Kosova përfiton edhe 36.5 milionë euro nga BB-ja

Kosova përfiton një grant tjetër, si mbështetje buxhetore në vlerë rreth 36.5 milionë euro. Kjo shumë është aprovuar me nënshkrimin e marrëveshjes nga Ministria e Financave dhe Banka Botërore, marrëveshje kjo mbi Operacionin e Dytë për Politika Zhvillimore për Punësim të Qëndrueshëm e që synon uljen e papunësisë dhe varfërisë në vend.

Financimi është bërë kryesisht nga Banka Botërore, apo 23 milionë euro, kurse pjesa tjetër prej rreth 13.5 milionë eurosh janë ofruar nga donatorët bilateralë dhe multilateralë.
Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Jan Peter Olters, ka thënë se ndryshimet në politikat fiskale gjatë gjashtë mujorit të dytë të vitit të kaluar kanë bërë ekonominë e Kosovës mbi një bazë solide makroekonomike.
Sipas tij, më Programin Zhvillimor për Punësim të Qëndrueshëm (SEDPP), i është dhënë një shtysë e rëndësishme Kosovës për sanimin e disbalanceve makro-fiskale dhe për të kapërcyer disa prej pengesave kryesore për krijimin e punësimit të qëndrueshëm. “Përmes programit SEDPP ekonomia e Kosovës është kthyer në rrugën e drejtë, kjo duhet t’i ndihmojë Qeverisë në përmirësimin e shërbimeve publike që ofrohen firmave dhe ekonomive familjare, duhet t’u ndihmojë po ashtu edhe ekonomive në një konkurrencë të suksesshme që në tregun vendor apo të huaj, dhe duhet të reflektojnë në uljen e papunësisë dhe punësimit joformal si dhe në uljen e varfërisë. Unë besoj se edhe pa mbështetjen e SEDPP-së, Qeveria do të mund të vazhdojë këto lloje të politikave dhe të vendos ekonominë e Kosovës në një cikël të dobishëm të dinamikës së vet përforcimit të prodhimit vendor. Derisa Kosova ka arritur progres të rëndësishëm në forcimit e kornizës ligjore në fushën kyçe të ekonomisë dhe menaxhimit të politikave financiare, akoma mbesin edhe disa sfida”, ka thënë ai.
Olters, ndër të tjera, madje duke folur në gjuhën shqipe, ka thënë se kjo po ndihmon në zgjidhjen e potencialit zhvillimor socio-ekonomik dhe në zbutjen e varfërisë.
Ai ka pohuar se SEDPP-ja ka rëndësi për Kosovën, ngase ka shkallë të lartë të papunësisë dhe nivelin më të ulët të të ardhurave për kokë banori në Evropë, raporton Kosovapress.
Ndërsa ministri i Financave, Bedri Hamza, është zotuar në plotësimin e kritereve që përmban marrëveshja. Mbesim të përkushtuar që t’i plotësojmë kriteret ta përmbushim marrëveshjen, kemi shumë nevoja, shumë prioritete por kemi një top prioritet, ajo është ruajtja e stabilitetit makrofiskal, sigurisht këto fonde do të përdoren në dobi të qytetarëve të Kosovës, në dobi të zhvillimit ekonomik të Kosovës, në sektorët që janë prioritet edhe për Qeverinë e Kosovës, ku Banka Botërore dhe donatorët tjerë po kontribuoni”, ka thënë ai.
Ky operacion është aktiviteti më i madh i përbashkët financiar në Kosovë që ndihmon në kufizimin e kostos së transaksioneve për Qeverinë dhe 10 donatorët .