Marko Jaksic, në listën e zezë amerikane

Lideri i Partisë Përparimtare të Serbisë (SNS), që është edhe kandidat për kryeministër të Serbisë, Tomislav Nikolic, nuk mund të hyjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai gjendet në listën e zezë të personave që iu ndalohet hyrja, e ku momentalisht janë 30 serbë.

Nikolic nuk ka dashur të komentoj këto informata. Përgjigja e tij për ditoren serbe “Alo”, ka qenë: “Nuk e di, nuk e kam asnjë informacion të tillë. Nuk kam kërkuar as vizë”!.
Në anën tjetër, burimi i ditores në Departamentin amerikan të Shtetit, thotë se Washingtoni zyrtar ka më shumë besim te zëvendësi i tij, Aleksandr Vucic, i cili në ndërkohë është përjashtuar nga kjo listë.
Pos Nikolicit, hyrja në Shtetet e Bashkuara nuk është e lejuar edhe biznesmenit Miroslav Miskovic, liderit të serbëve të Kosovës, Marko Jaksic, kreut të Partisë Radikale të Serbisë, familjes së Milosevicit etj. Në listë gjenden edhe Nikola Sainovic dhe Vojislav Sesel, si dhe kreu ushtarak dhe policor serb i kohës së Milosevicit. Të padëshiruar vazhdojnë të jenë edhe Radovan Karadzic dhe Ratko Mladic, por edhe të afërmit e tyre.
“Çdo vit lista rishikohet, por ndodhë që disa emra, si ai i Legijes dhe Pavkovicit, të mbesin ende. Në këtë moment, nga Serbia në SHBA nuk mund të futen 30 vetë. Zyrtarisht, Departamenti i Shtetit është përgjegjës për heqjen e të ashtuquajturës lista e zezë, por vetëm me vendimin e presidentit të SHBA-ve, që mbanë shenjën 212 F. Se viza nuk nënkupton hyrjen në SHBA, flet rasti i Bogoljub Karicit. Atij William Montgomery ia miratoi vizën, por nuk ka mundur të udhëtoj, sepse ishte në atë listë”, thotë burimi nga Washingtoni.
Për herë të parë, SHBA-të më 1999 ia ndaluan hyrjen liderit serb Slobodan MIlosevci, si dhe familjes së tij, krerëve të aparatit të tij shtetëror, atyre që e kanë financuar, si dhe pjesëtarëve të njësiteve paramilitare në Kosovë. 900 vetë ishin atëherë në atë listë.
Pas rënies së Milosevicit më 5 tetor 2000, DOS-i i atëhershëm, në marrëveshje me ambasadën amerikane në Beograd, e bëri një listë të re të njerëzve, kryesisht biznesmenë, që duheshin të hiqen nga lista. Shumica e tyre, për heqje të emrit kanë paguar nga gjysmë milionë marka, ndërsa ato para i kanë shkuar koalicionit në pushtet, DOS.