Pavarësia e Kosovës, projekt kompromisi

Pikëpamja e kryeministrit Hashim Thaçi që zgjidhja më e mirë për shqiptarët është të jetonin në një shtet të vetëm, është pasuar me sqarime shtesë të Qeverisë së Kosovës – kryeministri nuk ka pasur qëllim të kërcënojë Maqedoninë apo Malin e Zi, shtete fqinje që banohen edhe nga shqiptarë. Kërcënimi ka qenë për qendrat e vendosjes.

Hajredin Kuçi, zëvendës i Thaçit në Qeveri dhe në parti, nuk ka fshehur faktin se projekti i pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë më i dëshirueshmi nga shqiptarët. Ai e ka arsyetuar shefin e tij në qëndrim. Po kështu ka treguar edhe për kontekstin në të cilin është deklaruar kryeministri, duke mohuar që me të janë kërcënuar edhe dy shtetet fqinje që kanë njohur pavarësinë.
“Kjo është qasje ndaj presioneve të Serbisë dhe sinjal për akterët vendimmarrës si dhe përcaktim i shkallës së tolerancës sonë”, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi, transmeton Koha.net.
“Pavarësia është vullnet yni dhe ne kemi punuar në ndërtim të saj dhe kemi dhënë garanci ndërkombëtare për këtë. Po ashtu, të gjithë e dimë se është projekt i kompromisit për shqiptarët në tërësi dhe në veçanti për ata që kanë jetuar në ish-Jugosllavi”, tha ai.
Për herë të parë prejse është në krye të Qeverisë, kryeministri Thaçi ka dhënë një deklaratë “të nxehtë” edhe për çështjen e kufijve shtetërorë. Ka thënë se lëvizja e kufijve askujt nuk i konvenon më shumë se shqiptarëve. Këtë bindje ka thënë ta ketë shfaqur edhe para miqve ndërkombëtarë.