Garantuesi i Grandit, kompani e dyshimtë për AKP-në

Fati i hotelit “Grand” vazhdon të mbetet në pikëpyetje. Ai mund të kthehet prapë në pronësi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Kjo për faktin se zyrtarët e kësaj agjencie nuk janë duke besuar se, në këtë hotel, do të investohen 20 milionë euro siç ishte premtuar nga blerësit.

Këtë dyshim ua ka ngjallur garancia që blerësi, Zelqif Berisha, ua ka sjellë atyre. Për investimet në këtë hotel ka garantuar me 33 milionë euro, Instituti Internacional i Financave “Interfin Ltd”, president i së cilës është zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, shkruan Koha Ditore.
Por për zyrtarët e lartë të AKP-së, kjo kompani del të jetë fiktive, dhe e dyshimtë se mund të mbulojë garancinë prej 33 milionë eurosh.