Drejtësia të lihet e pavarur të kryejë punën e saj

Shefi i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Dr. Skënder Syla, në një intervistë për Kosovapress, ka folur për problemet me të cilat po ballafaqohet shëndetësia kosovare, duke theksuar faktin se menaxhimi i dobët dhe financimi i pamjaftueshëm i sektorit shëndetësor, po e vështirësojnë cilësinë e shërbimeve në këtë fushë.

“Sfidat janë të shumta. E para është që sistemi aktual shëndetësor nuk ka një financim adekuat dhe të qëndrueshëm, e dyta është llogaridhënia institucionale. Ka nevojë për një menaxhim më të mirë të të gjitha institucioneve shëndetësore në të gjitha nivelet. Një koordinim më të mirë të niveleve të ndryshme të sistemit shëndetësor, por edhe sfida të tjera të cilat ndërlidhen jo direkt me institucionet shëndetësore, mirëpo me statusin socio-ekonomik dhe kushtet e jetesës të cilat janë parakusht i domosdoshëm dhe për një shëndet më të mirë të qytetarëve. Një element tjetër i domosdoshëm dua ta përmend është që edhe gjatë vitit 2012 qytetarët e Kosovës eksponohen ndaj tymosjes së duhanit i cili paraqet njërin prej problemeve mjaft shqetësuese të shëndetit publik dhe në këtë kuadër ne duhet të bëjmë çmos që sa më parë të fillohet të zbatohet plotësisht ligji mbi tymosjen e duhanit”, ka thënë ai.
Sa i përket korrupsionit në shëndetësi, ai ka theksuar se në momentin kur do të ketë një sistem efikas dhe efecient të sistemit të drejtësisë, fenomeni i korrupsionit, jo vetëm në fushën e shëndetësisë, por në të gjitha fushat tjera do të fillojë të zgjidhet.
“Andaj në këtë drejtim mendoj se drejtësia duhet të lihet e pavarur të kryejë punën e saj, ku përpos drejtësisë një element tjetër që do të doja të përmend, duhet të jetë përgjegjësia institucionale, e kjo përgjegjësi bëhet në bazë të koordinimit, bashkëveprimit më të mirë të të gjitha niveleve dhe institucioneve vendore, sepse secili person duhet të japë llogari për punën e tij që bënë në kuadër të institucioneve shëndetësore. Dhe në këtë kuadër, menaxherët e institucioneve shëndetësore kanë për obligim t’i përcjellin trendët, fenomenet që ndodhin në kuadër të institucioneve shëndetësore”, ka vlerësuar Syla.