Gati plani për veriun!

Dukagjin Gorani, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se institucionet kosovare janë duke finalizuar planin për integrimin e veriut të Kosovës, i cili, sipas tij, është shumë i përshtatshëm dhe paraqet platformën fillestare për normalizimin e gjendjes.

Ende nuk dihet për çfarë plani bëhet fjalë, pasi me gjithë kërkesën e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar dhe të disa ambasadorëve, autoritetet vendore vazhdimisht kanë deklaruar se nuk ka plan tjetër për integrimin e veriut, përveç Planit të Ahtisaarit.
Sidoqoftë, Goranit ka thënë se zgjidhja duhet të gjendet në bisedimet e autoriteteve të Prishtinës me serbët e veriut, ndërsa Beogradi, siç ka thënë ai, vetëm mund të ndihmojë këtë proces.
“Gjithçka varet nga niveli politik i banorëve në veri, të cilët Qeveria e Kosovës do që t’i afirmojë dhe t’i inkurajojë për të pranuar realitetin”, ka thënë Gorani për mediat serbe, raporton REL.
“Zgjidhja më reale për veriun e Kosovës është Plani i Ahtisaarit, porse zbatimin e tij e pengojnë grupet e atjeshme kriminale, të cilat tash e 13 vjet pengojnë vendosjen e rendit dhe qetësisë”.