Ministria e Infrastrukturës (MI) ka shpallur fituesin e tenderit për furnizim me kripë gjatë sezonit të dimrit për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale dhe regjionale, përfshirë edhe pjesën e shfrytëzueshme të autostradës. Tenderin në vlerë prej 969 mijë eurosh e ka fituar kompania “Euroni”, që është e regjistruar si biznes i prodhimit të kripës në Fushë-Kosovë.
Një garë e ngushtë është zhvilluar ndërmjet tri kompanie që ofertuan në këtë tender. Tenderi më i shtrenjtë në garë ka çmim më të lartë për vetëm 6 mijë euro nga fituesi. Por, nuk është bërë e ditur se cilat janë dy kompanitë tjera që kanë marrë pjesë në tender.
Në krahasim me vitin e kaluar, tenderi i furnizimit me kripë industriale për mirëmbajtjen e rrugëve në sezonin dimëror 2012-2013, është gati dyfish më i shtrenjtë. Kostoja përfundimtare e këtij tenderi i afrohet një milion eurove ende pa u bërë e qartë nëse do të ketë nevojë për më tepër kripë sesa kërkesa reale e Ministrisë së Infrastrukturës, shkruan Koha Ditore.
Zyrtarë të kësaj ministrie nuk kanë dhënë sqarime për gazetën në lidhje me tenderin për furnizim me kripë industriale, ani pse i njëjti tender është anuluar një muaj më parë.
Rreth një milion euro për kripën e rrugës
13:44
Unknown