Ndryshe nga të gjithë DJ që jemi mësuar deri më tash t’i shohim e t’i dëgjojmë, kompania “Next Level” për të rinjtë kosovar më 22 shkurt do të sjell DJ-in më të vjetër në botë. E ajo është “Mamy Rock” e njohur se edhe “Dj Gjyshja”.
Ardin Badivuku ka pohuar për Telegrafi se aranzhimi i ardhjes së saj në Prishtinë nuk ka qenë i zorshëm, për shkak se oferta ka qenë e pranueshme për të dy palët. Por ka cekur se vështirësi ka qenë aranzhimi i fluturimit për shkak të motit të ligë që është në Evropë.
“Oferta ka qenë e pranueshme dhe e përshtatshme për të dy palët, prandaj ajo e ka pranuar. E zorshme ka qenë aranzhimi i fluturimit, sepse është vendosur në momentin e fundit për shkak të motit të lig që po mbretëron”, ka thënë Badivuku
“Mamy Rock”, emri i vërtetë i së cilës është Ruth Flowers, më 22 shkurt do të performojë në klubin e natës “Prime”, me kërkesë të së cilit edhe është aranzhuar ardhja e saj në Prishtinë.
Ndërsa sa i përket biletave ende nuk është bërë publike çmimi i tyre, por që ditëve në vazhdim do të vendoset edhe për këtë.