Policia me plan operativ kundër zgjedhjeve serbe

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, ka deklaruar se Policia e Kosovës është duke e përgatitur planin operativ për të penguar organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Republikës së Kosovës.

Ministri Rexhepi ka thënë se do të ftohen edhe EULEX-i, edhe KFOR-i që të ndihmojnë realizimin e këtij plani, pasi me organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe, situata mund të tensionohet.
“Derisa Serbia pretendon se do t’i mbajë zgjedhjet, atëherë ne si institucione të Kosovës duhet të jemi të gatshëm të reagojmë, jo vetëm ditën e zgjedhjeve. Duhet të shfrytëzojmë të gjitha mjetet demokratike..., do të ndalojmë hyrjet e personave të paautorizuar në kufij dhe materialeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet”, ka thënë Rexhepi për emisionin Debat të RTK-së.
Ai ka thënë se KFOR-it nuk ka obligime ndaj zgjedhjeve, por sipas tij, nëse grupet radikale serbe përpiqen të organizojnë tubime elektorale nxitëse, atëherë forcat paqeruajtëse nuk do të mund të qëndrojë duarkryq, por të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët.
Ministri Rexhepi ka thënë se pret dhe shpreson se faktori ndërkombëtar do të jetë i vendosur për të mos lejuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Ai ka thënë se Serbia duhet të dijë se procesi integrues në Bashkimin Evropian nuk merr fund me statusin e kandidatit.
Rexhepi po ashtu ka thënë se qasja ndaj veriut duhet të ndryshojë, pasi situata nuk mund të ndërrohet me deklarata nga distanca. Për këtë ai ka thënë se edhe ai edhe kryeministri Hashim Thaci, janë të gatshëm të takohen me përfaqësuesit e serbëve të veriut, por jo si kryetar komunash, sepse siç ka thënë ai, janë jolegjitim.