Marrëveshjet, hap përpara

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton dhe komisionari për Zgjerim, Stefan Fuele, kanë mirëpritur marrëveshjet e arritura rreth bashkëpunimit rajonal dhe për zbatimin e menaxhimit të integruar për pikat kufitare, dhe sipas tyre këto marrëveshje janë një hap i madh përpara, duke qenë se janë të rëndësishme jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por për stabilitetin e rajonit, si edhe për BE-në.

Sipas tyre , qëllimi i këtij dialogu është të ndihmojë të dyja palët për të arritur progres në rrugën e tyre drejt Evropës.
“Dua t’i uroj të dyja palët për këto dy marrëveshje substanciale. Njëra vë në formë operative marrëveshjen për menaxhimin e integruar të pikëkalimeve. Tjetra konsolidon bashkëpunimin rajonal dhe siguron që të gjithë të përfaqësohen në mënyrën e duhur”, ka thënë Ashton.
Sa i përket Serbisë, këto marrëveshje mirëpriten lidhur me diskutimet për dhënien e statusit kandidat. Ndërsa sa i përket Kosovës, marrëveshjet e bëjnë atë pjesëmarrës të plotë në takimet rajonale, dhe do t’i mundësojnë përparim të mëtejshëm të marrëdhënieve kontraktuale me BE-në.
“Kosova kështu do të ndjekë kursin e njëjtë evropian si të gjithë të tjerët në Ballkanin Perëndimor, në përputhje me perspektivën e saj evropiane”, thuhet në deklarate, dhe theksohet Komisioni propozon për të nisur një studim fizibiliteti për një Marrëveshje Stabilizim-Asociimi ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Fuele, nga ana e tij, ka deklaruar se marrëveshja demonstron një angazhim të të dyja palëve për të ardhmen e tyre evropiane.
“Marrëveshja e sotme gjithashtu përforcon bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe agjendën e zgjerimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor", ka shtuar ai.