Qeveria e Kosovës ka vendosur ta bllokojë privatizimin e kompleksit turistik Brezovica. Gjithçka që është në këtë zonë, përfshirë pronën e paluajtshme, objektet hoteliere të ndërmarrjes shoqërore “Inex” dhe ato private, nëse është nevoja, do t’u jepen investuesve të ardhshëm në kuadër të projektit për zhvillimin e këtij kompleksi. Kjo shihet si mënyra më e mirë që të funksionalizohet qendra ekzistuese e skijimit pa dhënë para nga buxheti, krahas asaj që e ka propozuar Komisioni Europian.
Qendra turistike Brezovica në Shtërpcë do t’i dalë prej dore Agjencisë Kosovare të Privatizimit pa asnjë cent. Kjo e fundit nuk do të mund ta privatizojë siç ka bërë me ndërmarrjet tjera në Kosovë. Qeveria e Kosovës ka paraparë një plan tjetër për kompleksin e kryesor të turizmit dimëror në Kosovë. Gjithçka që është në këtë zonë, përfshirë pronën e paluajtshme, objektet hoteliere të ndërmarrjes shoqërore “Inex” dhe ato private, nëse është nevoja, do t’u jepen investuesve të ardhshëm në kuadër të projektit për zhvillimin e “Brezovicës”.
Në bazë të vendimit të qeverisë të datës 8 shkurt të këtij viti, është specifikuar që këto hapësira tokësore dhe pasuri të ndryshme të kalojnë nën pronësi shtetërore apo nën menaxhim të qeverisë.
Bernard Nika, këshilltar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, të cilit edhe i është ngarkuar kjo çështje, shpjegon se kjo është mënyra më e mirë për funksionalizimin dhe zhvillimin e kësaj ane. “Ky vendimi nuk e shpronëson, por e rezervon pronën prej privatizimit të mëtutjeshëm. Ndalet procesi i privatizimit faktikisht”, thekson Nika.
Sipas tij, ky proces është shumë kompleks pasi krahas qendrës ekzistuese në Brezovicë, Komisioni Evropian ka hartuar planin edhe për një qendër të re të ngjashme turistike. Këtë institucionet vendëse e vlerësojnë si rrezik që askush të mos interesohej të derdhë mjete në renovimin dhe zhvillimin e mëtejmë të hoteleve dhe pistave aktuale të skijimit.
Për të mos mbetur infrastruktura ekzistuese e pashfrytëzueshme deri në zbatimin e master-planit, Qeveria e Kosovës ai thotë se duhet të investojë rreth 50 milionë euro. Këto investime, sipas Nikajt, qeveria e ka parë të udhës t’i bëjnë vetë investuesit kohë pas kohe, duke u krijuar atyre hapësirë të mjaftueshme fizike për investime. “Më qëllim që me u rrit fizibiliteti i investimeve, qeveria ka vendos mos me i privatizu (pronat dhe objektet në Brezovicë), por me i shpronësu dhe me i vendos në një paketë me projektin e ri”, pohon Nikaj.
Se shpronësimet nuk do të bëhen për t’i hapur rrugë zbatimit të projektit të Komisionit Evropian e thonë edhe zyrtarë të Zyrës së KE-së në Kosovë. “Master plani për Brezovicën e re shtrihet në një sipërfaqe të gjelbër dhe nuk mbulon resorin aktual të skijimit”, thekson Syzana Bytyqi, zyrtare për komunikim në Zyrën e KE-së në Prishtinë.
Në mesin e muajit shkurt, kjo zyrë pati prezantuar një “master-plan” për zhvillimin e qendrës turistike, e cila do të funksionojë gjatë tërë vitit në Brezovicë. Kjo do të ketë kapacitet për mbi 10 mijë mysafirë dhe do të ketë pjerrësira, ku mund të bëjnë ski si fillestarët, ashtu edhe ekspertët, pastaj do të ketë një qendër të fshatit me vende akomodimi, restorante dhe pasuri të paluajtshme.
Nënkryetari i Komunës së Shtërpcës, Beqir Fejzullhau, shpjegon se nuk ka asnjë pengesë pronësore as ligjore për ndërtimin e qendrës së re. “Brezovica e re nuk ka pronë shoqërore përveç disa bimëve endemike që duhet me pas kujdes”, thekson Fejzullahu.
Ndërkaq, ai thotë se vendimi i qeverisë për shpronësim ka qenë i nevojshëm për të zhbllokuar zhvillimin në këtë pjesë të Kosovës.
Me shpronësim, sipas tij, komuna do të përfitojë pronë pasi aktualisht pjesa më e madhe llogaritet si pronë e kompanisë shoqërore Inex dhe kompanive tjera shoqërore që kanë mbetur peng i privatizimit. “Si komunë kemi telashe pasi shumica është pronë shoqërore dhe ka pengesë për zbatimin e projekteve zhvillimore”, thotë Fejzullahu.
Ndërkaq, në Agjencinë Kosovare të Privatizimit pranojnë se kanë marrë njoftimin se qeveria po bën përgatitje për shpronësim të pasurisë së paluajtshme të ndërmarrjes shoqërore “Inex Sharr Planina-Brezovicë për zbatim të projektit për zhvillimin e Brezovicës në bazë të Ligjit për shpronësim të pronës së paluajtshme.