‘Nuk do të ketë zgjedhje serbe në Kosovë’

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka thënë se MPB dhe Policia e Kosovës kanë përgatitur planin operativ për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës.

Sipas tij, të gjitha detajet janë në përgatitje e sipër, ndërsa veprimet do të bëhen në bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in.
“Natyrisht ne me krejt kapacitetet tona institucionale që i kemi, duke u nisur nga policia, por gjithnjë duke pasur parasysh bashkëveprimin me EULEX-in dhe KFOR-in, ne nuk do të lejojmë mbajtjen e zgjedhjeve siç po i quajnë ata të lira në territorin e Kosovës”, ka thënë Zeka për Radio Kosovën.
Ai ka theksuar se Serbia duhet ta ketë të qartë se tani ka të bëjë me Kosovën shtet, e jo me Kosovën e viteve të nëntëdhjeta.
“Serbia duhet të harrojë se Kosova është e viteve të nëntëdhjeta. Kosova është shtet dhe ka institucionet e saj që vendosin, kështu që zgjedhjet në Kosovë nuk do të lejohen të mbahen dhe nuk do të ketë zgjedhje serbe në Kosovë”, ka deklaruar Zeka.
Kuvendi i Kosovës në seancën e fundit ka miratuar një rezolutë përmes së cilës konkludon se zgjedhjet serbe në Kosovë nuk do të lejohen dhe përmes saj obligon Qeverinë që ta realizojë këtë vendim.