Minatorët në grevë

Minatorët e minierës me flotacion “Trepça” në Stantërg, kanë hyrë të premten në grevë, kurse krerët e këtij ish-gjiganti industrial kosovar nuk janë prononcuar për medie. Përkundër insistimit të gazetës krerët e minierës nuk kanë pasur guxim të prononcohen për medie rreth kësaj greve të minatorëve.

Mbi 30 minatorë të rinj, që janë pranuar në punë para gjashtë muajve kanë ndërprerë punën për shkak të diskriminimit në paga. Ata kanë thënë se kur janë punësuar u është premtuar se paga do të jetë 300 euro për stazhin e praktikantit 6-mujor, kurse më vonë kur të punojnë nëpër horizontet e minierës do të rritet në 450 euro.
Por, 25 minatorët e rinj që janë duke punuar në minierë, janë duke u trajtuar si punëtorët që janë duke punuar jashtë minierës. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi tek ata, të cilët kanë thënë se paga e tyre nuk mund të jetë e barabartë me ata që kurrë nuk kanë qenë brenda minierës, shkruan Zëri.
Sipas tyre, dhënia e pagës së barabartë për minatorë e për ata që punojnë jashtë minierës është duke u bërë për arsye se të punësuarit jashtë janë anëtarë dhe farefis të menaxherëve të Trepçës.
Minatorët e rinj në fillim grevën e kanë mbajtur në hyrje të banjave, kurse në orët e pasdites në horizontet e minierës. Minatorët grevistë nga frika se do të largohen nga puna nuk kanë pranuar të prononcohen për medie.
Menaxheri i Trepçës, Ferat Shala, përmes telefonit tha se prodhimi në minierë nuk është ndërprerë, kurse pakënaqësia e minatorëve të rinj ka të bëjë me skadimin e kontratave 6-mujore të praktikantëve të rinj.
Kjo nuk është hera e parë që minatorët e Stantërgut ndërpresin prodhimin për shkak të pakënaqësisë me pagat dhe sistematizimin e vendeve të punës, por edhe të problemeve tjera.