VV: Republika po reduktohet edhe në substancë

Përfaqësuesit e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, Xhelal Sveçla dhe Puhie Demaku, të remten kanë mbajtur një takim me europarlamentarët, Tanja Fajon dhe Knut Fleckenstein.

Në një komunikatë të “Vetëvendosje” thuhet se gjatë takimit përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje shpalosën qëndrimin e tyre lidhur me proceset aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova.
Lideri Albin Kurti ka shprehur shqetësimin lidhur me koncesionet që po bëhen si rezultat i dialogut Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se nuk po reduktohet Republika vetëm në emër, por edhe në substancë. Ai po ashtu kërkoi që BE të ushtrojë më shumë presion ndaj Serbisë ngase mënyra se si e trajtojnë aktualisht nuk e disiplinon, e për më tepër, as nuk e ndryshon atë.
Nga ana tjetër, kumtohet se europarlamentarët Fajon dhe Fleckenstein shprehën interesimin e tyre lidhur me qëndrimet dhe zgjidhjet e ofruara nga Lëvizja “Vetëvendosje”, në adresimin e çështjeve të ngritura gjatë diskutimit- zhvillimin ekonomik dhe mungesën e vendeve të punës, çështja e veriut, mangësitë e gjyqësorit dhe roli i BE-së në Kosovë.