PDK kërkon rivotim për vendimin që e votoi dje

Kuvendi i Kosovës ndërpreu punën thuaja sa e filloi. Vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës ka nisur të premten me kërkesën e Grupit Parlamentar të PDK-së që të kthehet në rivotim rekomandimi i miratuar dje për kushtëzimin e dialogut me Serbinë me ndriçimin e fatit të të pagjeturve.

Kryetari i këtij Grupi, Adem Grabovci, pasi lavdëroi unitetin e manifestuar të enjten të deputetëve rreth problemit të të zhdukurve, tha se më kot ishin miratuar dy dokumente për të njëjtën gjë dhe që, sipas tij janë në kundërthënie me njëri tjetrin.
Ai kërkoi që ato të harmonizoheshin dhe kërkoi që pastaj të rivotohej për to.
Mirëpo, kryesuesi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, u deklarua i vendosur se nëse rivotohet një vendim i miratuar dje nga Kuvendi, deputetët e kësaj partie do të braktisin seancën.
“LDK nuk dëshiron të jetë pjesë e shkeljes së procedurave dhe rregulloreve të Kuvendit. LDK s’është fajtore pse dikush nuk e din për çka ka votuar. Në kthehet në rivotim, ne braktisim seancën”, tha ai, njofton Koha.
Edhe Visar Ymeri i Vetëvendosjes po ashtu u deklarua kundër kërkesës së PDK-së, duke i vlerësuar arsyet e propozuara të pavërteta.
“Ato që i tha Grabovci janë të pavërteta. Mes rekomandimeve nuk ka kundërthënie”.
Me LDK-në e Vetëvendosjen ua bashkua edhe Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Të gjitha grupet e tjera parlamentare mbështetën kërkesën e PDK-së, por kur erdhi momenti i votimit, pasi LDK,VV e AAK braktisën seancën, mungonte numri i nevojshëm për të marrë çfarëdo vendimi.
Ndërkohë, kryesuesi, Xhavit Haliti dha një pushim, gjatë të cilës PDK shpreson të gjej një zgjidhje.