përfundim se mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga kampionët në fuqi të Evropës dhe Botës është t’i sulmosh ata.
 
“Këtë mëngjes i kam shikuar ndeshjet Kroaci-Spanjë dhe Itali-Spanjë. Këto dy ekipe i shkaktuan probleme Spanjës. Ata kishin mundësi dhe kishin shanse ta fitojnë ndeshjen”.
 
“Duke shikuar dyja ndeshjet, kishte një që preferonte të mbrohej dhe një tjetër që preferonte të luajë lojën e tyre; shpresoj Franca ta zgjedhë të dytën”, ka thënë Blanc. 

Nani krenar me fitoren e Portugalisë

Ylli i Manchester United, Nani, është krenar që ishte pjesë e fitores së Portugalisë në çerekfinale të Euro 2012 ndaj Republikës Çeke.“Kisha disa shanse, Ciristiano pati, dhe Almeida po ashtu. Në fund Ronaldo e shënoi një gol, ne e fituam ndeshjen dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”.
 
“Çdokush është i lumtur, ne të gjithë jemi të kënaqur me rezultatin. Çdo ndeshje bëhet edhe më e vështirë, por ishte një paraqitje e shkëlqyeshme nga të gjithë lojtarët sot dhe e gjithë skuadra është plot vetëbesim. Tash ne duhet të pushojmë dhe të përgatitemi për ndeshjen e madhe”, ka thënë Nani.

Arsenali me kontratë të re për Oxlade-Chaberlain

Alex Oxlade-Chamberlain do të fitojë kontratë të re nga Arsenali pas përfundimit të kampionatit Evropian.
Daily Mail bën të ditur se Oxlade-Chamberlain është në radhë për një marrëveshje të re me Arsenalin e cila do t’ia rrisë atij dukshëm pagën.
18-vjeçari, i cili aktualisht fiton rreth 15 mijë funte në javë, mund të presë një rritje të majme të pagës kur bisedat të fillojnë më vonë gjatë kësaj vere.
Biseda të ngjashme Topçinjtë do të zhvillojnë edhe me mesfushorin spanjoll Mikel Arteta, i cili ka impresionuar në sezonin e tij të parë me klubin.

Chelsea nuk ka bërë ofertë për Hulk

Presidenti i Portos, Pindo da Costa, thotë se asnjë ofertë nuk ka arritur në adresë të tij për sulmuesin Hulk.
PSG dhe Chelsea, që është favorit për të transferuar Hulk, janë lidhur me angazhimin brazilianit këtë verë. Por në adresë të klubi portugez nuk ka arritur ende asnjë ofertë për lojtarin.
“Sipas gazetave, Hulk do të kishte shkuar që moti, por ajo çfarë unë mund t’ju siguroj sot është se Porto ende nuk ka pranuar asnjë ofertë për të”, ka thënë Da Costa për Antena 1.

Reali rivalizon United për Modric

Real Madridi është duke përgatitur një ofertë në vlerën e 30 milionë eurove për mesfushorin e Tottenhamit, Luka Modric.
Daily Mail shkruan se trajneri i Realit, Jose Mourinho, u ka thënë drejtuesve të klubit të adresojnë një ofertë për kroatin.
Madrilenët janë të bindur se do të mund ta përmbyllin marrëveshjen para rivalit Manchester United, që vazhdimisht lidhet me një transferim të 26-vjeçarit.
Modric dëshiron të largohet nga White Hart Lane për të kaluar në një skuadër që luan në Ligën e Kampionëve. Shtuar këtu edhe problemet e Tottenhamit që tash është edhe pa trajnerin Harry Redknapp, largimi i kroatit duket më se i mundshëm. 

Metzelder: Van der Vaart i përshtatet Schalkes

Christoph Metzelder ka porositur Schalken të transferojë mesfushorin e Tottenhamit, Rafael van der Vaart, derisa klubi gjerman është duke kërkuar një lojtar të profilit të lartë pas largimit të Raul.
Legjenda e Real Madridit pati dy vite të suksesshme në Veltins Arena, para se të largohet për në klubin nga Katari, Al Sadd, këtë verë, për të lënë një zbrazëtirë në sulmin e skuadrës.
“Pas largimit të Rau, Van der Vaart sigurisht se do të ishte zëvendësim i klasit. Por mendoj se ne më shumë duhet të mbështetemi në zgjidhje të brendshme. Julian Draxler është një prej kandidatëve, mendoj”, ka thënë Metzelder për Bild.

Moratti mbron Balotellin

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka dalë në mbrojtje të yllit të Manchester Cityt, Mario Balotelli.
Moratti beson se italiani duhet të pranohet ashtu siç është.
“Unë gjithmonë jam në gjendje të fal gjithçka. E kam idenë se si është Balotelli, pasi e njoh që kur ai ishte djalosh. Ai ka një familje të mahnitshme, që e admirojnë dhe mbrojnë atë dhe ai e shpaguan dashurinë e tyre”.
“Por ka diçka në të që e bën atë mosbesues ndaj çdokujt, edhe ndaj atyre që e respektojnë, siç është rasti me Prandellin, që e ka ftuar atë në ekipin kombëtar”, ka thënë Moratti.

Miami Heat kampion i ri i NBA-së

LeBron James ka arsyetuar titullin MVP i sezonit pasi drejtoi skuadrën e tij Miami Heat drejt titullit të kampionit të NBA-së pas fitores së mbrëmshme 121-106 ndaj Oklahoma City Thunder.
Pasi humbën ndeshjen e parë finale ndaj Thunder, Heat fituan të katër ndeshjet tjera dhe mbrëmë vulosën dilemën duke mbyllur serinë e ndeshjeve me rezultat 4-1.
James bëri një paraqitje brilante, duke realizuar triple-double me 26 pikë, 11 kërcime dhe 13 asistime dhe u emërua MVP i ndeshjeve finale pasi përfundimisht fitoi kurorën e kampionit pas tre pjesëmarrjesh në finale.
Edhe pesë lojtarë të tjerë te Heat shënuan pikë dyshifrore, përfshirë Chris Bosh me 24 pikë dhe rezervën Mike Miller me 23 pikë.
Kampioni i trefishtë i NBA-së, Kevin Durant, udhëhoqi te Thunder me 32 pikë, derisa Russell Westbrook dhe James Harden shënuan secili nga 19 pikë për skuadrën nënkampione të NBA-së.

Ky ishte titulli i dytë për Miamin pas triumfit në vitin 2006 dhe ka fshirë ca kujtimet e hidhura nga disfata nga Dallas Mavericks në finalet e vitit të kaluar.

Interi kërkon Bosingwan

Interi ia ka vënë syrin mbrojtësit të Chelseat, Jose Bosingwa.
Portugezi është pa kontratë që nga fundi i sezonit të kaluar dhe mendohet se i është ofruar Barcelonës.
Por tash në garë për të është edhe Interi, që e sheh portugezin si zëvendësim për brazilianin që pritet të largohet, Douglas Maicon. 

Sampdoria afër angazhimit të Benitez

Sampdoria raportohet se është shumë afër mbylljes së një marrëveshje me ish-trajnerin e Liverpoolit, Rafa Benitez.
Sky Sport 24 bën të ditur se spanjollit i është ofruar marrëveshje trevjeçare nga klubi italian. Paga e tij besohet të jetë rreth 1.5 milionë euro në vitin e parë 2 në vitin e dytë dhe 2.5 në vitin e tretë.
Benitez ka përvojë në kampionatin italian, pasi drejtoi Interin për gjysmë sezoni nga ku u shkarkua në fund të 2010-tës për shkak të rezultateve të dobëta, dhe që atëherë është i papunë.

Guardiola nuk negocion me Bayernin

Agjenti i ish-trajnerit të Barcelonës, Pep Guardiola, ka mohuar negociatat me Bayern Munichun.
Përfaqësuesi i Guardiolës ka thënë se spanjolli është i vendosur të pushojë një vit nga futbolli.
“Është humbje kohe. Pep nuk e di se çfarë dëshiron të bëjë në pranverën e vitit 2013. Pesë ose gjashtë klube kanë shfaqur interesim, por Pep nuk e dëshiron asnjërin. Ndoshta gjërat do të duken më ndryshe në shkurt dhe mars”.
“Për momentin ai ma ka ndaluar mua të kontaktoj me ndonjë klub, pasi kjo vetëm se ofron më shumë hapësirë për spekulime”, ka thënë Jose Maria Orobitg për Kicker

Bashkohen Seldi dhe Sinani?

Dy këngëtarët Seldi dhe Sinan Hoxha siç duket do të bashkohen sërish.
Pas disa keqkuptimeve mes dy këngëtareve, ata do të jenë të ftuar në një koncert në Kroaci.
Dyshja asnjëherë nuk ka dashur të rrëfejë për mospajtimet e tyre, por që nuk e kanë mohuar mundësinëqë në të ardhmen sërish do të bashkëpunojnë

Anxhela motivohet nga i nxehti

Modelja shqiptare Anxhela Martini, e cila jeton dhe vepron në Nju Jork, tashmë ka hapur kompaninë e saj të bikinive.
Anxhela përveç si modele, tash ka filluar punën edhe në industrinë e modës, duke krijuar linjë të veshjeve të brendshme që mban markën ‘Martini Bikini Collection’.
Në rrjetin social ‘Twitter’, Anxhela ka pohuar se moti i nxehtë është duke e motivuar që të punojë në koleksionin e bikineve.
"Po shijoj kohën e nxehtë në New York, po më motivon edhe më tepër për të punuar në koleksionin Martini Bikini'', ka shkruar modelja në Twitter. 

Shpat Kasapi së shpejti me këngë të re

Këngëtari Shpat Kasapi është duke u përgatitur për projektin e tij të radhës.
Kësaj radhe Shpati do të vijë në bashkëpunim me një artist të ri i quajtur AZ. Dyshja tashmë ka realizuar këngën të titulluar “Mos thuaj”.
Kënga është regjistruar në Shkup dhe është kompozuar nga DJ Suat. Ndërsa videoklipi i kësaj kënge pritet të realizohet së shpejti. 

Pse janë femrat më seksi pasi të lindin fëmijë

Edhe pse shumë nëna të reja nuk kanë kohë që menjëherë t’i kushtojnë vëmendje rikthimit në formë pas lindjes së fëmijës, ato nuk kanë arsye për t’u shqetësuar. Është treguar se pikërisht kjo gjendje i bën ato më seksipile.
Sipas psikologëve, ka shumë arsye pse nënat e reja janë më joshëse. “Më lehtë është që këtë ta shpjegosh me anë të kualitetit si nënë. Nënat e plotësojnë rolin e tyre të kujdesit, ndërsa disa prej tyre tregojnë dashuri të jashtëzakonshme ndaj fëmijës. Këto janë kualitetet që i bëjnë ato më atraktive”, thonë psikologët australianë.
Kur kjo kombinohet me aspektet seksuale të të qenit nënë, gjinjtë rrethorë dhe fytyra e plotë, u jep nënave të reja një kombinim të veçantë të seksualitetit dhe butësisë që nga pala e kundërt konsiderohet shumë e dëshiruar.

Kërcitja e dhëmbëve në gjumë

Kërcitja e dhëmbëve ndodh kur njerëzit janë të stresuar, të zemëruar apo të shqetësuar. Është mirë që para se të bini në gjumë, të kafshoni një mollë.
Shpesh, telashet ditore tendosin, për ç’arsye natën, në gjumë shtrëngojmë fuqishëm nofullat. Kjo mund t'i dëmtojë dhëmbët dhe të shkaktojë kokëdhembje e dhembje të muskujve të fytyrës.
Prandaj, para se të bini në gjumë, ‘relaksoni’ nofullat me përtypjen e një molle të thartë.
Gjatë periudhës së gjumit, nëse dikush në mënyrë të pandërgjegjshme i shtrëngon dhe kërcet dhembet e tij quhet bruksizëm.
Bruksizmi është një lloj veprimi pa ndjenja. Pacienti nuk është i vetëdijshëm për këtë.

Flipboard vjen edhe në Android

Flipboard ka qenë një aplikacion i jashtëzakonshëm për platformën mobile të Apple, iOS, ndërsa tani i njëjti vjen edhe në Android, dhe është kompatibil për të gjitha pajisjet e këtij sistemi operativ të cilat mbështeten në Android 2.2 Froyo dhe versionet më të reja.
Flipboard për Android vjen me disa funksione të reja të cilat përfshijnë edhe mbështetjen për rrjetin social, Google+, si dhe rrjetet tjera sociale si Facebook dhe Twitter.
“Aplikacioni i famshëm i iOS u mundëson njerëzve të shohin gjithçka në një vend të vetëm. Prej momenteve më të mira, e deri tek gjërat që kanë më shumë rëndësi. Shfletoni nga postimet e Twitter, e deri tek mediat si BBC, USA Today apo The Verge. Nga fotografitë e Instagram e deri tek revistat e famshme të Rolling Stone” thuhet në njoftimin e Flipboard.
Flipboard tani është në dispozicion për shkarkim në Google Play, ndërsa më shumë detaje mund të gjenden pikërisht në këtë dyqan të aplikacioneve. 

Shpëtimi i leopardit (Video)

Një leopard, i cili kishte rënë në një rezervuar uji në regjionin indian Haskhowa, është shpëtuar pas disa orë përpjekjesh të banorëve lokalë dhe rojeve.
Derisa po bënte gjueti në pyll, leopardi ka rënë në ujë, ndërsa shpëtimtarët i kanë ndihmuar me anë të një rrjeti dhe ai më pas është kthyer në pyll... 

Përfundojnë mbjelljet pranverore, 8 mijë hektarë më shumë

Kanë përfunduar mbjelljet pranverore të kulturave bujqësore levërtare në tërë territorin e Kosovës. Rezultatet e para të këtyre mbjelljeve tregojnë se, krahasuar me një vit më parë, fermerët kosovarë i kanë shtuar sipërfaqet e mbjella me kulturat pranverore.
Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), ka njoftuar se në bazë të të dhënave të raporteve të 32 drejtorive komunale bujqësore, gjithsej sipërfaqe të mbjella në këtë vit janë rreth 112 mijë hektarë me kultura pranverore, nga mbi 114 mijë hektarë sa ishin planifikuar, që tregon se këto të mbjella janë realizuar në masën prej 98 për qind.
Prej këtyre, 64340 hektarë janë mbjellë me misër, 14699 me perime, 6750 me patate, 1562 hektarë me elb pranveror, 567,5 fasule monokulturë, 2366 jonxhë, 963 bimë industriale, 4059 bimë foragjere, etj.
Ndërsa, bazuar në të dhënat e drejtorive komunale për bujqësi, vitin e kaluar kanë qenë të mbjella rreth 104 mijë hektarë me kultura pranverore, nga rreth 110 mijë sa kanë qenë të planifikuara.
Për të shtuar prodhimtarinë vendore, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, këtë vit për herë të parë është duke i mbështetur fermerët edhe në mbjelljet pranverore të kulturës bujqësore të misrit, kolzës dhe sojës me nga 100 euro për sipërfaqet që janë në përputhje me kriteret e përcaktuara në shpalljen publike

Arian Zeka Drejtor i Odës Amerikane

Bordi i Drejtorëve të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka emëruar për drejtor ekzekutiv të kësaj Ode Arian Zekën.
Në një komunikatë të OEAK-së theksohet se emërimi i Zekës është bërë në pajtim me Statutin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Zeka i është bashkuar Odës Amerikane në nëntor të vitit 2009, si udhëheqës i Departamentit të Politikave e më vonë si zëvendësdrejtor i Odës Amerikane.
Përvoja e tij e mëparshme e punës përfshin angazhimin në Shoqatën e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës, Projektin e USAID-it për stabilitet dhe rritje ekonomike, Projektin e Bankës Botërore për Zhvillimin e Rinisë, Agjencinë e Lajmeve Kosova Live dhe Programin e Trajnimit të Trupave të Mbrojtjes të Kosovës. 

Zvogëlohen investimet kapitale, rriten shpenzimet

Pagat e Zyrës së Kryeministrit do t’i kushtojnë 48 mijë euro më shtrenjtë buxhetit të vendit. Nga 614 punëtorë sa kishte në fillim të vitit, kjo zyrë tanimë ka të punësuar 622 veta. Rishikimi i buxhetit i solli në shfrytëzim 181 mijë euro dhe 8 punëtorë më shumë vetëm zyrës që udhëhiqet nga Hashim Thaçi. Kryeministri ka firmosur dokumentin në të cilin figurojnë edhe 91 mijë euro më shumë shpenzime të luksit për zyrën e tij. Nga 763 mijë euro, sa ishte planifikuar, pas rishikimit të buxhetit shpenzimet për mallra dhe shërbime të Zyrës së Kryeministrit janë rritur në 854 mijë euro.
Më shumë në paga, mallra e shërbime do të shpenzojnë edhe deputetët. Kuvendit do t’i takojnë 252 mijë euro më shumë buxhet. Nga këto mjete parlamentarëve u është dhënë e drejta që t’i rrisin shpenzime në paga nga 5 milionë e 272 mijë euro, në 5 milionë e 382 mijë euro.
Ministrisë së Financave i është zvogëluar për 4 milionë euro buxheti. Nga 43 milionë euro sa parashihej në buxhetin primar, kësaj ministrie për këtë vit në total do t’i takojnë 39 milionë euro pas rishikimit. Por, pas të njëjtit proces, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka përfituar 1 milion e 289 mijë euro më shumë buxhet. Kryesisht, këto mjete do të shpenzohet për njësinë e zhvillimit ekonomik. Ani pse për këtë resor ekziston ministri e veçantë, për zhvillimin ekonomik pas rishikimit të buxhetit Ministria e Tregtisë do të shpenzojë 7 milionë e 49 mijë euro, nga 5 milionë e 927 mijë euro. Njësoj, Ministrisë për Zhvillimin Ekonomik do t’i ndahen rreth 3 milionë euro më shumë buxhet pas rishikimit. Nga 39 milionë euro, sa ishin planifikuar në dokumentin primar, rishikimi do t’i sjellë në arkë Ministrisë së Zhvillimit 42 milionë euro, shkruan Koha Ditore.
Me shifra të përafërta me ato të Ministrisë së Tregtisë, është rritur edhe buxheti dedikuar Ministrisë së Infrastrukturës. Kjo ministri do të ketë në dispozicion 280 milionë e 471 mijë euro pas rishikimit të buxhetit. Nga ndërtimi i autostradës Morinë-Merdar Qeveria ka planifikuar të kursejë 400 mijë euro, porse ende mbetet projekti më i shtrenjtë i financuar nga buxheti në vlerë prej 239 milionë e 200 mijë eurove. Ministrisë së Arsimit i është rritur buxheti për rreth 2 milionë euro, për aq sa është zvogëluar buxheti i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Në tabelën e përgjithshme, investimet kapitale janë zvogëluar për 2 milionë euro duke rënë në 615 milionë euro. Rishikimi i buxhetit tregon se Qeveria ka rritur shpenzimet për mallra dhe shërbime, nga 198 milionë, sa pati ndarë në buxhetin primar, në 204 milionë euro. Në këtë dokument, është paraqitur vlerë e njëjtë e madhe e shpenzimeve për subvencione dhe transfere, përderisa vlera e subvencioneve për ndërmarrjeve publike është për 6 milionë euro më e vogël. Nga 37 milionë euro, sa u pati premtuar në buxhetin vjetor, Qeveria planifikon që t’u ndajë në total 31 milionë euro këtyre ndërmarrjeve

James Berisha: Me Egjiptin dhe Libinë përfundon misioni

“Misioni ‘Flying for Kosovo’ nuk do të mbetet në rrugë”. Kështu ka deklaruar piloti shqiptaro-amerikan, James Berisha, i cili që një kohë të gjatë e ka nisur këtë mision me qëllim lobimin nëpër shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, me theks të veçantë në shtetet e kontinentit Afrikan.
Ai ka thënë para mediave se pas lirimit të tij nga burgimi në njërin prej shteteve të Afrikës, është rehabilituar dhe ka filluar me mbledhjen e fondeve tjera për ta përfunduar edhe pjesën e mbetur të këtij misioni.
Berisha ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet që ta vazhdojnë këtë mision, duke lobuar në Libi dhe Egjipt, me të cilat shtete sipas tij, përfundon edhe ky mision.
“Ne jemi gati për t’u nisur, unë po nisem për në Sudan për ta rregulluar aeroplanin, për ta përfunduar Egjiptin edhe Libinë dhe me aq misioni po përfundon ‘Flying for Kosovo’, ka thënë ai, njofton “KosovaPress”.
Mirëpo, sipas pilotit Berisha, në vazhdimin e këtij rrugëtimi, ka thënë se ka premtime që zyrtarisht do t’i përcjellë Qeveria e Shqipërisë, kurse mbështetjen morale ia ka lënë Qeverisë së Kosovës.
“Qeveria e Shqipërisë ka qenë e mrekullueshme, ka thënë se në këto dy shtete që kanë mbet, ne do t’ju përcjellim zyrtarisht, që është një gjë shumë e rëndësishme. Para se me fillu fluturimi i parë unë do të jem në komunikim me Qeverinë e Shqipërisë, kështu që, të shkojmë në mënyrë ma të organizuar, ma zyrtare, vetëm kanë premtuar që ata do të jenë me neve gjatë tërë kohës. Me siguri që edhe këta e ndiejnë obligim moral me na përcjellë tash e tutje”, ka thënë ai.
Sa i përket ndihmave financiare për këtë mision, Berisha ka thënë se Qeveria e Kosovës në fillim të misionit ka ndihmuar, kurse kohëve të fundit, sipas tij, nuk kanë marrë ndonjë ndihmë financiare prej saj.

Kosovën e pret rrugë e gjatë për të realizuar reformat

Anëtarë të delegacionit të Komisionit për integrime evropiane i Kuvendit të Kosovës kanë theksuar se populli i Kosovës është i diskriminuar dhe i izoluar për shkak të mos heqjes së vizave, megjithëse BE-ja ka shënuar lëvizje lidhur me Kosovën.
Kështu kanë deklaruar anëtarët e Komisionit.... në takimin punues ndërparlamentar në Mal të Zi, me temë “Roli i parlamentit në procesin e negociatave të pranimit në BE”.
Delegacioni i Kosovës i prirë nga Lutfi Haziri, gjatë diskutimit të tyre në këtë samit foli për rolin e Parlamentit të Kosovës, duke theksuar faktin se ekziston një konsensus i të gjitha partive politike për të çuar përpara agjendën evropiane.
“Komisioni parlamentar për Integrime Evropiane brenda këtij viti ka rekomanduar për seancë 34 ligje, ndërsa 26 ligje janë kërkuar nga Raporti i Progresit të KE-së që të miratohen gjate vitit 2012. Shumica nga këto ligje tashmë janë miratuar”, sqaroi Haziri.
U tha se aktualisht, Kosovën e pret një rrugë e gjatë dhe e mundimshme me reformat, të cilave u paraprijnë krijimi i ligjeve, por edhe forcimi i institucioneve që të zbatojnë ligjin.
“Kriteret për liberalizim të vizave të cilat ne duhet t’i përmbushim janë: siguria e dokumenteve, migracioni dhe menaxhimi i integruar i kufirit”, tha Haziri, duke sqaruar më tej se këto ditë në Kuvend do të jetë edhe Projektligji për Letërnjoftime Biometrike.
Në këtë samit u diskutua edhe për skepticizmin që ekziston lidhur me zgjerimin e BE-së, si dhe për sfidat ekonomike financiare me të cilat përballet BE-ja.

FBI ndihmon në rastin Asanaj

Ambasada Amerikane në Prishtinë ka njoftuar se SHBA-të janë pajtuar që t’i ofrojnë ndihmë autoriteteve kosovare për të hetuar vdekjen e Dino Asanaj, ish-drejtor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i cili është edhe shtetas amerikan.
Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi në një mbledhje të Qeverisë i pati bërë thirrje mekanizmave përgjegjës vendorë e ndërkombëtarë për t'i hetuar të gjitha rrethanat e vdekjes së Asanajt.
Ai pati thënë se nuk do të lejojë që "shantazhi, krimi dhe dhuna" të pengojnë ekonominë e lirë të tregut në Kosovë, si dhe ka shfaqur gatishmërinë për të vepruar po ashtu kundër, siç i ka quajtur ai, grupeve mafioze që “nuk e kuptojnë” këtë lloj të ekonomisë.
“Qeveria e Kosovës ka kërkuar ndihmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të hetuar vdekjen e z. Dino Asanaj, ish-Drejtor i Agjencionit Kosovarë të Privatizimit dhe njëherit shtetas Amerikan. Pasi që e konsideron si të duhur Qeveria Amerikane është pajtuar të ofroj ndihmë, kështu që Byroja Federale e Hetuesisë (FBI) pran Departamentit Gjyqësorë të Shteteve të Bashkuara ka komunikuar me Policinë e Kosovës për hapat e mëtutjeshëm”, thuhet në kumtesën e Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Megjithëse fillimisht vdekja e Asanajt ishte cilësuar si vrasje, mjekët ligjorë në Kosovë kanë thënë se në bazë të autopsisë, Asanaj ka bërë vetëvrasje, duke i shkaktuar vetes 11 prerje dhe therje me thikë.
Rezultatet e autopsisë i ka konfirmuar edhe misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX. 

Policia me plan operativ për Vidovdanin

Lëvizja e lirë për qytetarët shqiptarë që jetojnë në veri, vazhdon të jetë problem. Kështu u tha të premten në takimin e Komitetit të Sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.
Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala, tha se banorët e fshatrave shqiptare të Leposaviqit, vazhdojnë të përballen me probleme të mëdha sa i përket qarkullimit të lirë. Ai tha se me minibusin që lëviz nëpërmjet Zveçanit nuk guxojnë të udhëtojnë të rinjtë, nga frika e ekstremistëve serbë.
Poashtu ai theksoi se edhe banorët shqiptarë që jetojnë në Kodrën e Minatorëve në veri të qytetit kanë probleme të mëdha për lëvizje të lirë. Tha se autobusi i tyre sulmohet shumë shpesh prej grupeve ekstremiste serbe që tentojnë të frikësojnë dhe dëbojnë shqiptarët nga veriu.
Drejtori Bala, kërkoi nga strukturat e sigurisë që të krijojnë kushte për liri të lëvizjes për të gjithë, meqë këto rrethana e kanë vështirësuar se tepërmi jetën e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në veri. “Vetëm hapat konkretë dhe të vendosur do të ndryshojnë për të mirë gjendjen në veri”, tha ai.
Në këtë takim u fol edhe për përgatitjet për të menaxhuar situatën me 28 qershor apo Vidovdanin, me ç’rast pritet serbët kanë paralajmëruar marshim sikur vitet tjera në drejtim të Gazimestanit. Bala tha se ka njoftime se më atë datë drejt Kosovës nga Serbia do të marshojnë motoristë të shumtë, mandej tifozë të klubeve sportive, por edhe organizata të ndryshme nacionaliste e kriminale.
Ai tha se strukturat e sigurisë duhet të jenë të përgatitura në mënyrë që situata të menaxhohet mirë dhe të mos ketë incidente.
Lidhur me këtë, Nexhip Gashi nga drejtoria rajonale e policisë, tha se sikur vitet tjera edhe sivjet është përgatitur plani operativ për Vidovdan. Tha se do të rritet numri i policisë në mënyrë që të parandalohen problemet.

Cooper: Në tabelë vetëm ylli, jo edhe shpjegimi

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Robert Cooper ka thënë se marrëveshja për përfaqësimin rajonal të Kosovës nuk parasheh që në tabelën para delegacioneve të Kosovës, të shkruhet edhe fusnota.
Sipas tij, në tabelë mund të qëndrojë ylli, ndërsa “diku tjetër shpjegimi se çfarë do të thotë ai”.
“Kjo është një gjë qesharake për diskutim. Qëllimi i fusnotës është që të bëhet e qartë se nuk ka paragjykime për statusin. Kjo do të thotë se kur uleni në një tryezë me dikë që ka përpara emrin Kosovë, ky nuk është akt i njohjes”, ka thënë Cooper për mediat serbe.
I pyetur se ku e ka origjinën problemi me fusnotën, Cooper ka thënë se “pala serbe disa herë ka ngritur çështjen rreth paraqitjes së fusnotës në tabelat me emrin e Kosovës, ndërsa “pala kosovare kurrë nuk ka thënë se kjo është në rregull ose plotësisht e papranueshme”.
Në muajin shkurt, në kuadër të dialogut në Bruksel, Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës.
Marrëveshja parasheh paraqitjen e Kosovës me fusnotën e cila përmban Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Duke folur për vazhdimin e dialogut, Cooper ka deklaruar se “është vështirë të thuhet se si do të duket ai, derisa të mos formohet Qeveria e Serbisë dhe të dëgjohen të gjithë aktorët politikë në Beograd”, transmeton Rel.
“Tomisllav Nikolic ka thënë se si president ka përgjegjësinë për të monitoruar negociatat, porse përgjegjësinë kryesore do ta ketë kryeministri”, ka thënë Cooper për “Novosti”-n.
Prishtina dhe Beogradi kanë nisur bisedimet për çështje teknike në mars të vitit të kaluar. Në nëntë raunde negociatash, palët kanë arritur 7 marrëveshje, por zbatimi i tyre ka ngecur.
Analistët kanë paralajmëruar se formati i bisedimeve mund të ndryshojë nga ai teknik në politik. 

“Vetëvendosje” mashtroi KQZ-në

Procesi i fundit elektoral në Komunën e Kaçanikut ka mundur të ndiqej edhe nga një vëzhgues që ndodhet nën hetime, lidhur me shkeljet e pretenduara në zgjedhjet e 2010-s. Ishte vëzhgues i lëvizjes “Vetëvendosje”, subjektit më të zhurmshëm opozitar që denoncon parregullsitë.
Janë nën hetime 122 komisionerë nga Kaçaniku, për parregullsitë që kishin shoqëruar procesin e fundit elektoral, para këtij për kryetar të Komunës.
Ka gati nga të gjitha partitë parlamentare. Prej tyre, vetëm E. L. i “Vetëvendosjes” kishte mundur të akreditohej si vëzhgues, pasi subjekti politik që i përket kishte bërë një trik për t’ia fshehur identitetin, njofton “Koha Ditore”.
Ia kishte ndërruar një shifër të numrit personal, dhe kjo kishte bërë që në procesin e verifikimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ky vëzhgues të mos vërehej që ishte nën hetime. Ndërhyrja ishte bërë në shifrën e shtatë, dhe në vend të 0 ishte shkruar shifra 1.

Për vjedhjen e arit edhe katër policë të dyshuar

Në “grepin” e Inspektoratit Policor të Kosovës, i cili po zhvillon hetimet rreth skandalit të fundit të ndodhur në dhomën e dëshmive në Stacionin Policor të Pejës, ku u vodhën 25.3 kilogramë ari, pritet të bien edhe katër pjesëtarë policorë, që dyshohen se janë të përfshirë në këtë hajni profesionale.
IPK ndërkaq, pritet që brenda dhjetë ditësh t’i përfundojë të gjitha hetimet lidhur me vjedhjen e arit në dhomën më të “hekurt”, të policisë në rajonin e Pejës, kanë thënë zyrtarë të Inspektoratit, shkruan “Zëri”.
Sipas tyre, të gjitha hetimet e zhvilluara deri më tani çojnë se në këtë rast dyshohet se janë të përfshirë edhe tre, katër zyrtarë tjerë policorë, përveç atyre që tashmë gjenden në arrest shtëpiak.
Kryeshefi i IPK-së, Fitim Shishani nuk i ka bërë publik emrat e policëve të cilët janë nën “llupën”, e Inspektoratit, për shkak të hetimeve të brendshme që janë duke u zhvilluar ndaj tyre, por është zotuar se nuk do të pushojnë për asnjë moment deri në ndriçimin e së vërtetës së këtij skandali.
Kryetari i Komisionit parlamentar për punë të brendshme dhe siguri, Ahmet Isufi në mënyrë të prerë ka kërkuar përgjegjësi më të lartë institucionale për rastin e Pejës.
“Me qëllim që në të ardhmen të mos ndodhin ngjarje të tilla, kërkoj përgjegjësi institucionale nga niveli i lartë, duke filluar nga hierarkia komanduese, e deri te politika udhëheqëse”, ka thënë Isufi. 

Thaçi largon Tahirin nga dialogu

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri nuk është më përfaqësuese e Kosovës në dialogun me Serbinë. Kryenegociatorja kosovare është lënë jashtë këtij procesi nga kryeministri i vendit Hashim Thaçi.
Të enjten, lehtësuesi i dialogut teknik, Robert Cooper, ka qëndruar në Prishtinë. Në Qeverinë e Kosovës ai është takuar me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me ministren e Integrimeve, Vlora Çitaku, por pjesë e këtij takimi nuk ka qenë edhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, shkruan “Koha Ditore”.
Burime të gazetës kanë thënë se në këtë mënyrë po paralajmërohet përfundimi i dialogut teknik me Serbinë dhe fillimi i atij politik. Në procesin e ri, Edita Tahiri nuk do të jetë më përfaqësuese e Kosovës.
Por, lehtësuesi i dialogut, Robert Cooper, gjatë takimit me kryeministrin ka folur ekskluzivisht vetëm për dialogun teknik, pasi që edhe vetë ai nuk është e sigurt nëse do të ndërmjetësojë procesin më të avancuar të bisedimeve, që do të bëhet ndërmjet dy të besuarve të dy kryeministrave të Kosovës dhe atij të Serbisë.
Sipas burimeve të gazetës, dialogu politik duhet të presë derisa në Serbi të zgjidhet qeveria e re, kryeministër i së cilës, sipas paralajmërimeve, pritet të jetë ish-presidenti Boris Tadic.
Sipas burimeve, presidenti i ri i Serbisë, Tomislav Nikolic, gjatë vizitës që ka pasur në Bruksel, ka shprehur gatishmëri që të takohet me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe të zbatojë marrëveshjet e arritura deri më tash në dialog, por ka preferuar që vazhdimi i procesit të bëhet ndërmjet dy qeverive.