Odat kërkojnë listë tjetër prodhimesh që lirohen nga dogana

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) kanë ripërsëritur edhe një herë thirrjet e tyre të mëhershme për një pako gjithëpërfshirëse fiskale e cila do të ishte stimuluese për zhvillimin e sektorit të prodhimtarisë në vend. Duke shprehur shqetësimin e tyre se shumë prej mallrave apo lëndëve të para të propozuara për lirim nga detyrimet doganore nuk janë përfshirë në versionin e dytë të projektligjit që tashmë u është dërguar deputetëve, të dyja Odat u bënë thirrje Ministrisë së Financave, komisionit përkatës parlamentar, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin parasysh kërkesat e komunitetit të biznesit për të zgjeruar listën e produkteve në projektligjin në fjalë. Udhëheqësit e dy organizatave më të mëdha të biznesit të vendit Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, dhe Arian Zeka, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, kërkuan që “lista e produkteve të liruara nga obligimet doganore në projektligj të jetë gjithëpërfshirëse e jo selektive,” veçanërisht duke pasur parasysh eksportet gjithnjë e më të ulët të vendit dhe rritjen e ndjeshme të importeve. Gërxhaliu tha se pavarësisht premtimeve se nga detyrimet doganore do të lirohen të gjitha lëndët e para që nuk kanë mundësi të prodhohen në Kosovë, kjo nuk ka ndodhur, duke theksuar se Ministrisë së Financave i është dërguar një listë prej 400 mallrash. Ndërsa Zeka tha se rëndësia e një kërkese të tillë bëhet më e madhe duke e ditur shkallën e zhvillimit të kompanive vendore, ambientin afarist në të cilën ato veprojnë, dhe politikat fiskale të cilat janë zhvilluar nga politikëbërësit në vend, dhe faktin që Kosova vazhdimisht është ballafaquar me deficit të lartë tregtar, duke treguar një varshmëri të lartë në importe dhe kapacitet të vogël prodhues dhe eksportues. Ndër kërkesat e komunitetit të biznesit që janë paraqitur para zyrtarëve relevantë qeveritarë e që nuk janë marrë parasysh janë qymyri për prodhimin e avullit, petrol koksi, tullat refraktare, mëlmesa për çipsa, vaji i pallmës, kafja e gjelbër, e shumë të tjera, të cilat vërtetë nuk mund të prodhohen në Kosovë. Këtu theksohet se përfshirja e produkteve të sipërpërmendura, por edhe të produkteve tjera që shërbejnë si lëndë e parë dhe nuk mund të gjinden në Kosovë, në listën e produkteve të liruara nga detyrimet doganore në import, do t’i jep shtysë sektorit të prodhimtarisë në vend, duke e bërë atë më konkurrues në treg me prodhuesit e tjerë në rajon, dhe do të rrisë potencialin e prodhuesve të Kosovës për eksportim të produkteve me vlerë të shtuar drejt vendeve tjera. Në të njëjtën kohë udhëheqësit e të dyja odave shprehën edhe shqetësimet e tyre lidhur me disa çështje të tjera me të cilat po përballet së fundmi sektori privat në Kosovë.