Hague përshëndet marrëveshjet

Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, ka mirëpritur arritjen e marrëveshjeve rreth bashkëpunimit rajonal dhe implementimit të menaxhimit të integruar të kufijve, si edhe ka përshëndetur propozimin për të nisur një studim fizibiliteti për një marrëveshje Stabilizim-Asociimi ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Ai e ka uruar kryeministrin Hashim Thaci dhe presidentin serb, Boris Tadic, për, siç ka thënë, lënien anash të sfidave të të kaluarës dhe që kanë treguar kurajë për arritjen e këtyre marrëveshjeve, “të cilat janë vendimtare për të siguruar që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë përparimin drejt anëtarësimit në të ardhmen në Bashkimin Evropian”.
Ai ka kërkuar nga të dy vendet që të jenë të angazhuara në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE, që, sipas tij, do ta promovojë bashkëpunimin, do të përmirësojë jetën e qytetarëve dhe do të forcojë rrugëtimin drejt një të ardhme më të qëndrueshme dhe prosperuese.