Reichel: Kontaktoni me serbët e veriut

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka pritur në takim ambasadorin gjerman në Kosovë, Ernst Reichel, ku temë e bisedimeve ishte aktualiteti politik, siguria dhe zhvillimi ekonomik në Mitrovicë.

Kryetari Kastrati tha se situata e sigurisë kohëve të fundit është e qetë, mirëpo shumë e ndjeshme. Ai përmendi problemin e barrikadave që kanë vështirësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, sidomos të atyre joserbë në veri të Kosovës.
“Strukturat e sigurisë, si KFOR-i, Policia e EULEX-it dhe Policia e Kosovës, duhet të jenë shumë më të vendosura për t’u përballur me strukturat ilegale serbë, që po e mbajnë të tensionuar situatën në veri”, ka thënë Kastrati, për të cilin problem tjetër i ndjeshëm është edhe mosfunksionimi i gjykatave.
Ambasadori gjerman u interesua për kontaktet e mundshme mes zyrtarëve komunalë dhe qytetarëve serbë në veri, duke e vlerësuar si të rëndësishëm informimin e qytetarëve të atjeshëm me realitetin në pjesën tjetër të Kosovës.
Në këtë kontekst, Kastrati tha se është rritur dukshëm numri i qytetarëve serbë që pajisen me dokumente personale të Republikës së Kosovës.
“Megjithatë, pjesa më e madhe e tyre janë të shantazhuar nga strukturat kriminale serbe, për të mos bashkëpunuar me institucionet kosovare”, shtoi ai.