Drejtori gjeneral i Real Madridit, Jose Angel Sanchez, ka insistuar se e ardhmja e trajnerit Jose Mourinho, as që është diskutuar në takimin e kryesisë që u mbajt sot. Marca raportoi të enjten se Iker Casillas dhe Sergio Ramos kanë kërkuar që trajneri portugez të largohet, sepse nëse ai qëndron ata do të largohen nga klubi. Kjo deklaratë nga gazeta e njohur spanjolle, menjëherë u demantua nga presidenti i klubit Florentino Perez gjatë një konference për shtyp. Ndërsa, tani edhe drejtori gjeneral i Realit e ka demantuar një gjë të tillë. “Mund t’iu siguroj se e ardhmja e Mourinhos as që është diskutuar ndonjëherë. Spekulimet që po sillen nëpër media janë asgjë veçse gënjeshtra të mëdha. Nuk mund të spekuloni gjëra kaq serioze”, ka thënë Sanchez për AS.