Paris, xhamia e parë për homoseksualë

Në Paris të premten është hapur xhamia e parë në të cilën do të mund të luten pjesëtarët e komunitetit LGBT (homoseksual). Këtë nismë fillimisht e kishte bërë një aktivistë i të drejtave të homoseksualëve, me prejardhje nga Algjeria, bashkë me një mik të vetin, përndryshe mug budist - që të dy homoseksualë. Nismëtari i idesë, Ludovic Mohamed Zahed, deklaron se deri tani ka pranuar mjaft kërcënime, andaj edhe nuk dëshiron të bëjë të ditur se ku saktësisht ndodhet kjo xhami. Kryeimami i Xhamisë së Madhe në Paris, Dalil Boubaker, ndërkaq deklaroi e askush nuk do të shkojë në xhaminë e re për t’u lutur, sepse homoseksualizmi është në kundërshtim të plotë me islamin. Zahad beson se xhamia e re do të ketë një vend të veçantë në jetën e myslimanëve homoseksualë në Francë. Shoqata e themeluar nga ai, Homoseksualët Myslimanë të Francës, nga gashtë anëtarë sa kishte fillimisht tashmë ka mbi 300 anëtarë.

Dr. Dre, artisti më i paguar në botë


Dr. Dre është shpallur muzikanti më i paguar në botë në një listë prej 25 artistëve të bërë nga revista e njohur Forbes. Producenti i suksesshëm ka arritur majen e listës vjetore të Forbes, pasi fitoi plot 110 milionë dollarë i vetmuar vitin e fundit. Pjesa më e madhe e fitimit të tij vjen nga biznesi i famshëm i dëgjuesve “Beats by Dre”, të cilat pasi shiti gjysmën e aksioneve të kompanisë, i kanë sjellë plot 110 milionë dollarë pa taksa. Në top 5 janë anëtari i Pink Floyd, Roger Waters, i cili është në vendin e dytë, përderisa Sir Elton John qëndron në vendin e tretë, pasi 100 koncerte i sollën atij 80 milionë dollarë. 



Top 25 muzikantët më të paguar në botë sipas Forbes:
01. Dr. Dre - $110 milionë
02. Roger Waters - $88 milionë
03. Sir Elton John - $80 milionë
04. U2 - $78 milionë
05. Take That - $69 milionë
06. Bon Jovi - $60 milionë
07. Britney Spears - $58 milionë
08. Sir Paul McCartney - $57 milionë
08. Taylor Swift - $57 milionë
10. Justin Bieber - $55 milionë
10. Toby Keith - $55 milionë
12. Rihanna - $53 milionë
13. Lady Gaga - $52 milionë
14. Foo Fighters - $47 milionë
15. P. Diddy - $45 milionë
15. Katy Perry - $45 milionë
17. Kenny Chesney - $44 milionë
18. Beyonce - $40 milionë
19. Red Hot Chili Peppers - $39 milionë
20. Jay-Z - $38 milionë
21. Coldplay - $37 milionë
22. Adele - $35 milionë
22. Kanye West - $35 milionë
24. Michael Buble - $34 milionë
25. Sade - $33 milionë

Hummels: Nuk më ha palla për Bayernin

Qendërmbrojtësi i Dortmundit, Mats Hummels, ka zbuluar se atij fare nuk i intereson se të shtunën do të përballet ndaj ish-ekipit të tij në Allianz Arena dhe thotë se aspak nuk ka emocione. “Mua nuk më ha palla për Bayernin. Unë totalisht i kam humbur ndjenjat për atë klub”. “Tani jam një tifoz i flakt i Dortmundit dhe lojtari me përkushtimin më të madh të mundshëm për klubin e tij”, ka deklaruar Hummels për Bild. Mats Hummels është produkt i akademisë së Bayernit të Munichut, që veten e ka gjetur te Dortmundi pasi ishte konsideruar jo i talentuar nga eprorët bavarezë.

Simeone: E admiroj Mourinhon

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, beson se Jose Mourinho meriton që të komplimentohet për punën e tij te Real Madridi, para sfidës derbi të kryeqytetit spanjoll që zhvillohet këtë fundjavë. Mourinho ka qenë cak i mediave në ndeshjet e fundit, sidomos pas vërshëllimave të tifozëve, por argjentinasi beson se Reali e ka njeriun e duhur në krye. “Unë e admiroj Mourinhon. Ai është fitues dhe ai e ka treguar këtë anë e mbanë botës. Unë shkova për ta parë atë një javë kur ai ishte te Interi. Ai është trajner që më pëlqen”, është shprehur Simeone.

“Ngjyra e Kuqe” fshihet nga YouTube

Klipi i këngës “Ngjyra e kuqe” është fshirë nga rrjeti më i madh social i videove në internet, YouTube. Kënga hit e cila theu rekorde me shikueshmëri, duke mbledhur 400 mijë klikime brenda ditës, nuk ekziston më në YouTube. Kjo nuk është hera e parë që kjo gjë po ndodh me artistët tanë, viktima të këtyre njerëzve të cilët po fshijnë videot më të klikuara shqiptare, kanë qenë shumë këngëtarë si Dafina Zeqiri, Zanfina Ismaili, Nora e shumë tjerë. Adrian Gaxha i mllefosur me këtë gjë, ka shkruar në rrjetin Facebook duke thënë: “Sa më treguan që videoklipin e këngës ngjyra e kuqe e kanë fshirë nga Youtube dhe nuk ekziston më. S’dua të përmendi emra se kush edhe pse e kanë fshirë thjesht dua të them që më vjen shumë keq për rekordin e klikimeve që u bë me 400 mijë klikime brenda ditës dhe që u vë në vendin e 12 në top listën e 20 videove më të klikuara në tërë botën brenda 24 orëve në historinë e Youtube-it.” Telegrafi ka kontaktuar me Kushtrim Morinën, një prej drejtuesve të OnAir, kompanisë përgjegjëse për monitorimin dhe ngarkimin e videove në YouTube. Ai thotë se problemi është teknik dhe se së shpejti video do të kthehet. “Videoklipin e kemi postuar përkohësisht në kanalin tonë zyrtar, pasi është larguar nga ai i Adrianit, si shkak i një problemi teknik. Avokatët tanë po merren drejtpërdrejt me këtë çështje dhe besoj se gjithçka do të jetë në rregull, klikimet do të kthehen ashtu siç kanë qenë edhe pse mund të marrë kohë derisa të përfundojë i gjithë procesi”, përfundoi Morina.

Vilanova: Nuk do ta shikoj derbin e Madridit

Trajneri i Barcelonës, Tito Vilanova, ka deklaruar se ai nuk është aspak i interesuar që të shikojë derbin e kryeqytetit spanjoll, pasi ka punë më të rëndësishme për të bërë. “E kam konferencën time për shtyp dhe më pas më duhet të darkoj. Unë nuk e kam ndërmend ta shikoj derbin”. “Pa marrë parasysh nëse Reali është larg 14 apo 16 pikë prapa nesh, ata kurrë nuk do të dorëzohen. Unë merrem aktualisht me atë punë dhe kështu duhet të bëjnë edhe lojtarët e mi”, është shprehur Vilanova. Barcelonë është në pozitën e parë me 11 pikë më shumë se sa Real Madridi që është në vendin e tretë.

Barzagli mezi pret rikthimin e Conte

Qendërmbrojtësi i Juventusit, Andra Barzagli, beson se rikthimi i Antonio Contes pas një jave do të jetë një shtytje e madhe për Zonjën e Vjetër. “Massimo Carrera dhe Angelo Alessio janë të mirë, por Conte është në nivel tjetër”. “Nuk është e lehtë t’i kaloni aq shumë ndeshje pa një trajner që ka temperamentin e tij, dikush që di si të nxjerrë më të mirën nga ne”, ka potencuar Barzagli. Conte rikthehet pas një jave në pankinën e Juventusit pasi kaloi katër muajt e dënimit.

Eurozonë, papunësia 11.7 %

Papunësia në Eurozonën e goditur nga kriza, ka arritur një tjetër shifër rekorde të lartë. Zyra e statistikës e Bashkimit Evropian, Eurostat, ka njoftuar të premten se papunësia në Eurozonë ka arritur në 11.7 për qind në muajin tetor. Gjithsej 18.7 milionë njerëz janë pa punë në 17 vende që e përdorin monedhën euro. Spanja dhe Greqia e kanë shkallën më të lartë të papunësisë në këtë rajon, pasi në të dy vendet kjo shifër është më e madhe se 25 për qind. Papunësia, pa ashtu, ka shënuar rritje në muajin tetor edhe në Bashkimin Evropian me 27 shtete, duke arritur në 10.7 për qind.

iPhone 5 depërton edhe në Kinë!

Rregullatorët kineze kanë dhënë miratimin që China Telecom dhe China Unicom të fillojë shitjen e modelit më të ri të telefonit të mençur të Apple, iPhone 5. China Telecom ka filluar të marrë porosi të dielën e kaluar, ndërsa China Unicomm është duke u bërë gati që menjëherë të fillojë shitjen e iPhone 5, për të përfituar gjatë sezonit të festave. Deri më sot, Apple ka lansuar iPhone 5 në më shumë se 100 vende të botës, dhe tek më shumë se 250 operatorë mobil. Ndërsa ende ka disa pengesa të vogla të furnizimit, besohet se shitja kryesore e iPhone 5 do të fillojë në tremujorin e parë të 2013. Me depërtimin e iPhone 5 edhe në tregun kinez vlerësohet se Apple mund të shesë deri në 50 milionë iPhone në tremujorin e fundit të këtij viti, dhe të pres që në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm të shesë deri në 43 milionë njësi tjera.

2po2 me koncert në Prishtinë

Reperi 2po2 ka bërë plan të mbajë një koncert në Prishtinë në vitin 2013. Reperi shqiptar, ka shkruar në rrjetin social “Twitter” se mendon të mbajë një koncert vitin tjetër në Prishtinë, njëkohësisht duke i pyetur edhe fansat e tij për këtë koncert. “1 Koncert n’Prishtinë n’2013 kish bo a???”, ka shkruar Besniku, i njohur me nofkën 2po2. Reagimet e fansave kanë qenë pozitive, pasi Besniku ka një kohë nuk është shfaqur në skenën tonë.

Ribery i sigurt se do bëhet kampion

Mesfushori i Bayern Munichut, Franck Ribery, beson se ekipi i tij do ta fitojë Bundesligën këtë vit dhe se ata kanë mësuar nga gabimet e vitit të kaluar. “Unë jam 100 përqind i sigurt se do të bëhemi kampionë këtë edicion. Dëshpërimet nga vitet e kaluara na kanë motivuar të bëjmë më mirë këtë vit. Jemi të motivuar ta fitojmë kampionatin, madje ky është qëllimi ynë kryesor. Pas kësaj, mund të shohim se sa larg mund të shkojmë në Ligën e Kampionëve dhe në Kupë”. “Ne nuk mund t’ia lejojmë vetës të njëjtat gabime që i bëmë vitin e kaluar ndaj skuadrave të vogla. Ne kishim një epërsi prej tetë pikësh, por Borussia Dortmund na kaloi dhe e fitoi titullin. Jam i bindur se kemi nxjerrë mësim nga kjo gjë”, është shprehur francezi për Bild.

Vieira: Dënime më të rënda për racizmin

Ish-përfaqësuesi i Francës, Patrick Vieira, beson se futbollit i duhen ndëshkime si heqjet e pikëve apo përjashtime nga garat për ta ndaluar racizmin. “Nëse ju vërtet dëshironi ta ndaloni racizmin, nëse ju vërtet doni t’i tregoni botës se dëshironi ta luftoni atë, ju duhet të përdorni heqje të pikëve ndaj klubeve ose t’i përjashtoni nga garat”. “Kjo gjë do ta ndalonte racizmin. Nëse ju e përjashtoni një klub nga garat evropiane sepse ata nuk mund t’i kontrollonin tifozët e tyre, kjo do të ndodhë vetëm njëherë, sepse unë ju garantoj që nuk do të ndodhë dy herë”, ka thënë Vieira për The Times.

Arsenali, 12 milionë funte për Zaha

Arsenali raportohet se ka filluar negociatat me Crystal Palace për ta blerë yllin në ngritje të kësaj skuadre, Wilfried Zaha. Pas interesimit të Real Madridit tani edhe Arsenali ka shfaqur interesim për të riun Zaha, që së fundmi ka fituar një vend edhe në përfaqësuesen e Anglisë. Sipas Goal.com, Arsenali i ka bërë një ofertë joshëse klubit të Crystal Palace. Flitet se oferta e kap vlerën e 12 milionë funteve, 10 milionë në fillim dhe 2 milionë në formë të bonuseve. Crystal Palace flitet se nuk dëshiron ta lëshojë të riun të largohet për një shumë më pak se 20 milionë funte.

Vidic rikthehet në stërvitje

Mbrojtësi i Manchester United, Nemaja Vidic, së fundmi është kthyer në stërvitje të plotë dhe ka mundësi që të paraqitet të mërkurën ndaj Clujit në Ligën e Kampionëve. Mbrojtësi i Djajve të Kuq pësoi një lëndim në shtator, vetëm një muaj pasi u shërua nga lëndimi serioz i ligamenteve. Ndërsa, Fergusoni atëherë pati deklaruar se nuk pret që serbi të kthehet para Krishtlindjeve. Por si duket gjërat kanë ndryshuar tani, meqë mbrojtësi është rikuperuar më shpejt se që është pritur. Këtë gjë e ka konfirmuar menaxheri i tij, Sir Alex Ferguson në një konferencë për shtyp. “Vidici ka filluar stërvitjet e plota dhe ky është një lajm shumë i mirë. Ka mundësi që ta përfshijë atë në ndeshjen kundër Clujit të mërkurën”, ka deklaruar Sir Alex.

The Banker: ProCredit Bank, banka e vitit në Kosovë

ProCredit Bank e Kosovës është shpërblyer me çmimin “Banka më e mirë në Kosovë” për vitin 2012. Shpallja u bë gjatë një ceremonie të institucioneve më të mira financiare në botë, nga revista lidere ndërkombëtare për banka dhe financa ‘The Banker’, pjesë e grupit ‘Financial Times’. Çmimin në emër të ProCredit Bankës e pranoi Rezak Fetai, menaxher i lartë në ProCredit Bank, më 28 nëntor, në Londër, njofton kjo bankë nëpërmjet një komunikate. Për të pestin vit me radhë ‘The Banker’ nderon ProCredit Bankën me çmimin banka më e mirë në vend. Në ceremoninë e mbajtur në kryeqytetin britanik janë shpërblyer bankat më të mira në 149 vende, përfshirë Kosovën në mesin e tyre me ProCredit Bankën.

Odat kërkojnë listë tjetër prodhimesh që lirohen nga dogana

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) kanë ripërsëritur edhe një herë thirrjet e tyre të mëhershme për një pako gjithëpërfshirëse fiskale e cila do të ishte stimuluese për zhvillimin e sektorit të prodhimtarisë në vend. Duke shprehur shqetësimin e tyre se shumë prej mallrave apo lëndëve të para të propozuara për lirim nga detyrimet doganore nuk janë përfshirë në versionin e dytë të projektligjit që tashmë u është dërguar deputetëve, të dyja Odat u bënë thirrje Ministrisë së Financave, komisionit përkatës parlamentar, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin parasysh kërkesat e komunitetit të biznesit për të zgjeruar listën e produkteve në projektligjin në fjalë. Udhëheqësit e dy organizatave më të mëdha të biznesit të vendit Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, dhe Arian Zeka, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, kërkuan që “lista e produkteve të liruara nga obligimet doganore në projektligj të jetë gjithëpërfshirëse e jo selektive,” veçanërisht duke pasur parasysh eksportet gjithnjë e më të ulët të vendit dhe rritjen e ndjeshme të importeve. Gërxhaliu tha se pavarësisht premtimeve se nga detyrimet doganore do të lirohen të gjitha lëndët e para që nuk kanë mundësi të prodhohen në Kosovë, kjo nuk ka ndodhur, duke theksuar se Ministrisë së Financave i është dërguar një listë prej 400 mallrash. Ndërsa Zeka tha se rëndësia e një kërkese të tillë bëhet më e madhe duke e ditur shkallën e zhvillimit të kompanive vendore, ambientin afarist në të cilën ato veprojnë, dhe politikat fiskale të cilat janë zhvilluar nga politikëbërësit në vend, dhe faktin që Kosova vazhdimisht është ballafaquar me deficit të lartë tregtar, duke treguar një varshmëri të lartë në importe dhe kapacitet të vogël prodhues dhe eksportues. Ndër kërkesat e komunitetit të biznesit që janë paraqitur para zyrtarëve relevantë qeveritarë e që nuk janë marrë parasysh janë qymyri për prodhimin e avullit, petrol koksi, tullat refraktare, mëlmesa për çipsa, vaji i pallmës, kafja e gjelbër, e shumë të tjera, të cilat vërtetë nuk mund të prodhohen në Kosovë. Këtu theksohet se përfshirja e produkteve të sipërpërmendura, por edhe të produkteve tjera që shërbejnë si lëndë e parë dhe nuk mund të gjinden në Kosovë, në listën e produkteve të liruara nga detyrimet doganore në import, do t’i jep shtysë sektorit të prodhimtarisë në vend, duke e bërë atë më konkurrues në treg me prodhuesit e tjerë në rajon, dhe do të rrisë potencialin e prodhuesve të Kosovës për eksportim të produkteve me vlerë të shtuar drejt vendeve tjera. Në të njëjtën kohë udhëheqësit e të dyja odave shprehën edhe shqetësimet e tyre lidhur me disa çështje të tjera me të cilat po përballet së fundmi sektori privat në Kosovë.

Bankat britanike kanë mungesë kapitali

Bankat britanike duhet të rrisin kapitalin në segmentin midis 20 deri në 50 miliardë paund ose të realizojnë ristrukturime dramatike të të biznesit të tyre, pasi banka e Anglisë u shpreh se haptas se nuk ka besim më mënyrën se si ato vlerësojnë pasuritë e tyre. Komiteti i ri i politikës financiare në bankën e Anglisë një ditë më parë tha se bankat duhet të raportojnë norma kapitalit që paraqesin vlerën e saktë të aseteve të tyre dhe një vlerësim realist të kostove të skandaleve të fundit, siç është manipulimin e me normën e shkëmbimit ndërbankar Libor, si dhe keq menaxhimi i shitjeve të produkteve të sigurimeve. Kërkesa nga banka e Anglisë kryhet pas thirrjes që fondi monetar ndërkombëtar bëri për kreditorët europianë. fondi tha se bankat në Europë duhet të ekuilibrojnë bilancet pasi raportet mes normave të kapitalit dhe riskut po rëndojnë në shëndetin e sistemit bankar global. Guvernatori i bankës së Anglisë Sir Mervyn King, nuk pranoi të japë një shifër të saktë të nevojës për kapital shtesë që kanë bankat në Britani. Por raporti i bankës për stabilitetin financiar ka përmendur vlerësime për secilën prej shqetësimeve të saj dhe ato sugjerojnë se bankat duhet të rrisin kapitalin në shifrën midis 20 deri në 50 miliardë paund. Banka e Anglisë i ka kërkuar supervizorit që të monitorojë rreptësishtë situatën e bankave dhe këto të fundit të identifikojnë qartë mënyrat se si do të përmbushin mungesat në kapital deri në fillim të vitit tjetër.

Vedati fejohet për pavarësi

Pjesëtari i grupit komik “Stupcat”, Vedat Bajrami, i ka dhënë fund beqarisë në një ditë të veçantë, më 28 Nëntor, në ditën e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Pasi së bashku me të dashurën e tij, Allmira Mullabazi kanë shkuar në Vlorë për të festuar pavarësinë e shtetit shqiptar, aktori kosovar ia ka dhuruar asaj unazën e fejesës. Lajmin e ka konfirmuar kolegu i Vedatit, aktori Agron Sokoli, i cili ka postuar një foto në rrjetin social “Facebook”, në të cilën shihet unaza e fejesës të cilën Vedati ia ka blerë bashkëshortes së tij të ardhshme.

Nocerino ëndërron Napolin

Agjenti i Antonio Nocerinos, Marco Sommella, ka bërë një deklaratë sensacionale duke thënë se mesfushori i Milanit ëndërron që një ditë të luajë për Napolin. Disa raportime nga mediat italiane, së fundmi kanë aluduar në një largim të mundshëm të Nocerinos nga Milani në afatin kalimtar dimëror. Por një gjë të tillë e ka demantuar agjenti i lojtarit, edhe pse ka konfirmuar se ai do të ishte i lumtur nëse një ditë do të veshë fanellën e Napolit. “Nuk mendoj se Nocerino do të largohet nga Milani. Ai e ka një kontratë me klubin dhe tani është rikthyer në 11-shën startuese”, tha Sommela për Radio CRC. “Ai është fans i Napolit dhe do të ishte njeriu më i lumtur në botë nëse një ditë do të luante për këtë ekip”, ka përfunduar në mënyrë sensacionale Sommella.

Modric: Me Bale, Reali do të ishte i pandalshëm

Ish-mesfushori i Tottenhamit, Luka Modric, shpreson Gareth Bale t’i bashkohet atij te Real Madridi, dhe thotë se nëse ai arrin në Bernabeu, ekipi do të bëhej “i pandalshëm”. “Ne kemi biseduar dhe unë e di se ai dëshiron të luajë në Ligën e Kampionëve çdo sezon dhe ai ka ëndrra të mëdha për ta fituar Ligën e Kampionëve”. “Madrid do të ishte një klub i madh për të për ta realizuar ëndrrën e tij. Unë luaj me Ronaldon këtu te Madrid dhe mënyra se si ai vrapon me topin me aq shumë vetëbesim dhe mbrojtësit prapa tij, është saktësisht e njëjta me atë të Gareth” “T’i kesh të dy në të njëjtën kohë në ekip, do të ishim të pandalshëm”, ka thënë Modric.

Thiago: Dallimi mes Messi, Xavi dhe Iniestas, i vogël

Thiago Alcantara thotë se dy mesfushorët e Barcelonës, Andres Iniesta dhe Xavi Hernandez, nuk janë shumë prapa yllit më të madh të skuadrës, Lionel Messi. Messi tashmë ka shënuar 26 gola në 20 paraqitje për skuadrën Blaugrane këtë sezon, por Thiago mendon se Iniesta dhe Xavi janë po aq të rëndësishëm, pasi ata dërgojnë pasimet e fundit. “Leo Messi është më i mirë në botë, por ka edhe të tjerë që as ata nuk janë të këqij. Njëri shënon gola tjetrin jep pasimin e fundit. Unë nuk shoh shumë dallim në mes të Andres, Leo dhe Xavi”, ka thënë Thiago për faqen zyrtare të Barcës.

Fundi i botës nuk është në dhjetor . . .

Fundi i botës nuk është në dhjetor Fund të botës në fund të dhjetorit të vitit 2012 nuk do të ketë, kumtoi NASA në Internet faqen e saj. “Në vitin 2012 nuk do të ketë fund të botës. Planeti ynë ka qenë në rregull gjatë më shumë se katër miliardë vjetëve dhe pohimeve se së shpejti do të paraqitet fundi i botës nuk mbështeten nga kurrfarë baza shkencore”, thuhet në kumtesë. Në të përgënjeshtrohen versionet më me tirazh për fundin e botës. Njëra prej tyre është se Toka do të përplaset me Nibirun mistike, e cila bredh në Sistemin diellor. Fillimisht kjo katastrofë priteshe në maj të vitit 2003, por ajo nuk ndodhi dhe atëherë u paraqit version i ri për fundin e botës, që do të paraqitet më 21 dhjetor të vitit 2012. Njëherit, në këtë datë përfundon një prej cikleve në kalendarin e Maites. “Më 21 dhjetor të vitit 2012 nuk do të vijë deri në fund të njerëzimit, por do të paraqitet solsticia dimërore (dita e shkurtër e dimrit), shton NASA dhe thekson se Mai të lashta nuk e kanë parashikuar fundin e botës. Sipas administratës kozmike amerikane pas 21 dhjetorit të vitit 2012 në kalendarin e Maite-s fillon cikël të ri, pikërisht sikur më 1 janar të vitit 2013 fillon viti i ri. Shkencëtarët e NASA-s, mes të cilëve astronomë, astrobiologë dhe ekspertë për mësimin e asteroidëve dhe të Diellit, do të kenë video bisedë në, “Google”, në të cilën do t’u sqarojnë njerëzve kuriozë pse teoritë për fundin e botës janë sajim i pastër.

Përçarje mes Facebook dhe Zynga?

Lidhjet në mes partnerëve shumë të afërt dikur, rrjetit social Facebook dhe zhvilluesit të famshëm të lojërave sociale, Zynga, së fundmi janë tendosur dhe thyer në masë të madhe. Sipas dokumenteve të paraqitura të enjten në Komisionin e Letrave me Vlerë dhe Këmbimeve, thuhet se Zynga nuk është më një shtrirje e platformës Facebook, dhe se palët nuk janë më në marrëdhënie të ndërvarura të biznesit. Në ditët e hershme të Facebook, Zynga ishte zhvilluesi më i madh i lojërave, me një diferencë të madhe nga zhvilluesit e tjerë në rrjetin më të madh social. Ndërsa, Zynga gjithashtu ishte e lidhur kryesisht në Facebook, duke mbështetur reklamat e Facebook dhe pagesat që bëheshin përmes Facebook. Në anën tjetër, Facebook lejonte partnerin e saj të pro
movojë edhe lojërat tjera që nuk ishin të lidhura në rrjetin social, për t’i mundësuar një rritje edhe më të madhe dhe ekspozim masiv ndaj audiencës. Si kthim, Facebook mbante të drejtat ekskluzive për lansimet e lojërave nga zhvilluesi Zynga. Por ndërsa ekosistemi i lojërave është zgjeruar në rrjetin më të madh social në botë, mbështetja e Facebook për Zynga është pakësuar dhe zhvilluesi ka kërkuar që të reduktojë varësinë e saj në rrjetin social.

Ku ishte Ramushi, sipas fëmijëve të tij? (Video)

Ish kryeministri Ramush Haradinaj, u shpall i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime të Luftës në Hagë. Lajmi u prit me emocione nga të gjithë shqiptarët, por natyrisht se emocion më të madh kishin familjarët e tij, e në veçanti, bashkëshortja dhe fëmijët e tij, raporton “Klan Kosova”. Ramush Haradinaj, për fëmijët e tij, ndodhej në një shkollim ushtarak. Kështu u kishte thënë nëna e tyre, duke ditur se ata janë të vegjël të dinë për gjëra të mëdha dhe të rënda. Ata nuk do të mund ta kuptonin drejtë atë që po ndodhte  në Hagë .  


                           
                            

KEK-u sanon prishjet

KEK-u njofton se ekipet e korporatës kanë arritur t’i sanojnë 40 prishje vetëm pasditen dhe mbrëmjen e ditës së enjte. Evitimi i këtyre prishjeve në afat rekord është bërë për shkak të angazhimit maksimal të ekipeve në terren, të cilët nuk kanë kursyer asgjë nga vetja e tyre vetëm konsumatorëve t’i kthehet energjia elektrike. “Prishjet kishin ndodhur si pasojë e erës së fortë që mbizotëroi dje. Nga data e djeshme kanë mbetur të rregullohen vetëm dy prishje në Distriktin e Pejës. Ndërkohë, sot janë paraqitur edhe disa prishje si pasojë e erës kryesisht në rajonin e Dukagjinit”, ka njoftuar KEK-u nëpërmjet një komunikate. Por pavarësisht kësaj, ekipet janë sërish në terren dhe janë të përkushtuara t’i sanojnë këto prishje në kohën më të shkurtër të mundshme.

Rreth një milion euro për kripën e rrugës

Ministria e Infrastrukturës (MI) ka shpallur fituesin e tenderit për furnizim me kripë gjatë sezonit të dimrit për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale dhe regjionale, përfshirë edhe pjesën e shfrytëzueshme të autostradës. Tenderin në vlerë prej 969 mijë eurosh e ka fituar kompania “Euroni”, që është e regjistruar si biznes i prodhimit të kripës në Fushë-Kosovë. Një garë e ngushtë është zhvilluar ndërmjet tri kompanie që ofertuan në këtë tender. Tenderi më i shtrenjtë në garë ka çmim më të lartë për vetëm 6 mijë euro nga fituesi. Por, nuk është bërë e ditur se cilat janë dy kompanitë tjera që kanë marrë pjesë në tender. Në krahasim me vitin e kaluar, tenderi i furnizimit me kripë industriale për mirëmbajtjen e rrugëve në sezonin dimëror 2012-2013, është gati dyfish më i shtrenjtë. Kostoja përfundimtare e këtij tenderi i afrohet një milion eurove ende pa u bërë e qartë nëse do të ketë nevojë për më tepër kripë sesa kërkesa reale e Ministrisë së Infrastrukturës, shkruan Koha Ditore. Zyrtarë të kësaj ministrie nuk kanë dhënë sqarime për gazetën në lidhje me tenderin për furnizim me kripë industriale, ani pse i njëjti tender është anuluar një muaj më parë.

Gjystja në shtatzëni të përkryer

Gjyste Vulaj edhe në muajin e shtatë të shtatzënisë duket në formë shumë të mirë trupore. Këngëtarja ka publikuar një foto-kolazh në rrjetin social “Facebook” ku tregon linjat e saj trupore në formë shumë të mirë. Edhe pse vetëm edhe dy muaj e ndajnë nga lindja e fëmijës, Gjystja ka ruajtur vijën e trupit në nivelin më të mirë të mundshëm. Gjyste Vulaj është tërhequr nga aktivitetet muzike për tashmë një kohë, pas mbetjes shtatzënë, por pritet të rikthehet në skenë me shumë projekte të reja menjëherë pas lindjes.

Leonora nderohet në Drenicë

Leonora Jakupi është nderuar nga qyteti i saj i lindjes, Drenica, në 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar. Këngëtarja për pavarësinë e Shqipërisë ka performuar para publikut drenicak dhe pas performancës festive ajo është nderuar me një mirënjohje, për suksesin e saj në muzikë dhe për 14 vjetorin e këngës historike “A vritet pafajësia”. “Kemi arsye të festojmë, kemi 100 vjetorin e Shqipërisë, ditëlindjen e Adem Jasharit dhe kënga ime ‘A vritet pafajësia’ mbush 14vite”, ka thënë këngëtarja në një intervistë.

Pirlo: Na ka munguar Conte

Andrea Pirlo mendon se mungesa e krye-trajnerit Antonio Conte e ka lënduar Juventusin në muajt e parë të sezonit 2012/13. 43-vjeçari u ndëshkua me 10 muaj suspendim në fillim të sezonit për shkak se edhe pse kishte qenë i informuar nuk kishte raportuar montimin e ndeshjeve gjatë kohës sa kishte drejtuar Sienën, dënim i cili më vonë u reduktua në katër muaj. Dhe, Pirlo është i lumtur që Conte tash është në prag të rikthimit. “Neve na mungon Conte shumë në karrige, veçanërisht në pauzën mes pjesëve. Ai gjithmonë ka fjalë për secilin dhe mund ta kthejë një ndeshje me ndryshimet e tij taktike”. “Fatmirësisht suspendimi i tij po thuajse përfundoi. Kanë mbetur vetëm edhe një javë. Ai vërtet është një trajner i jashtëzakonshëm. Ai gjithmonë është mirë i përgatitur dhe i aftë për ta transmetuar filozofinë e tij te skuadra”, k thënë Pirlo.

Badstuber: Do të jetë vështirë ndaj Dortmundit

Mbrojtësi i Bayern Munich, Holger Badstuber, mezi pret derbin e vikendit në Bundesliga përballë Borussia Dortmund, dhe pret një sfidë të vështirë në Allianz Arena. Gjermani është plot lëvdata për kampionët në fuqi, por thotë se Bayerni do të japë maksimumin për të bërë sa më pak gabime të mundshme dhe për të dalë fitues. “Dortmund është një skuadër fantastike, por ne jemi në formë shumë të mirë. Do të jetë një ndeshje e ngushtë, e nxehtë. Ajo do të vendoset nga gjërat e vogla”. “Jam i sigurt se ne do të jemi ekipi që nuk do të bëjmë gabime, ose më pak gabime vendimtare. Dhe ne duhet të luajmë si një njësi e ngjeshur, ne kemi nevojë të jemi të bashkuar dhe të punojmë së bashku. Kjo është receta jonë e suksesit”, ka thënë Badstuber.

Walcott me kërkesa të reja

Theo Walcott ka refuzuar të fillojë biseda të reja me Arsenalin përderisa nuk është zgjidhje e parë në skuadër. Sulmuesi i Topçinjve është duke kërkuar garanci nga menaxheri Arsene Wenger se atij do t’i jepet hapësirë e rregullt loje. TalkSPORT shkruan se Walcott, kontrata e të cilit skadon verën e ardhshme, do të dëshironte të rifillojë bisedat, por nuk sheh arsye përderisa nuk është i sigurt se vendi i tij është në ekipin e parë.

Absurdi bankar

Bankat në Kosovë, për nëntë muaj të këtij viti, investuan rreth 200 milionë euro depozita të qytetarëve jashtë vendit. Ndërkaq, kreditimi për ekonominë kosovare, sipas raportit të BQK’së, u tkurr. Përfaqësuesit e bizneseve vlerësojnë se këto investime jashtë po e ngadalësojnë kredidhënien për ekonominë kosovare. Bankat komerciale në Kosovë vazhdojnë me investime në letra me vlerë jashtë vendit, duke e ngadalësuar kështu kredidhënien për ekonominë kosovare. Për nëntë muaj, së bashku ato investuan rreth 200 milionë euro depozita të qytetarëve në letra me vlerë nëpër shtete të ndryshme të Evropës. Në anën tjetër, kreditimi i ekonomisë kosovare, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, ka rënë ndjeshëm. “Po ashtu, me rritje u karakterizuan investimet e bankave që operojnë në Kosovë në letra me vlerë jashtë vendit, të cilat rritën pjesëmarrjen nga 7.8 për qind të gjithsej aseteve sa ishin në shtator 2011, në 9.2 për qind në shtator 2012”, thuhet në raportin e nëntëmujorit të BQK-së. Sipas këtij raporti, në shtator 2012, asetet e sistemit bankar të Kosovës arritën vlerën prej 2.76 miliardë eurosh. Njohësit e ekonomisë dhe përfaqësuesit e bizneseve i vlerësojnë të paarsyeshme këto investime jashtë, kur merren parasysh nevojat e brendshme. Madje, thonë se këto investime po e ngadalësojnë kredidhënien për ekonominë kosovare. Sipas nëntëmujorit, gjithsej kreditë e lëshuara në këtë periudhë nga sistemi bankar arritën vlerën prej 1.76 miliard eurosh. Por, norma aktuale e rritjes së kreditimit në ekonomi është dukshëm më e ulët krahasuar me normën prej 16.8 për qind të regjistruar në shtator të vitit 2011. “Duke u bazuar në rezultatet e anketës së shtatorit 2012, të realizuar me bankat të cilat operojnë në Kosovë, ngadalësimi i kredidhënies është rezultat i rënies së kërkesës për kredi. Po ashtu, deri në një masë ndikuan edhe shtrëngimi i kushteve për kredidhënie nga ana e bankave, gjë që u reflektua në rënie të ofertës për kredi”, thuhet në raport. Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se në parim potenciali kreditor do të duhej të shfrytëzohej brenda vendit. Për të, investimet e bankave jashtë janë të arsyeshme vetëm kur ka tepricë të mjeteve financiare. “Por duke e pasur parasysh nevojën për kreditim të ekonomisë kosovare, do të ishte mirë që këto mjete të investohen brenda vendit”, ka thënë Rukiqi. Nga bankat, këto investime jashtë kryesisht arsyetohen nga rreziku i likuiditetit, duke përfshirë këtu rrezikun për kthimin e kredive dhe proceset e vonuara gjyqësore. “Sa i përket sigurisë, bankat e rrisin këtë shqetësim, por derisa kreditë e këqija kanë normën më të ulët në rajon, atëherë nuk ka vend për këtë shqetësim të tyre”, vlerëson Rukiqi. Sipas raportit të BQK-së, kreditë joperformuese u rritën në 7 për qind nga 6 për qind sa ishin një vit më parë. “Raporti aktual ndërmjet kredive dhe depozitave është në linjë me rekomandimet e BQK-së që bankat të mirëmbajnë raportin ndërmjet kredive dhe depozitave në mesatarisht 80 për qind”, thuhet në raport. Ndryshe, ky trend rritës i investimeve në letra me vlerë jashtë vendit, e përcolli edhe vitin 2010 dhe atë 2011. Vetëm gjatë vitit 2010, në letra me vlerë jashtë vendit, bankat patën investuar plot 173.4 milionë euro, që ishte 78.8 për qind më shume se vitin paraprak.

Kriza prek depozitat e kreditë

Entuziazmi se rritja e depozitave në sektorin bankar në Shqipëri vazhdon, duket se do të mbarojë së bashku me vitin 2012. Shifrat e Bankës së Shqipërisë po tregojnë një tjetër realitet ku shqiptarët nuk kanë ç’të kursejnë më, duke mos depozitar më para në bankë. Nga ana tjetër, mosshoqërimi i këtij fenomeni me rritje të konsumit tregon se shkak është rritja e çmimeve. Por, as kreditimi nuk është në ditët më të lulëzuara dhe 2012, ashtu sikurse e pranoi edhe ministri i Financave pak ditë më parë, është viti më i vështirë përgjatë krizës dhe këtë tashmë po e reflekton edhe sektori bankar. Një vit më parë, kreditimi, muaj pas muaji, ka shënuar vetëm rritje. Ne po i referohemi mesit të 2011e në vazhdim, ku deri në dhjetor kreditimi arriti në 541 miliardë lekë, nga 510 miliardë që ishte në qershor. Në vijim, viti 2012 ka pasur rritje, por edhe rënie të kreditimit përgjatë muajve dhe problemi më i madh do të fillonte në qershor të këtij viti. Kredia mbeti statike duke mos u rritur për muaj të tërë.

Rruga lundruese Danubë-Moravë-Vardar

Ministri i burimeve natyrore, minierave dhe planifikimit hapësinorë në Qeverinë e Serbisë , Milan Bacevic tha se ekziston një interesim shumë i madh i investitorëve të huaj për ndërtimin e rrugës lundruese Danubë-Moravë-Vardar , për të cilën Serbia pret tash e 100 vite. Sipas Ministrit Bacevic , ministria e tij është duke negociuar krijimin e kushteve për përgatitjeve e planeve hapësinorë dhe mbështetjes financiare .Sipas tij interesim të madh për tu përfshirë në projekt po tregojnë vendetë si Rusia ,Kina ,Gjermania , Maqedonia dhe Greqia. "Ky është projekti më i madh që Serbia mundet të llogarisë për disa dekada dhe projekti më i madh që Serbia mundet ta realizojë . Lidhur me përgatitjet e dokumentacioneve të planifikimit hapësinor , mendojë që kjo ministri do ti ketë të gatshme kah mesi i vitit të ardhshëm", deklaroi Ministri serb për gazetën serbe Kurir. Sipas ministrit , deri në fund të vitit 2013-të do të përfundojnë bisedimet me shumë investitorë potencial. ”Shpresojë në rezultate pozitive të këtyre bisedimeve pikërisht sepse në to është kyçur direkt edhe Presidenti Tomislav Nikoliq”, tha Bacevic. Por vlen të theksohet se idea e hapjes se kanalit ujor nëpër Luginën e Preshevës nuk ka lindur sot. Ajo ishte propozuar nga Amerikanët qysh më 1909, nëpërmjet Konsullit të tyre në Konstantinopolë John Luishman, i cili e kishte botuar në të përjavshmen diplomatike US.Trade and Consular Reports. Sipas Memorandumit që Fronti Demokratik i Bashkimit Kombëtar i kishte dërguar Sekretares Amerikane të shtetit Hillary Clinton më 22 shkurt 2012, SHBA gëzon të drejtën e shfrytëzimit të Luginës së Preshevës, për hapjen e kanalit ujor Morava-Vardar. Këtu kemi Marrëveshjen Ruso-Amerikane të vitit 1913 dhe dokumentacionet e letërkëmbimeve diplomatike të viteve 1909-20 mes Qeverisë Serbe, Amerikane dhe Turke ku tregohet se Asociacioni Amerikan i hapjes së kanaleve ujore me seli në Nju Xhersi i ishte dhënë me koncesion territori ku do të hapej kanali ujor .Ky Asociacion e kishte dizajnuar dhe emëruar projektin me titull: Linja e gravitetit të ekonomisë europiane në drejtim me Suezin. Kjo ide gjithashtu është propozuar së fundi edhe nga Instituti i njohur Schiller me seli ne Frankfurt të Gjermanisë.

NBA: Warriors fitojnë pas një përfundimi dramatik

Golden State Warriors i kanë mbijetuar një video-drame në çastet e fundit të takimit për të shënuar fitore të ngushtë 106-105 ndaj Denver Nuggets në Oakland. Sulmuesi i Denver, Andre Iguodala, gjuajti dhe shënoi tre pikësh në sekondën e fundit të takimit, por incizimet treguan se topi ishte lëshuar nga dora pas fishkëllimës së fundit, që nxori fitues Warriors. Fitorja ishte e nënta e këtij sezoni për Warriors (gjashtë disfata), duke e çuar ekipin në garë për kreun e Divizionit Paqësor. David Lee shënoi pikët më të larta të ndeshjes, 31, dhe kontribuoi edhe me nëntë kërcime. Klay Thompson shënoi 21 dhe Stephen Curry 20 pikë të tjera.

Rihanna nuk mund të ndahet nga Chris Brown

Rihanna duket se sërish është rikthyer në lidhjen e saj të mëparshme me këngëtarin amerikan Chris Brown. Ylli i muzikës tashmë disa ditë në rrjetin social “Twitter” është duke postuar foto me reperin, duke vërtetuar kështu se lidhja e tyre po vazhdon. Edhe dje, ajo ka bërë të njëjtën gjë. Pasi Chris ndodhet në turne dhe Rihanna sapo ka përfunduar të sajin, ajo po i bën shoqëri atij në turnetë e tij. Në foton e postuar, ajo shihet duke përqafuar Chrisin, dhe me mbishkrimin, “nuk dua të largohem”. Kjo foto dhe shumë të tjera që ka postuar ajo, konfirmojnë lidhjen e tyre, edhe pse zyrtarisht nga ana e tyre nuk është bërë ndonjë pohim.

Vjollca me këngë ritmike (Video)

Këngëtarja Vjollca Abdullahu ka sjellë këngën më të re me titull “Çdo natë”. Është një këngë ritmike e punuar nga producentët Zzap&Chris, ndërsa tekstin e ka shkruar vetë këngëtarja. Ajo ka bërë të ditur se “Çdo natë” do të kompletohet edhe me videoklip, mirëpo ende nuk ka vendosur se cilit produksion t’ia besojë punën. Vjollca së fundmi performoi edhe në koncertin “Thank You USA”, ndërsa veç këngëve “Holla at me” dhe “Më zbukuro fundvitin”, ajo është e njohur për refrenin e këngës së Skillz, “Bone veç për mu”.



                        

Për perfeksionizmin fajtore janë gjenet, sepse ambicia trashëgohet

Fëmijët e prindërve ambiciozë, të cilët janë të fokusuar qartë në qëllimin e tyre, pothuajse sigurt edhe vetë do të jenë të tillë, por me perfeksionizëm lidhen edhe mosbesimi në vete dhe prirja ndaj ankthit. Njerëzit lindin si perfeksionistë, ndërsa në këtë karakteristikë të personalitetit nuk ndikojnë edukata ose përvoja, por gjenet, pohojnë shkencëtarët nga Universiteti në Michigan. Ata kanë zbuluar se si fëmijët, prindërit e të cilëve janë ambiciozë dhe të orientuar në arritjen e rezultateve më të mira, me çfarëdo që merren, edhe vetë kanë karakteristika të ngjashme psikologjike, ka vërtetuar studimi në 340 binjakë të moshës prej 12 deri 22 vjeç. Edhe pse perfeksionizmi është karakteristikë e dëshirueshme trashëguese sepse rriten shanset për sukses në karrierë, me të shpesh lidhen edhe prirja ndaj problemeve dhe pasiguria në mundësitë personale, shkruan Daily Mail. Një nga aktoret e njohura hollivudiane, Gwyneth Paltrow, ka pranuar të jetë perfeksioniste e madhe, dhe këtë e konsideron një nga të metat e saj më të mëdha. Ajo pohon se si perfeksionizmin me siguri e ka trashëguar nga nëna e saj, aktorja Blythe Danner. Me të pajtohet edhe aktorja e re Emma Watson, e cila perfeksionizmin e saj ua veshë prindërve të saj avokatë. Shembuj për prirjen e trashëguar ndaj perfeksionizmit ka edhe në botën e sportit, dhe kështu nëna e lojtarit të madh të tenisit, Andy Murray, Judy Murray është perfeksioniste e njohur, sikurse edhe djali i saj. "Po kështu edhe mungesa e perfeksionizmit e cila shpesh përshkruhet si sjellje e shkujdesur, e parregullt ose impulsive, po ashtu ka komponentë të fortë gjenetikë dhe përcillet nga prindërit në fëmijë", - ka thënë udhëheqësi i studimit, dr. Jason Moser.

Teprimi me kafe dobëson shikimin

Studimi i ri, i publikuar në Harvard, ka treguar që tek meshkujt dhe femrat që pinë tri e më shumë kafe në ditë ekziston përqindja e madhe e atyre që kanë probleme me shikimin Hulumtimi lidh konsumimin e madh të kafeinës me zhvillimin e glaukomës eksfoliative, çrregullimit të shikimit i cili prek rreth dhjetë për qind të personave më të moshuar se 50 vjeç dhe mund të çojë deri tek verbëria. Shkencëtarët kanë deklaruar që të rriturit që pinë tre ose më shumë filxhanë në ditë janë më të prirë ndaj glaukomës eksfoliative për 34 për qind më shumë, në krahasim me ata që nuk e pinë këtë pije. Femrat të cilat në familje kanë raste të regjistruara të glaukomës hyjnë në grupin më të rrezikuar, dhe nëse pinë më shumë se tre filxhanë, rreziku nga fitimi i glaukomës eksfoliative rritet deri në 66 për qind. Në studimin e gjerë shkencëtarët kanë analizuar të dhënat e rreth 79.000 femrave dhe 42.000 meshkujve dhe me të rast nuk është konstatuar lidhja në mes konsumimit të pijeve të tjera që përmbajnë kafeinë (soda, çaj) dhe kësaj sëmundjeje.

Kaka dëshiron të qëndrojë në Evropë

Babai dhe agjenti i Kaka ka hedhur poshtë raportet se ylli i Real Madridit mund të largohet nga Evropa në janar. Braziliani vazhdon të jetë i padëshiruar në Santiago Bernabeu, dhe, gjatë javës së kaluar, Marca raportoi se Madridi dëshiron ta largojë atë me qëllim që të lehtësojë buxhetin dhe të krijojë fonde për rinovim me Cristiano Ronaldon. Kaka është lidhur me një rikthim te Milani, por në listën e skuadrave të interesuara janë edhe ajo braziliane Corinthians si dhe ajo amerikane New York Red Bulls. “Nuk di për këtë interesim. Për momentin, siç qëndrojnë gjërat, ai dëshiron të qëndrojë në Evropë. Një ditë gjërat mund të ndryshojnë por sot, nuk e di. Corinthians është përmendur. Dhe Corinthians vetë kurrë nuk ka thënë asgjë”, ka thënë Bosco Leite për Lancenet.

Moratti kishte ndihmuar Kosovën gjatë luftës

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, gjatë prezantimit të “Inter Campus” në SHBA, ka përmendur ndihmën që kjo skuadër i dha popullit kosovar gjatë luftës së fundit. “Historia e projektit filloi 15 vite më parë, në Brazil, ku ne nuk mund të rrinim më symbyllur, duke parë mundësinë për t’i bërë fëmijët atje të lumtur dhe për t’u dhënë atyre shansin për të veshur fanellën e Interit dhe të Ronaldos, në kohën kur ai luante me skuadrën tonë të parë”. “Nga atje, ne nxituam për në Kosovë, në mes të luftës. Fëmijët e vegjël të familjeve në kushte të vështira kishin nevojë të qëndronin në vende të sigurta, larg nga fushat e betejës dhe ne e ndjemë të nevojshme të ndihmojmë”, citohet të ketë thënë presidenti i Interit, raporton Sport. Gjatë vitit 1999, më saktësisht më 27 nëntor, Ronaldo kishte qëndruar në Gjakovë, për ta përuruar rindërtimin e një shkolle në bashkëpunim me ‘Caritas’ dhe me lejen e klubit të Interit.

Ronaldo “i nderuar” me nominimin për Topin e Artë

Sulmuesi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka shprehur ngazëllimin dhe krenarinë e tij pasi është zgjedhur në listën përfundimtare të kandidatëve për Topin e Artë. Portugezi do të luftojë me dyshen e Barcelonës, Andres Initesta dhe Lionel Messi, për çmimin prestigjioz, pasi kaloi një sezon fantastik në nivel klubi ku shënoi 46 gola në 38 paraqitje për të ndihmuar Realin të fitojë titullin e La Liga. “Për mua është nder të jem kandidat për Topin e Artë dhe 11-shen Botërore të FIFA, dhe jam krenar”. “Janë këto dy shpërblime shumë të veçanta dhe mendoj se qenit kandidat është fillimisht rezultat i punës së fuqishme dhe mbështetjes së bashkëlojtarëve të mi, edhe te Real Madridi edhe te Portugalia”, ka thënë Ronaldo për faqen zyrtare të Realit.

Mourinho në biseda edhe me Cityn?

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, dëshiron ta pasojë Roberto Mancinin në pozitën drejtuese të Manchester Cityt. The Sun shkruan se karrigia e Mancinit është duke u lëkundur pasi ai u eliminua nga Liga e Kampionëve, dhe drejtuesit e Cityt janë të joshur nga mundësia që skuadra të drejtohet nga Mourinho. Agjenti i Mourinhos, Jorge Mendes, së fundi u takua me drejtorin e ri të Cityt, Txiki Begiristain në Portugali. Dhe këshilltarët e Mourinhos kanë dhënë shenja se nëse Mourinho largohet nga Reali, me të cilin klub ka një kontratë katërvjeçare, do të preferonte Cityn para Pairs Sait Germain, që është një opsion tjetër i hapur për të.

Liverpooli ofertë për Noliton

Liverpool është duke u lidhur me një transferim të sulmuesit të Benficas, Nolito. Daily Express shkruan se Nolito, i cili arriti te Benfica nga Barcelona si i lirë, ka mungesë vetëbesimi dhe ka dështuar të gjejë formën pasi ka dështuar të bëhet një lojtar i rregullt i ekipit të parë. Brendan Rodgers synon të jetë aktiv në afatin kalimtar, dhe sulmuesi është lartë në listën e tij të prioriteteve, pasi e sheh atë si mbulesë për Luis Suarez. Benfica mund të jetë e kënaqur të ndahet nga lojtari nëse në adresë të klubit arrin një ofertë e arsyeshme.

Arsenali kontratë të re për Sagnan

Mbrojtësi i Arsenalit, Bacary Sagna, ka marrë një ofertë për kontratë të re nga klubi londinez. Daily Mail shkruan se Sagnas i është ofruar vazhdimi njëvjeçar i marrëveshjes nga Topçinjtë. Marrëveshja e Sagna skadon në fund të sezonit të ardhshëm. Ai ende është duke kërkuar një marrëvehje afatgjate dhe negociatat janë duke vazhduar.

Mancini: Balotelli nuk largohet

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka hedhur poshtë faktin se klubi e ka shqyrtuar ndonjëherë shitjen e Mario Balotellit. “Jo, nuk është e vërtetë se ai do të largohet. Ai ishte goli i tij i parë sezonal i realizuar dje, por shpresoj se ai mund të rrisë nivelin e paraqitjeve të tij”. “Sezoni është shumë i gjatë, dhe shumë ekipe po luajnë në Ligën e Kampionëve në shkurt, prandaj mund të ndryshojë situata në Premier Ligë. Ne jemi në maje me Unitedin për momentin, por mendoj se edhe Chelsea do të luftojë për titull”, ka thënë Mancini.

iTunes 11 lëshohet sot gjatë ditës?

Sot gjatë ditës është thënë se Apple do të lansojë versionin e ri të shërbimit të saj të famshëm, iTunes. Raporti i botuar në Wall Street Journal i cili e citon Eddy Cue, zv. presidentin e Apple për softuerët e internetit dhe shërbimet tjera të lidhura, merret si shumë i besueshëm, dhe në ndërkohë është bërë lajmi kryesor i ditës në mediat globale. Gjatë përshkrimit të iTunes 11, thuhet se versioni i ri është më i integruar me iCloud dhe i përshtatur për pajisjet mobile. Sipas gazetës, thuhet se përdoruesit e iTunes 11 do të mund të ngarkojnë muzikë, filma, emisione televizive dhe shumëçka tjetër, nga një pajisje e Apple në tjetrën.
Kjo mund të bëhet përmes shërbimit sinkronizues të iCloud, dhe nuk do t’i detyrojë përdoruesit që të ri-shkarkojnë përmbajtjet, thuhet më tej në njoftimin e WSJ.

Rita falënderon shqiptarët dhe kryeministrin

Superylli shqiptar, Rita Ora, pas performancës së saj epike në Tiranë para rreth gjysmë milioni shqiptarëve në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit tonë, ka shfrytëzuar momentin për të falënderuar njerëzit dhe në veçanti kryeministrin Sali Berisha. Rita Ora performoi për rreth 40 minuta në kryeqytetin shqiptar në koncertin e madh organizuar për 100 vjetorin e pavarësisë. Ajo këndoi ‘live’ me bendin e saj në skenën gjigante në sheshin “Nëna Terezë” dhe pritja madhështore nuk kaloi pa u parë nga e gjithë bota. “Të jem e mirëpritur në vendin tim ishte ndoshta një prej momenteve të mia më krenare. Faleminderit kryeministër”, ka shkruar Rita në Tëitter. Rita pas performancës së saj në Tiranë mund të ndodhë që të perfomojë edhe në Prishtinë më 17 shkurt, teksa që nga tani kanë filluar të hidhen hapat e parë në këtë drejtim.

Adelina feston me plis dhe bikini

Teksa festa në vendin tonë për 100 vjetorin e pavarësisë po vazhdon si kurrë më parë, janë këngëtaret tona ato që bijnë në sy për mënyrën e tyre ekstravagante e të paraqiturit në skenë. E tillë ka qenë dhe Adelina Tahiri, që ka zgjedhur që të performojë me plis si patriote e vërtetë, por edhe me bikini si seks simbol, një kombinim që nuk është parë më herët nga këngëtaret tona. Adelina ishte e pranishme në Dardanë më 28 nëntor, ku argëtoi fansat e saj me hitet e saj duke e ndezur në disa momente në tej mase atmosferën.

Mancini: Balotelli nuk largohet

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka hedhur poshtë faktin se klubi e ka shqyrtuar ndonjëherë shitjen e Mario Balotellit. “Jo, nuk është e vërtetë se ai do të largohet. Ai ishte goli i tij i parë sezonal i realizuar dje, por shpresoj se ai mund të rrisë nivelin e paraqitjeve të tij”. “Sezoni është shumë i gjatë, dhe shumë ekipe po luajnë në Ligën e Kampionëve në shkurt, prandaj mund të ndryshojë situata në Premier Ligë. Ne jemi në maje me Unitedin për momentin, por mendoj se edhe Chelsea do të luftojë pë
r titull”, ka thënë Mancini.