Dega e LDK-së në Podujevë sot ka kremtuar 22-vjetorin e themelimit, me ç’rast është organizuar një manifestim, ku ka marrë pjesë edhe kreu i partisë Isa Mustafa dhe anëtarë të kryesisë qendrore të partisë. Ndërsa simpatizantë të ish-presidentit Sejdiu kanë penguar tubimin
Duke uruar Degën e LDK-së në Llap për sukseset e mëdha që i ka arritur gjatë 22 vjetëve të veprimtarisë, Isa Mustafa ka thënë se LDK-ja është duke punuar në reformimin, ngritjen dhe forcimin e saj.
“Vetë fakti që sot do të anëtarësohen mbi 1500 të rinj dëshmon se LDK-ja ka hyrë në rrugën e transformimit, zhvillimit e të rilindjes së saj. Andaj këto reforma mund të mos i pëlqejnë dikujt, por reformat bëhen në interes të anëtarësisë së gjerë, të rigjenerimit e të rritjes së LDK-së. LDK vlerëson lartë rolin e Presidentit Historik Dr.Ibrahim Rugova, në zhvillimin e LDK-së e të çlirimit të vendit dhe kontributin e Fatmir Sejdiut, që ka dhënë në udhëheqjen e LDK-së”, citohet të ketë thënë Mustafa, thuhet në kumtesën e lëshuar nga ky manifestim.
Kryetari i Degës së LDK-së, Agim Veliu dhe kryetari i partisë Isa Mustafa kanë shpërndarë librezat për anëtarët e rinj të LDK-së, ku thuhet se në Degën e LDK-së të Podujevës u anëtarësuan mbi 1500 të rinj e të reja.
Kryetari i Degës së LDK-së, Agim Veliu dhe kryetari i partisë Isa Mustafa kanë shpërndarë librezat për anëtarët e rinj të LDK-së, ku thuhet se në Degën e LDK-së të Podujevës u anëtarësuan mbi 1500 të rinj e të reja.
Ndërsa, Express ka raportuar se tubimi i LDK-së është penguar nga simpatizantët e ish-Presidentit Fatmir Sejdiu.
Gjatë gjithë kohës sa ka mbajtur fjalim lideri i LDK-së, partisë më të madhe në opozitë, Isa Mustafa, vazhdimisht nga simpatizantët e Fatmir Sejdiut, është brohoritur “Poshtë Isa Mustafa”.
Për të penguar fjalimin e Mustafës simpatizantët e Sejdiut, kanë përdorur bori dhe vuvuzela, ka njoftuar Express.