Kosova u përcaktua për integrim dhe jo për izolim

Derisa marrëveshja e Rambujesë i solli Kosovës lirinë, marrëveshja e Ahtisaarit i solli pavarësinë, marrëveshja e sotme i sjellë shtetit të Kosovës integrimet evropiane dhe e bën Kosovën, Kosovë Evropiane. Dhe nuk po flas këtu për liberalizimin e vizave, apo marrëveshjen tregtare, por për Procesin e Stabilizim-Asocimit, që është hapi i parë zyrtar në procesin e anëtarësimit të Kosovës në familjen e madhe Evropiane. Kështu ka thënë kryeministrit Hashim Thaçi në një konferencë për media.

“Kosova anëtarësohet, përfaqësohet, flet në emër të saj dhe ka fuqinë dhe autoritetin e nënshkrimit në të gjitha institucionet multilaterale si shtete të barabarta. Unë jam shumë i vetëdijshëm që formula në fusnotë nuk është ideale, por është më e pranueshmja për momentin politik që po kalon shteti i Kosovës. Por, e theksoj, se kjo formulë është e përkohshme. Unë jam i vetëdijshëm që veprimi i qeverisë nuk është shumë populist, por jam i bindur është në të mirë të vendit”, ka deklaruar Thaçi.
Ai ka theksuar se si kryeministër është i bindur që është ndërmarrë vendimi i duhur për të ardhmen evropiane të shtetit të Kosovës.
“Kosova, me këtë marrëveshje u përcaktua për integrim, dhe jo izolim. Kosova u përcaktua ta përfaqësojë vetveten e jo të përfaqësohet nga të tjerët. Me këtë marrëveshje e larguam përgjithmonë UNMIK-n nga tavolina e përfaqësimit të Kosovës Kjo marrëveshje, ne asnjë rrethanë nuk e zbeh në asnjë rrethanë shtetësinë e vendit tonë. Përkundrazi, e forcën atë, duke i dhënë Kosovës vendin e saj të merituar në të gjithë mekanizmat ku do të përfaqësohet”, ka pohuar kreu i ekzekutivit.
Ai më tej ka pohuar se ka marrë garanci që marrëveshja për bashkëpunim dhe përfaqësim rajonal do të jetë çelësi për integrimin evropian të Kosovës.
“Kosova ka qenë Republikë edhe dje, kur në këto forume rajonale është përfaqësuar nga UNMIK-u dhe me mbishkrimin 1244, dhe do të vazhdojë të jetë republike edhe sot, kur do të përfaqësohet nga institucionet e Kosovës, pa UNIMIK, dhe me fusnotë të balancuar me opinionin e GJND-së për Deklaratën e 17 shkurtit për Pavarësinë”, ka shpjeguar kryeministri, duke shtuar se “ua kemi borxh atyre që dhanë jetën dhe çdo që patën, e mbi të gjitha, ua kemi borxh fëmijëve tanë ndërtimin e Kosovës se re Kosovës evropiane”.